Një fillim i ri për Pogradecin, një vizion i ri për futbollin
Presidenti Artan Shkëmbi sqaron se nuk ka asnjë rrezik për licensimin. Stafi teknik do të jetë i ri dhe do të mbështetet te futbollistët pogardecarë
Pogradeci ra nga Superliga në Kategorinë e Parë dhe sigurisht që për këtë kërkohet një analizë e gjerë, që pritet të zhvillohet së shpejti. I rëndësishëm është fakti, që ka një reagim normal nga ana e presidentit Artan Shkëmbi, si dhe një strategji të qartë për rrugën që do të ndiqet në të ardhmen.
I pyetur pas një heshtjeje të gjatë, presidenti Shkëmbi shprehet se nuk mund të flasë para analizës. Ai thekson mes të tjerash se shkaktarët e rënies nga Superliga nuk duhen kërkuar vetëm te FSHF-ja apo jashtë ekipit, por duhen analizuar në kompleks, ku me siguri përgjegjësia kryesore bie mbi punën e drejtuesve të Pogradecit dhe të futbollistëve.
Stafi teknik Pas ndeshjes me Skënderbeun, që shënoi edhe rënien nga Superliga të Pogradecit, të gjithë pjesëtarët e stafit teknik, përfshirë drejtorin teknik Nesti Binishi e trajnerin Ylli Çekiçi, kanë paraqitur dorëheqjen, që presidenti Shkëmbi e ka pranuar. Ndërkohë, presidenca ka komunikuar përfundimin e kontratës me çdo futbollist, si dhe ka filluar punën për riorganizimin e klubit dhe për caktimin e stafit të ri drejtues.
Kopi Gusho është njeriu, të cilit i është ngarkuar detyra ta drejtojë klubin deri në emërimin e drejtuesve të rinj. Po punohet, duke kontaktuar kandidatët për stafin e ri teknik, që synohet të jetë nga Pogradeci. Nëse nuk do të konkludohet me trajnerë vendës, skuadra do të ketë një trajner nga Korça ose Elbasani.
Futbollistët Të gjithë futbollistët janë larguar nga Pogradeci për në vendbanimet e tyre dhe vendësit kanë filluar pushimet, ndërsa klubi është duke bërë bilancin financiar për secilin prej tyre. Po llogariten detyrimet e klubit në përputhje me kontratën, pagesat e kryera deri tani, si dhe shpërblimet dhe gjobat.
Materiali i përgatitur për çdo futbollist dhe pjesëtar të stafit, do të paraqitet për miratim në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikqyrës të sh.a-së, që pritet të mbahet brenda datës 10 qershor. Mbyllja e rakordimeve të detyrimeve me çdo futbollist do të bëjë të mundur mbylljen e çdo detyrimi që ka klubi ndaj futbollistit dhe anasjelltas, gjë që do të kryhet brenda muajit qershor.
Skuadra e re Siç konfirmon presidenti Shkëmbi, Pogradeci i ri do të përbëhet vetëm nga futbollistë vendës, kryesisht të rinj me perspective. Këta të fundit, si kusht të parë për të qenë pjesë e Pogradecit, duhet të nënshkruajnë një kontratë 3-5-vjeçare. Kontratat afatgjata do të sigurojnë qëndrueshmëri dhe rritje cilësore nga viti në vit për skuadrën.
Edhe nëse do të pranohet ndonjë përforcim nga nga ndonjë qytet tjetër, sërish kusht do të jetë nënshkrimi i një kontrate nga 3 deri në 5 vjet. Gjithashtu, për stafin teknik do të vihet kushti që të paktën 9 futbollistë në fushë të jenë pogradecarë. Aktualisht ka filluar puna dhe janë të gatshëm 19 futbollistë vendës, që kanë luajtur me Pogradecin vitin e fundit ose që janë kthyer nga skuadrat, ku kanë qenë të huazuar.
Futbollistët janë udhëzuar që, pas dy javësh pushime, të fillojnë stërvitjen individuale, për tu grumbulluar në stërvitjen e organizuar, që do të fillojë më 1 korrik, kur grupi dhe stafi teknik do të jenë të kompletuar.
Organizimi i klubit Edhe në aspektin organizativ do të këtë përmirësime. Megjithëse sh.a-ja ka funksionuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, organizimi në këtë formë nuk shikohet si forma më e mirë që ofron bashkëfinancim me individë dhe kompani, që duan të kontribuojnë për futbollin.
Për momentin, organizimi në formën e një shoqate sportive shihet si një formë më e përshtatshme, që mund të sjellë një pjesëmarrje më të gjërë dhe kontribut më të madh të komunitetit dhe të biznesit vendës për sportin.
Licensimi Presidenti Shkëmbi, në lidhje me licensimin e klubit pogradecar, konfirmon se i gjithë dokumentacioni i kërkuar nga FSHF-ja është dorëzuar dhe nuk ka asnjë rrezik për pjesëmarrjen e Pogradecit në kampionat. Bashkia do të vazhdojë të investojë në përmirësimin e kushteve të stadiumit dhe fushës stërvitore.
Gjatë këtij viti shumë financime do të orientohen drejt ekipeve të moshave, që janë lënë pas dore, sepse kemi qenë të përqendruar tek ekipi i Superligës. Do të shihni një organizim shumë më të mirë në kampionatin që vjen, si dhe rezultate në rritje nga viti në vit për futbollin pogradecar, – ka thënë presidenti Shkëmbi.
