Publikimi i spiunëve, PD draft për gjyq ndaj medias
Nëse personit të akuzuar si “spiun” nuk i botohet përgënjeshtrimi, atëherë ai e ndjek çështjen në gjykatë
TIRANË- Rikthehen sërish paditë për gazetarët dhe medien në përgjithësi. Premtimi i Partisë Demokratike për të mos çuar gazetarët në gjykatë, nuk do të respektohet
në rastet kur bëhet fjalë për shkrimet apo kronikat televizive që kanë si objekt trajtimi “spiunët” e ish-Sigurimit të Shtetit. Kështu, demokratët me anë të deputetit Fatos Hoxha kanë depozituar në Kuvend disa amendamente shtesë për projektligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, ose siç njihet ndryshe projektligji për spiunët, me anë të të cilit parashikojnë që të marrin masa shtrënguese, deri në paralajmërim për përballje me organet e drejtësisë, ndaj medias, për rastet kur bëhet fjalë për publikimin e individëve të dyshuar si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Projektligji
Bëhet fjalë për materialin shkresor të futur për diskutim në kalendarin e punimeve të Komisionit të Ligjeve dhe i firmosur nga deputeti demokrat Hoxha, i cili kërkon të përcaktojë me ligj, detyrimin ndaj të gjitha gazetave dhe televizioneve që të bëjnë përgënjeshtrimin për çdo informacion të pavërtetë, pavarësisht se ai mund të jetë dhënë ose shprehur edhe nga persona të tretë nëpërmjet intervistave apo prononcimeve të ndryshme në media. Kështu, sipas ndryshimit që propozohet t’i bëhet nenit 19 të projektligjit bazë të propozuar para dy vjetësh nga PD, parashikohet që “çdo organ i medias që përflet apo hamendëson drejtpërdrejtë apo nëpërmjet publikimit të artikujve të të tretëve akuza për papajtueshmëri, sipas këtij ligji, është i detyruar me kërkesë me shkrim të të akuzuarit, të përgënjeshtrojë akuzat, pa pagesë, brenda dhjetë ditëve kalendarike, në edicionin qendror të lajmeve apo në faqen e parë të medias së shkruar. Gjithashtu demokratët kërkojnë të përcaktojnë në ligj edhe detyrimin që përgënjeshtrimi të shoqërohet me leximin ose botimin e tekstit të plotë të Vendimit të Komisionit të Verifikimit të Figurës që do të ngrihet për të bërë kontrollet e dosjeve të zyrtarëve të lartë.
Gjyqet
Por natyrisht më drastikja parashikohet në paragrafin e fundit të këtij neni, ku përcaktohet se në rast se organi mediatik nuk respekton detyrimin për të bërë përgënjeshtrimin, atëherë personit të prekur nga publikimi i të dhënave i jepet e drejta ligjore që të padisë pronarin dhe kryeredaktorin e medias në fjalë në prokurori për shpifje. Konkretisht amendamenti i nenit 19, të projektligjit të PD-së, në paragrafin e fundit të tij përcakton se, “kur një media nuk përmbush detyrimin sipas këtij ligji, subjekti i cenuar ka të drejtë të kërkoj gjyqësisht dëmshpërblim pronarit të medias dhe kryeredaktorit, në përputhje me nenin 625 të Kodit Civil”. Megjithatë, pavarësisht vullnetit të demokratëve nuk dihet ende nëse një propozim i tillë do të miratohet gjatë diskutimit të projektligjeve të depozituara në komisionet dhe seancë plenare.
Neni 19/1
Detyrimi për publikim dhe përgënjeshtrim
Çdo organ i medias që përflet apo hamendëson drejtpërdrejtë apo nëpërmjet publikimit të artikujve të të tretëve akuza për papajtueshmëri sipas këtij ligji, është i detyruar, me kërkesë me shkrim të të akuzuarit, të përgënjeshtrojë akuzat, pa pagesë, brenda 10 ditëve kalendarike, në edicionin qendror të lajmeve apo në faqen e parë medias respektive. Përgënjeshtrimi shoqërohet me leximin ose botimin e tekstit të plotë të Vendimit të Komisionit të Verifikimit të Figurës. Ky detyrim i shtrin efektet edhe për media, forume apo faqe zyrtare elektronike. Kur organi i përcaktuar në paragrafin e parë nuk përmbush detyrimin sipas këtij ligji, subjekti i cenuar ka të drejtë të kërkojë gjyqësisht dëmshpërblimin pronarit të medias dhe kryeredaktorit, në përputhje me nenin 625 të Kodit Civil.