I mituri i vjedh paratë në dhomën e hotelit, konkurrenteve për Miss Shqipëria 2009

Kavajë, 25 qershor NOA Akomodimi i konkurrenteve për Miss Shqipëria 2009 në një hotel në Golem, duket se është mësuar nga një i mitur i cili nuk ka nguruar të afrohet.
Por në fakt ai nuk ka shkuar pranë hotelit për të parë nga afër konkurrentet ashtu siç ndodh rëndom me djemtë por qëllimi i tij ishte ti zhvaste ato.
Kështu të paktën dy konkurrenteve i mituri A.M, 14-vjeçar ka mundur tu marrë një sasi parash.
Vjedhja ndodhi në orët e vonë të mbrëmjes duke i gdhirë dita e sotme kur A.M, 14- vjeç, lindur dhe banues në Kavajë është kapur në flagrancë duke vjedhur në një kompleksin turistik në Golem, një shumë parash.
Sipas policisë i mituri kishte mundur të hynte në ambientet e brendshme të kompleksit pikërisht në apartamentet ku qëndronin konkurrentet për Miss Shqipëria 2009, ku ka arritur për ti vjedhë dy konkurrenteve, shumën e parave prej 6 200 lekë, dhe shumën e parave prej 4 000 lekë e 15 euro.
Alarmi i bukurosheve ka bërë që të mbërrijë policia e cila ka nisur procedimin penal ndaj 14-vjeçarit dhe në ngarkim të tij do ti kalojnë Prokurorisë Rrethit Durrës të Seksionit të Miturve, për veprën penale të vjedhjes.
k.k/NOA