Gjermania me Kosovën
Shteti gjerman është njëri nga vendet që më së shumti e ka përkrahur Kosovën. Kjo u vërtetua të martën kur nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Rainer Milkoreit, vizitoi Kosovën dhe u njoh për së afërmi me zhvillimin e futbollit kosovar.
Ai tha se ndihma e vendit të tij nuk do të ndalet asnjëherë, derisa Kosova të mund të zhvillojë ndeshjet miqësore dhe nga takimi që do të zhvillohet ndërmjet krerëve të FIFA-s dhe UEFA-s pret fuqizimin e vendimit të mëhershëm.
“Ne nuk do të ndalemi që t’i ndihmojmë Kosovës, derisa vendimi i marrë nga FIFA të jetësohet dhe vendi juaj të mundet t’i zhvillojë ndeshjet miqësore. Më 4 korrik do të jetë një takim ndërmjet krerëve të FIFA-s dhe UEFA-s dhe aty pritet që vendimi i marrë me herët të fuqizohet”, tha Milkoreit.
Milkoreit tha se vota e Gjermanisë ka një peshë të madhe si në FIFA po ashtu edhe në UEFA dhe pa votën e tyre, Kosova nuk do të mund të fitonte të drejtën për të zhvilluar ndeshje miqësore. Ai po ashtu pranoi se misioni i tyre do të jetë i përmbushur vetëm atëherë kur Gjermani do të zhvillojë një miqësore me Kosovën.
“Vota e Gjermanisë ka shumë peshë dhe pa të Kosova nuk do të mund të luante në miqësore. Megjithatë, unë i premtova edhe ministrit se misioni i ynë do të jetë i plotësuar vetëm atëherë kur ne do të luajmë miqësore me Kosovën”, vazhdoi ai.
Gjermani, ndër të tjera tha ai, është duke ndihmuar edhe në edukimin dhe licencimin e trajnerëve kosovarë, të cilët në të ardhmen do të jenë në gjendje të përgatisin gjeneratat e reja.
Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit Kosovar, Fadil Vokrri, ka falënderuar shtetin e Gjermanisë për ndihmën e dhënë dhe e ka ftuar Milkoreitin për të marrë pjesë në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, që do të zhvillohet të enjten ndërmjet Trepçës ’89 dhe Ferizajt.
“Në emër të të gjitha klubeve e falënderoj Federatën e Futbollit të Gjermanisë për ndihmën e vazhdueshme. Po ashtu kërkoj nga të gjithë simpatizuesit që të kenë kujdes dhe t’u tregojnë të huajve se vendimi që është marrë ka qenë i drejtë”, tha Vokrri në një konferencë për media.
Krasniqi priti Milkoreitin
Në anën tjetër, Rainer Milkoreitin e ka pritur edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi.
Ministri Krasniqi falënderoi Milkoreit për ndihmën që Federata Gjermane e Futbollit ka dhënë për futbollin kosovar si në edukimin dhe licencimin e trajnerëve, ndihmë në infrastrukturë dhe aspekte të tjera organizative.
Ai vlerësoi lart përkushtimin e treguar nga Federata gjermane që kjo ndihmë të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe theksoi se ajo është shumë domethënëse për Kosovën, sidomos tash pas vendimit të FIFA-s për t’i lejuar Kosovës ndeshjet miqësore.
Ministri Krasniqi këtë vendim e quajti si një hap shumë të madh që do të ndikojë në zhvillimin e futbollit në Kosovë, masivizim të tij e veçanërisht në afirmimin e shumë talentëve.
Ndërkaq nënkryetari i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, z. Milkoreit vlerësoi vullnetin dhe angazhimin e shtetit dhe FFK-së që futbolli, por edhe sporti në tërësi të zhvillohet dukshëm.
Edhe ai e konsideroi si një hap të madh vendimin e FIFA-s, duke vlerësuar se tashmë shumë talentë që ka Kosova do ta kenë rastin të dëshmohen para botës. Milkoreit premtoi se ndihma nga ana e tyre nuk do të mungojë në asnjë çast dhe atë në çdo aspekt.