Sherr me leva mes të rinjve, plagoset njëri
Përleshja ndodhi në rrugën “Xhorxh Bush”, pas një grindjeje për motive banale
TIRANË- Një sherr banal mes tre të rinjve ka rrezikuar jetën e njërit prej tyre. Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në afërsi të një pubi në rrugën “Xhorxh Bush” në Tiranë, ku dy të rinj kanë goditur me levë një 18-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Burimet zyrtare nga policia thanë se Aleks Lala dhe Redi Frashëri të moshës 22-vjeç plagosën rëndë 18-vjeçarin Dori Jano. Efektivat e komisariatit të policisë nr.1, të sinjalizuar për plagosjen mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të identifikuar dhe kapur autorët. Për ngjarjen është lajmëruar edhe seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit pranë policisë së kryeqytetit, të cilët nisën menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plagosjes. Burime nga policia thanë se pas disa orësh u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i dy autorëve të dyshuar të ngjarjes. Lala dhe Frashëri u kapën pasi akuzohen për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, sipas policisë ngjarja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta midis dy 22-vjeçarëve dhe 18-vjeçarit. Ky i fundit u godit me levë nga dy të rinjtë, duke marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Ai u transportua menjëherë në spital nga ku mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia deklaroi se pritet përmirësimi i tij për t’u marrë në pyetje, ndërsa për ngjarjen janë pyetur dy të ndaluarit si dhe dëshmitarë të rastit, të cilët deklaruan se gjithçka ndodhi pas një grindjeje të çastit pranë pub-it ku të rinjtë kishin qëndruar për pak orë.