Hakersat rusë, ortakë me bandën e bankomateve
Prokuroria zbulon se Endrit Gjergjani i blinte të dhënat e kartave false nga “piratët” rusë. Vjedhjet realizoheshin nga dy banda
TIRANË- Hakersat rusë ishin “udhëheqësit shpirtërorë” të bandës së kartave false, që u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Matrix”. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës pohuan për “Shekullin” se janë evidentuar tashmë lidhjet e 19- vjeçarit Endrit Gjergjani me “piratët” kompjuterikë nga Rusia, nga të cilët blinte PIN-et dhe numrat serialë të kartave të kreditit, kundrejt pagesave të ndryshme. Prokuroria ka zbuluar pagesat për rusët, që janë kryer nëpërmjet transfertave bankare nga llogaria e Kreshnik Lukut, njërit prej anëtarëve të bandës. Këtë fakt e ka vërtetuar edhe vetë i arrestuari Luku, i cili para togave të zeza ka konfirmuar dhunën psikologjike dhe kërcënimet që ai ka marrë nga organizatori i këtyre vjedhjeve, Endrit Gergjani. “Prokurori i çështjes, Armand Gurakuqi, me ndihmën e hetuesve të çështjes ka filluar të marrë në pyetje një nga një të 12 personat nën hetim që ndodhen në qelitë e paraburgimit në kryeqytet, nën masën e sigurisë “arrest me burg”, si dhe pesë personat e tjerë të cilët janë në gjendje të lirë”,-pohuan dje burime nga grupi hetimor.
Dy grupe vjedhjesh
Gjatë marrjes në pyetje është faktuar se jo të gjithë të arrestuarit njiheshin me njëri-tjetrin, pasi 17 personat nën hetim ishin ndarë në dy grupe grabitësish. “Njëri grup drejtohej nga Endrit Gjergjani dhe grupi tjetër nga dy kosovarët që janë në hetim dhe janë larguar nga Shqipëria”-thuhet nga prokuroria. Sipas këtyre burimeve, grupi i parë i drejtuar nga Endrit Gjergjani kryente vjedhje me anë të klonimit të kartave të kreditit, por duke i përdorur ato vetëm nëpër qendra tregtare, për blerje të gjërave të ndryshme dhe me vlerë. Ndërsa grupi dytë që drejtohej nga dy shtetasit kosovarë që tashmë janë shpallur në kërkim vidhnin para nga llogaritë bankare të shtetasve të huaj nëpërmjet bankomateve, nëpërmjet falsifikimit të kartave të kreditit. “Të dy grupet funksionin të ndarë dhe pa u njohur mes tyre, përveç 19 -vjeçarit Gjergjani që kishte njohje virtuale me dy kosovarët, me të cilët shkëmbente të dhëna personale të shtetasve të ndryshëm për vjedhje të llogarive të tyre bankare”,-thanë burimet nga prokuroria. Sipas tyre, dy kosovarët janë identifikuar dhe me kompletimin e dosjes pritet që ajo t’i dërgohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës me anë të letër-porosisë, për arrestimin e tyre.
***
Prokuroria konfirmoi se deri më tani, nga hetimet paraprake ka rezultuar se 17 personat nën hetim kanë kryer vjedhjen e më shumë se 100 mijë eurove, shumë kjo që për prokurorinë nuk është përfundimtare pasi çdo ditë po evidentohen vjedhje të reja. Sipas këtyre burimeve, mësohet se disa nga vjedhësit janë identifikuar me ndihmën e kamerave të sigurisë që ndodhen në ATM-të nëpër kryeqytet dhe rrethe të tjera ku të arrestuarit kanë kryer vjedhjet. Gjithashtu, gjatë fazës paraprake hetimore prokuroria ka marrë në pyetje edhe familjarët e të arrestuarve, të cilët kanë mohuar në mënyrë kategorike që bijtë e tyre të kenë dërguar lekë në shtëpitë ku ata banojnë. Mësohet se të gjitha parat e vjedhura i kanë përdorur për qejf dhe aventura të ndryshme.
NËN HETIM:
Endit Gjergjani i njohur ndryshe si Laro
Anil Gjergjani,
Kreshnik Luka
Ledjo Doko
Enea Çela,
Endri Mezuraj,
Besford Puka
Seid Mollaj
Fatmir Borshi
Rei Karapici
Redi Çekani
Blerim Abazi
Flamur Gashi
Indrit Abazi
Alban Bari
Klodian Terolli
Fatmir Kolmarku