Hajvalia në Superligë

Ky duel nisi me gati një orë vonesë, pasi tifozët e Lepencit, ‘Fikshat’ u futën në fushë. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por me kartonë të kuq.
Pas një kacafytjeje në mes vete, tek Lepenci u ndëshkua Bushi, ndërsa tek Hajvalia, Ademaj, kështu që, që nga minuta e 35-të, të dyja skuadrat luajtën me nga një lojtar më pak.
Ndërsa, pjesa e dytë ishte më ritmike, ku u realizuan edhe dy gola. E para në avantazh kaloi skuadra nga Liga e Parë në minutën e 50-të me anë të golit të Fillim Guraziut.
Ndërkaq, shifrat i barazoi në minutën e 88-të Besmir Xhika. Me këtë rast, ‘Fikshat’ u futën në fushë për ta festuar golin dhe ndeshja u ndërpre sërish, mbi gjysmë ore.
Me këtë rast, gjyqtari Muhedin Ferati ka kërkuar zbrazjen e tribunës ku ishin prezentë tifozët e Lepencit.
Ky i fundit kaloi sërish në epërsi në minutën e 94-t me anë të Xhevdet Shabanit, kurse Hajvalia barazoi shifrat në minutën e 99-të me Fillim Guraziun, që realizoi nga penalltia.
Kur të gjithë prisnin që fituesin do ta përcaktonin penalltitë, Yll Prekopuca e realizoi golin e ‘artë’ të Hajvalisë në minutën e 111-të, për t’ia mundësuar ekipit të tij inkuadrimin historik në Superligë.
Në anën tjetër, Lepenci u rikthye në Ligën e Parë, pas vetëm një sezoni të kaluar në elitën e futbollit kosovar.