Interneti, në rrezik marrëdhëniet Kinë-SHBA
Pekini: “Hilari Klinton gënjen duke shtrembëruar realitetin”
Vazhdon lufta e ftohtë mes Pekinit dhe Uashingtonit. Qeveria kineze ka replikuar ashpër ndaj ndërhyrjes së Hilari Klintonit kundër censurës për internetin, duke e cilësuar si të dëmshme për raportet mes dy vendeve. Kështu, Kina i është përgjigjur shumë ashpër sekretares Klinton që e ka akuzuar se ka limituar aksesin e lirë në internet, duke mohuar kështu demokracinë, ndërsa Presidenti amerikan, Barak Obama, ka shprehur shqetësimin e tij për sulmet ndaj “Google” dhe ka kërkuar përgjigje të menjëhershme nga Pekini. Në një komunikatë të publikuar në faqen e internetit, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ma Zhaoxu, pranon se akuzat e SHBA-së “mohojnë realitetin dhe dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Më tej aty lexohet se pavarësisht divergjencave, Pekini mbetet për vazhdimin e dialogut. Ndërkaq, nga Shtëpia e Bardhë ende nuk ka ardhur asnjë mesazh pozitiv. “Presidenti është i shqetësuar për marrjen e masave të sigurisë informatike që “Google” i ka atribuuar Kinës”, ka thënë zëdhënësi Bill Burton. Tensioni mes dy gjigantëve të botës në fushën e ekonomisë, shpërtheu javën e kaluar kur kolosi amerikan i internetit, motori i kërkimit Google, kërcënoi se do të largohej nga Pekini duke akuzuar se censura e qeverisë po dhunon privatësinë e klientëve të tij.
Klinton e ka vendosur Kinën në grupin e vendeve që “kohët e fundit ka kufizuar lirinë e internetit” së bashku me Tunizinë, Uzbekistanin, Arabinë Saudite dhe Vietnamin. Në vend, popullsia kineze nuk ka akses në sajtet që flasin për tibetianët dhe uigurët, ato në ato të organizatave si “Amnesty International” dhe disa prej rrjeteve më popullore sociale si “Youtube”, “Facebook” e “Twitter”. Në rajonin autonom të Xinjiang, që vitin e shkuar u shndërrua në një teatër përleshjesh me bazë etnike, në internet për gjashtë muaj nuk mund të merrje asnjë informacion. Prej disa javësh në vend është e mundur të lidhesh vetëm me katër sajte organesh informacioni që administrohen direkt nga qeveria. Në ndërhyrjen e saj, sekretarja amerikane e Shtetit i ka kërkuar Pekinit të nisë një hetim transparent mbi rastet e piraterisë informatike të denoncuara nga “Google”. “I kërkojmë SHBA-së të respektojë faktet dhe të ndalojë së përdoruri të ashtuquajturën lirinë e internetit për të formuluar akuza të pabaza. Interneti në Kinë është i lirë dhe i hapur për të gjithë. Jeni vendi më aktiv në zhvillimin e internetit. Në fund të vitit të kaluar qytetarët kinezë që e përdornin internetin në mënyrë aktive kanë qenë 384 milionë. Në vend numërohen gjithsej 3.68 milionë sajte interneti dhe rreth 180 milionë bloge. Pekini e administron internetin në përputhje me ligjet e tij dhe praktikat ndërkombëtare. Kushtetuta kineze u garanton qytetarëve lirinë e mendimit”, shkruhet në komunikatë. Në fund ajo mbyllet duke shprehur bindjen dhe shpresën që SHBA “të respektojë angazhimet e marra nga liderët e dy vendeve për t’i çuar marrëdhëniet në një fazë të re, përmes forcimit të dialogut, komunikimit dhe bashkëpunimit”. Sipas analistëve duket qartë që “Kina kërkon të mbajë një pozicion të ekuilibruar dhe nuk dëshiron që kjo çështje të dëmtojë marrëdhëniet me Uashingtonin. Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një ngjarje të rastësishme. Kjo tregon një kontradiktë të thellë mes Kinës dhe SHBA-së, në shoqëri dhe ideologjinë e vlerave”. Problemin e censurës në Kinë Hilari e ka krahasuar me Murin e Berlinit. Akuzat u refuzuan menjëherë nga qeveria dhe mediat kineze. Por, si demonstrim i faktit se problemi ekziston artikujt kritikë janë eliminuar nga rrjeti. Pekini menjëherë ka tentuar ta zhvendosë vëmendjen nga çështja “Google” duke i kujtuar administratës “Obama” se ka çështje të tjera më të rëndësishme për të diskutuar si tregtia, Tajvani dhe Tibeti. Ajo e internetit është e fundit në serinë e pyetjeve nga ku ka dalë divergjencë, sidomos pas vizitës së Obamës në Kinë nëntorin e shkuar.
#