E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandi: Domenika me dy fytyra, po përdor Seldin

Gjatë një bisede me Klodin, Mandi thotë se Domenika po sillet keq ndaj Seldit. Sipas tij, Seldi është prekur shumë nga fakti që Domi është afruar me Mirin ditët e fundit. Mandi e quan Domin si një njeri që shkel mbi parimet e veta dhe me dy fytyra. Ai shton se Domenika po e përdor Seldin

Aktivë në biseda, por edhe në provën e javës, kështu ka kaluar koha mes banorëve të shtëpisë së “Big Brother”. Ata kanë folur për njëri-tjetrin, kanë hapur biseda me tema të ndryshme, si dhe ndonjëri ka shprehur edhe preferencat e tij në lidhje me banorin që dëshiron të dalë nga shtëpia.

Miri, Tati dhe Manal flasin për dashurinë

Duke biseduar Jetmiri e pyet Tatianën nëse i ka ndodhur ndonjëherë që të dojë dikë dhe të mos ketë mundësinë t’ia shprehë. Ajo i përgjigjet se i ka ndodhur dhe është ndier shumë keq, pasi kur nuk e ndan me të tjerët, është mirë. Pranë tyre afrohet edhe Manali. Jetmiri vazhdon bisedën, duke thënë se dhe atij i ka ndodhur që nuk e ka shprehur dashurinë, pasi ka pasur shumë rrethana kundër. Tatiana tregon se edhe ajo nuk është shprehur për të njëjtat arsye. Pas kësaj Jetmiri pyet vajzat se sa fëmijë dëshirojnë të kenë dhe ato i përgjigjen. Ai kërkon të dijë nga Manal për ish të dashurin e saj. Ajo thotë se ka ndenjur me të për dy vjet dhe mendonte se e donte, pasi ndihej rehat me të, ndërsa tani ka arritur në përfundimin që nuk e ka dashur, por vetëm ishte mësuar të rrinte me të. Manal vazhdon të tregojë se një ndër arsyet që janë ndarë ishte se ai ishte tepër xheloz dhe pse ajo i bindej për gjithçka dhe ia plotësonte tekat. Pas pyetjeve të Jetmirit, ajo shprehet se prindërit e kanë ditur për këtë lidhje dhe nuk kanë reaguar keq kur janë ndarë, pasi e kanë kuptuar që ata nuk shkonin mirë. Më tej Tatiana shprehet se ajo dëshiron që bashkëshortin ta ketë shqiptar, jo italian, sepse do që vendimet t’i marrin bashkë dhe jo vetëm ajo. Jetmiri pyet Manal nëse do të martohej me një djalë të krishterë dhe ajo përgjigjet se nuk do ta bënte kurrë. Jetmiri këmbëngul, duke i thënë dhe nëse do ta donte, nuk do të pranonte të shkonte më tej dhe ajo përgjigjet se vetëm nga fakti që do të ishte në dijeni të besimit të tij fetar, nuk do të mund ta dashuronte, pasi për më tepër nuk ia lejon feja. Jetmiri dhe po ashtu Kika, i cili sapo ka ardhur, shprehen se mendojnë se në këto vite këto mentalitete duhet të jenë thyer. Manal thotë se ajo dëshiron që fëmijët e saj të rriten me frymën e myslimanizmit, ashtu siç është rritur dhe ajo dhe nuk pranon ndryshe.

Miri i bën lojë Domit

Pas lojërave me Seldin, Domenika shkon të bëjë dush. Jetmiri i vihet pas, pa u vënë re nga ajo dhe i mbyll derën e banjës. Domenika tenton disa herë ta hapë me forcë derën, por e ka të pamundur. Miri i kërkon Kikës që të vazhdojë të mbajë Domin mbyllur. Domenika i thotë se nëse Miri nuk do ta hapë derën ajo nuk e ka problem, sepse ndërkohë po than flokët. Kështu vajza shkon të ndezë tharësen dhe me ngadalë afrohet përsëri te dera. Tashmë nga jashtë është Kika që mban derën të tërhequr dhe pasi dëgjon zhurmën e tharëses afron veshin të dëgjojë dhe me ngadalë fillon të hapë derën për të parë se ç’po bën Domenika. Vajza me të vënë re që dera po hapet, e tërheq me forcë dhe kështu loja që i bënë asaj përfundon.

Prova e javës

Për banorët e BB-së fillon faza e parë e provës së javës. Këtë herë ajo ka të bëjë me peshkimin. Duke qenë se peshkimi është një terapi efikase për të larguar stresin, “Vëllai i Madh” ka menduar që këtë javë banorët të kenë pikërisht këtë provë. Ata duhet që të peshkojnë 20 peshqit që ndodhen në pishinë. Secili prej tyre duhet që të kapë me rrjetë dy peshq dhe pasi ta ketë bërë këtë duhet t’i lërë menjëherë rrjetat. Peshqit që do të kapen do të vendosen në akuariumet që ndodhen në anë të pishinës. Kështu, sapo Seldi mbaron së lexuari tekstin që përmban zarfi i provës, bie gongu dhe prova fillon. Banorët fillojnë të kapin peshqit duke nxituar nga frika se mos bjerë përsëri gongu dhe përfundon koha e realizimit të provës. Pas disa minutash banorët i kapin të gjithë peshqit.

Tatiana tregon njohuritë mbi Shqipërinë

Pas përfundimit të provës, Jetmiri fillon të këndojë këngë labe, me të bashkohen edhe Tatiana me Manalin. Tatiana tregon se njeh, dëgjon dhe këndon shumë këngë popullore shqiptare. I nxitur nga kjo shprehje Jetmiri fillon ta pyesë mbi Shqipërinë për të mësuar se deri ku shkojnë njohuritë e saj mbi vendin tonë. Ai e pyet fillimisht se sa është sipërfaqja e Shqipërisë dhe Tatiana i përgjigjet afërsisht 28 mijë km/2. Me saktësi ajo u përgjigjet edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me detet që lagin Shqipërinë dhe disa nga qytetet kryesore shqiptare. Pas përgjigjeve të saj Jetmiri i kërkon vajzës që vjen nga Italia, të këndojë himnin e flamurit shqiptar. Tatiana fillon ta këndojë dhe pasi ajo mbaron Jetmiri i thotë se tashmë ajo është 100% shqiptare.

Mandi bën ndarje mes Tiranës dhe rretheve

Gjatë diskutimeve të ndryshme që janë bërë në shtëpi Mandi ka përmendur disa herë Vlorën dhe Tiranën. Jetmiri dhe Domenika pretendojnë që këtë ai e ka bërë me tendencë, për t’u thënë se ata që vijnë nga Tirana qëndrojnë një shkallë më lart se ata që vijnë nga rrethet. Mandi gjithmonë ka bërë dallim mes Tiranës dhe rretheve të tjera. Jetmirit dhe Domit nuk u ka pëlqyer aspak kjo lloj ndarjeje dhe bisedojnë mbi këtë. Jetmiri i thotë Domenikës se Mandi kërkon që të prekë krenarinë e tyre dhe patriotizmin që kanë vlonjatët. Të dy janë të acaruar, sidomos nga një shprehje e Mandit ku ai thotë: “Ju vlonjatët dini të peshkoni vetëm me dinamit”. Gjatë provës së peshkimit, banorëve u kishte ngelur vetëm një peshk pa kapur. Jetmiri po mundohej ta kapte, por peshku ishte shumë i shpejtë, edhe Seldi përdor të njëjtën shprehje si të Mandit, duke thënë: “Ky peshku është i shpejtë se është mësu me tritolin andej nga Vlora”. Kjo shprehje ka hasur në reagimin e menjëhershëm dhe të ashpër të Domenikës, e cila i thotë e irrituar se nuk është e vërtetë që në Vlorë peshkohet me dinamit dhe tritol. Miri dhe Domi komentojnë shprehjet e disa banorëve, kryesisht Mandit, që përmend gjatë gjithë kohës se vjen nga Tirana dhe Tirana për ta është Shqipëria.

Kika, Oltës: Trupi, është pika jote e fortë

Kika dhe Olta ulen jashtë në oborr dhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Kika i thotë Oltës se ai ka parë tek ajo si pikë më të fortë linjat e bukura trupore. Oltës nuk i vjen mirë nga përcaktimi i Kikës dhe i thotë se ajo vërtet është në formë, por nuk është kjo pika e saj më e fortë. Kika i thotë se ai vetëm këtë gjë ka arritur të kuptojë dhe kështu ka menduar, madje vazhdon ta mendojë. Olta ia kthen se ai mund të mendojë si të dojë, por në këtë rast nuk është e vërtetë dhe këtë do ta vërtetojë me kalimin e kohës. Kika shprehet se deri tani veç këtë ka parë tek Olta dhe i kërkon që ajo t’ia tregojë së shpejti ato pika të forta që thotë se ka më tepër.

Mandi: Domi po përdor Seldin

Klodi dhe Mandi po bisedojnë për Domenikën dhe Seldin. Sipas tyre, marrëdhënia mes çiftit së fundmi është përfshirë edhe nga zënka dhe qejfmbetje. Mandi thotë se në marrëdhënien në çift, Domenika është ajo që sillet keq ndaj Seldit. Klodi e kundërshton duke i thënë se Seldi bën mirë që ta vlerësojë vajzën para se të jetë shumë vonë. Sipas Mandit, Seldi është prekur shumë nga fakti që Domi është afruar me Mirin ditët e fundit. Ai e quan Domin si një njeri që shkel mbi parimet e veta dhe një njeri me dy fytyra. Klodi e kundërshton. Sipas tij, Mandi gabon, sepse Domi është shumë tolerante. Mandi thotë se ai gjatë tre javëve qëndrimi në shtëpi nuk e kishte parë Domin të rrinte me Mirin, madje ka ajo thënë shumë fjalë për Mirin duke e sharë, ndërsa këtë javë rrinë gjatë gjithë kohës bashkë. Klodi e kundërshton, duke i thënë se fakti që nuk shkon me një banor për një kohë, nuk do të thotë se në të ardhmen ata nuk do të rrinë me njëri-tjetrin. Mandi shprehet se Domenika po e përdor Seldin.

Seldi dhe Mandi bisedojnë për Domin

Pas diskutimit me Klodin, Mandi shkon pranë Seldit dhe bisedon me të për Domin. Ai i thotë që Seldi të mbajë qëndrim dhe të mos e lejojë Domenikën ta trajtojë në mënyrë të padrejtë. Mandi fillon t’i tregojë Seldit për disa reagime të Domit ndaj tij në disa debate e diskutime. Ai thotë se i kishte ardhur keq që Domi i kishte thënë Mandit që të mos i ndërpriste fjalën Jetmirit gjatë disa diskutimeve që ata bënë të gjithë bashkë, kur një ditë më parë ishte shprehur kundër Mirit. Seldi pyet Mandin se çfarë ka kuptuar ai nga Domi dhe nga banorët e tjerë. Mandi i thotë se nga Domi ka ngelur pak i zhgënjyer, ndërsa për të tjerët mendimi është po ai që ka pasur që në fillim. Ai thotë se te Domi nuk pëlqen mënyrën e reagimit të saj si ndaj Seldit, ashtu edhe ndaj tij. Ai thotë se te Domi ka vënë re që ajo i akumulon gjërat dhe në një moment shpërthen. Këtë gjë e ka vënë re për çështjen e Vlorës, ku ai kishte thënë me shaka se “ju nga Vlora kështu e keni” dhe Domi i kishte thënë që të mos ia përmendte më Vlorën. Mandi thotë se këtë nuk e kishte me të keq, por ishte thjesht një batutë e rastit.

Erioni: Nuk dua të dalë Olta

Gjatë lojës që bënë Erioni i përgjigjet një pyetje, se këtë javë, nga të katërt të nominuarit, ai do të donte që të dilte Manal. Pas përfundimit të lojës, Manal, Klodi, Erioni dhe Tatiana shkojnë në kuzhinë dhe bisedojnë. Ata pyesin Erionin se përse pikërisht ai zgjodhi Manal dhe jo një nga banorët e tjerë. Erioni thotë se ai është më i afruar me Jetmirin, Kikën dhe Oltën sesa me Manal, sepse ajo ka hyrë shumë më vonë se ata. Ai thotë se do t’i vinte më tepër keq nëse do të largohej si Kika apo Jetmiri, pasi me të dy ka raporte të ngushta miqësore dhe do ta ndiente mungesën e tyre, por do t’i vinte shumë keq edhe nëse do të dilte Olta. Erioni thotë se nuk dëshiron që Olta të dalë gjatë kësaj jave, sepse ai do të ngelej pa një shoqe në shtëpi, pasi edhe Bertina edhe Ada kanë dalë tashmë nga BB. Pasi Tatiana dhe Klodi e ngacmojnë Erionin për Oltën ai thotë se e ka mike shumë të mirë dhe se për këto javët e mbetura mes tyre situata nuk ka për të ndryshuar. Ai thotë se mund t’i sigurojë që me Oltën nuk do të ndodhë gjë, por lë një hapësirë, duke shtuar “kurrë mos thuaj kurrë”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›