E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, Gjykata Kushtetuese mbetet pa rroga

Reagojnë Financat: Kemi alokuar buxhetin, mund të ketë probleme teknike

Nuk resht përplasja mes mazhorancës dhe institucioneve të pavarura. Një nga viktimat e radhës e kësaj lufte ka qenë organi më i anatemuar nga ekzekutivi, i cili ka rrëzuar një numër të madh ligjesh të miratuara në Kuvend. Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e së cilës dhe administrata e saj nuk ka marrë rrogën e tyre prej më shumë se një jave. Burime nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur për “Shqip” se ndryshe nga shumë institucione të tjera, nuk kanë dhënë pagat mujore që u takojnë. Gjithçka ka ndodhur pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e një pjese të ligjit për heqjen e makinave të zyrtarëve shtetërorë, përkatësisht pjesën që bënte fjalë për gjyqtarët. Dy ditë më parë, Kushtetuesja zbardhi vendimin e saj për këtë çështje ku Kushtetuesja pohon se ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve Shqiptarë, për të shfuqizuar si antikushtetues pjesën e ligjit "Për Rregullimin e Shërbimit të Transportit për Funksionarët Publikë dhe Nëpunësit Civilë", për sa përfshin në fushën e zbatimit të tij: gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët e gjykatave të faktit dhe apeleve. Ndërkaq, qeveria hedh poshtë çdo aludim se janë ndaluar fondet e pagave si për Gjykatën Kushtetuese, ashtu edhe për institucione të tjera. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Elvi Fundo, tha dje për “Shqip” se “Ministria e Financave ka alokuar të gjitha fondet përkatëse të buxhetit për institucionet dhe nuk ka asnjë pengesë nga ana jonë. Nëse ka probleme, ato mund të jenë probleme teknike të organeve me ndërmjetësit financiarë, por e përsëris Ministria e Financave ka lëvruar të gjitha fondet jo vetëm të pagave, por edhe të tjerat që janë të përfshira në buxhet. Sipas shifrave të miratuara në buxhetin e vitit 2010, Gjykata Kushtetuese ka përfituar gjithsej 1 miliard lekë, ndërkohë që një vit më parë, pra më 2009-n ishin alokuar vetëm 900 milionë. Sipas zërave buxhetorë, Kushtetuesja ka pasur një numër më të vogël punonjësish se viti i kaluar, përkatësisht këtë vit 45 punonjës, ndërsa më 2009-n kishte 52 vetë. Në këtë buxhet përfshihen pagat e nëntë anëtarëve e Gjykatës Kushtetuese, por edhe të administratës, si dhe shpenzimet operative dhe ato korrente. Në ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, përkatësisht në nenin 6 të saj theksohet se “Gjykata Kushtetuese administron buxhetin e saj, i cili si pjesë e buxhetit të shtetit, hartohet prej saj dhe i paraqitet për miratim Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në mjetet financiare përfshihet edhe çdo e ardhur tjetër që nuk është e ndaluar me ligj. Llogaritë financiare të Gjykatës Kushtetuese kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Buxhetorët

Sistemi i ri i funksionimit të Thesarit të Shtetit ka krijuar probleme dhe vonesa në pagesat e administratës në disa qytete të vendit. Sipas filialeve të bankave, anomalitë janë krijuar pas vonesave në kalimin e pagave në sistem, ndërkohë që kanë qetësuar se brenda pak ditësh buxhetorët do të kenë mundësi të tërheqin lekët nëpër bankomate. Konkretisht në Berat, Fier dhe Sarandë, punonjës të prefekturave, apo ndërmarrjeve të tjera shtetërore nuk kanë mundur ta tërheqin pagën e muajit të kaluar. Ndërkohë, rreth një mijë punonjës në fushën e arsimit kanë tentuar të tërheqin pagat nga bankomatet e bankës, por nuk kanë mundur, pasi nuk janë bërë veprime në numrat e llogarive rrjedhëse.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›