Hajek do të hapë linjë kozmetike në kujtim të gjyshes
Aktorja e Hollivudit, Salma Hajek, do të zbulojë sekretet e saj të bukurisë prej 25-vjeçareje nëpërmjet linjës kozmetike kundër plakjes, që pritet ta hapë së shpejti. Kjo linjë është frymëzuar nga gjyshja e aktores, ish-kozmetikologia Maria Luisa, ilaçet popullore të së cilës e mbajtën lëkurën e saj të bukur edhe kur ishte 90 vjeçe. Aktorja 40-vjeçare meksikane planifikon t’i rikrijojë formulat, të cilat pritet të marrin emrin e gjyshes.
“Kur ajo vdiq, në moshën 96-vjeçare, sigurisht lëkura e saj ishte e lëshuar, por ajo nuk kishte asnjë rrudhë. Ajo i bënte kremrat e saj duke përdorur përbërës sekretë, të cilët mund të gjenden vetëm në Amerikën Latine”,- ka thënë Hajek për revistën “InStyle”. Në këtë mënyrë aktorja e famshme e filmit “Desperado”, ku luajti përkrah aktorit Antonio Banderas, synon të bëjë emër edhe në fushën e kozmetikës, duke krijuar një revolucion të vërtetë. Sipas Hajek, këto kremra do të shërbenin për besimin në vetvete dhe pamjen gjithmonë të re të femrave.
18 Mars 2009