E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hajduti 14-vjeçar grabiti dy "Misset" në Kavajë

26/06/2009  Policia arrestoi autorin, miseve iu rikthyen paratë e celularët e vjedhur në hotel

KAVAJË- Një hajdut 14 vjeç u grabiti paratë e celularët dy vajza konkurrente për spektaklin “Miss Shqipëria”. Djali i vogël hyri nga dritarja që e gjeti të hapur dhe grabiti paratë në dhomën e boshatisur. Për fat të mirë policia reagoi shpejt dhe autori u vu në pranga brenda pak orësh. Gjithsesi ky episod shkaktoi fillimisht tronditje të lehtë tek vajzat. Policia e Tiranës njoftoi dje zyrtarisht se gjatë orëve të vona të të dy ditëve më parë shërbimet e komisariatit të policisë Kavajë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit A.M, 14 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Arrestimi i tij u krye sepse mbrëmë është kapur në flagrancë duke vjedhur në kompleksin turistik “Xixa”, në Golem, apartamente ku qëndronin konkurrentet për “Mis Shqipëria 2009”, ku ka arritur tu vjedhë dy konkurrenteve, shumën e parave prej 6 200 lekë, dhe shumën e parave prej 4 000 lekë e 15 euro. Gjithashtu hajduti mori edhe dy celularë. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit Durrës të seksionit të miturve, për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Duke iu referuar burimeve policore, mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, ku vajzat kishin harruar hapur dritaret. Pasi pa që askush nuk ndodhej në dhomë, adoleshenti mori paratë dhe celularët dhe u largua, për t’u arrestuar pak orë më vonë nga forcat e policisë, të cilat e identifikuan menjëherë autorin nga disa dëshmi të punonjësve që e kishin parë të kalonte afër hotelit.

Reagimi i Petro Bozos

Në linjë telefonike për gazetën “Metropol”, organizatori i këtij spektakli, Petri Bozo tha se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, pasi gjithçka është sqaruar brenda një kohe shumë të shkurtër. “Policia reagoi shumë shpejt, duke mundësuar arrestimin e autorit. Në fillim miset u shqetësuan pak, por gjithçka u zgjidh në një kohë të shkurtër dhe s’besoj se s’ka nevojë për ta bërë kaq alarmante këtë gjë. Vajzave u janë kthyer lekët dhe celularët”,-tha Bozo.

Skeda e grabitjeve

Hajduti 14-vjeçar që ka kryer këtë grabitje akuzohet gjithashtu edhe për një seri vjedhjesh të tjera. I mituri M.M është skeduar në listat e policisë si një ndër hajdutët më të rrezikshëm dhe mbi të rëndojnë akuzat për të paktën 200 grabitje të kryera në kohë të ndryshme. Disa nga grabitjet janë kryer në kryeqytet, ndërsa të tjerat në qytete si Durrësi apo Kavaja. Policia e pati të lehtë për ta ndaluar, pasi ai njihej në zonë për aktivitetin e grabitjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›