Haiti, arrestohen 10 amerikanë për adoptime të paligjshme
Policia haitiane ka arrestuar 10 shtetas amerikan të cilët janë akuzuar që kishin marrë 33 fëmijë nga Haiti përmes disa skemave të paligjshme të adoptimit. Lajmi u raportua ditën e shtune nga autoritetet policore vendase. Të arrestuarit janë 5 femra dhe 5 meshkuj dhe u arrestuan në kryeqytetin e Haitit në Port au Prince.
Një nga dyshuarit për ngjarjen, i cili është kreu i një organizate bamirësie që po operon në Haitin e shkatërruar e mohoi kategorikisht akuzat e ngritura ndaj tij.
Gjatë ditëve të fundit autoritetet policore haitiane kanë përhapur alarmin për frikën që kanë për adoptimin e paligjshëm të mijëra fëmijëve jetime, që mund të kryhen nga organizata të ndryshme kriminale. 10 personat e dyshuar ishin kapur së bashku me kontigjentin e 33 fëmijëve në afërsi të kufirit me Republikën Domenikane. Moshat e fëmijëve varionin nga mosha e 2 muajve deri në 12 vjeç. Sipas raportit të policisë kufitare personat e arrestuar nuk kishin asjnë letër ose objekt që të identifikonin faktin se ata e kishin të drejtën për të adoptuar fëmijët dhe për të kaluar kufirin së bashku me ta. Sipas policisë haitiane ky akt është komplet ilegal. Deri më tani nuk ka ardhur asnjë reaagim nga zyrtarët e ambasadës amerikane në lidhje me arrestimet e kryera.
Numri i fëmijëve të cilët kanë mbetur jetim si pasojë e tërmetit katastrofal të 12 janarit është tepër i lartë, por autoritetet vendase kanë njoftuar se nuk i kanë instrumentat e duhur për të dhënë një numër të saktë të fëmijëve të cilët i kanë humbur prindërit e tyre.