E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet kalendari tre javor, spërfshihen dekretet

 

Ato mund të futen për votim në momentin që Komisioni i Ligjeve harton raportin

TIRANË- Kalendari tre javor i punimeve të Kuvendit të Shqipërisë është bërë objekt i një debati të gjatë midis pozitës dhe opozitës gjatë seancës së djeshme plenare. Opozita ka kundërshtuar fort përfshirjen në këtë kalendar, por edhe në rendin e ditës, të seancës së djeshme të disa projektligjeve dhe mospërfshirjen e disa të tjerëve. Kështu, kryetarja e grupit kuvendor socialist ka kundërshtuar fillimisht përfshirjen në seancën e djeshme të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) për projektin e rrugëve dytësore dhe vendore”. Sipas saj, futja për miratim e kësaj marrëveshjeje përbën shkelje të Rregullores së Kuvendit, duke pretenduar se ajo ishte paraqitur në Kuvend dje, kishte kaluar në të gjitha komisionet parlamentare po dje dhe kërkohej të miratohej në seancë po dje. Kundërshtimi i socialistëve ka bërë që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli të tërhiqet nga vendimi për ta miratuar dje dhe e ka shtyrë atë për seancën e së enjtes. Ndërkohë që një pikë tjetër që ka sjellë debat, ka qenë dhe përfshirja në punimet e seancës së të hënës së ardhshme e diskutimit dhe miratimit në parim të buxhetit suplementar. Të majtët kanë kërkuar më shumë kohë për studimin e këtij projektbuxheti, gjë që është kundërshtuar nga mazhoranca dhe veçanërisht nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Ndërkohë që me kërkesën e nënkryetarit të grupit socialist, Erion Braçe, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka pranuar që të fusë në kalendarin tre javor të punimeve edhe projektligjin për trajtim të veçantë të punonjësve të nëntokës. Një çështje tjetër që ka provokuar debat ka qenë dhe kërkesa e LSI-së për ngritjen e komisionit hetimor për tragjedinë e Gërdecit, çka me propozim të nënkryetarit të Kuvendit, Fatos Beja, është lënë të shqyrtohet në sesionin e ri parlamentar në Shtator. Ndërkohë që në kalendarin e punimeve, deri në 31 korrik, nuk është parashikuar diskutimi dhe miratimi i gjashtë dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por, Rregullorja e Kuvendit parashikon që përsa i përket rasteve të dekreteve të Presidentit, ato mund të futen për votim që në momentin e parë që Komisioni i Ligjeve do të paraqesë raportin përkatës, pavarësisht nëse janë të programuara më parë për t’u shqyrtuar ose jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›