Hakmarrja e ftohtë e Ramës ndaj policisë së shtetit
Në momentin kur duket se krimi po ngre krye, Edi Rama sulmon Policinë e Shtetit për të kalëruar “zemërimin” ndaj uniformave blu. Kreu i PS-së lëshoi akuza të forta në drejtim të krerëve të policisë së shtetit ditën e djeshme duke i quajtur si “persona të veshur me imunitet kryeministror, që kontrollojnë me radio policie rrugët e kontrabandës”. Mirëpo kjo është një papërgjegjshmëri totale nga ana e opozitës sepse të dalësh kundër policisë së shtetit do të thotë të jesh kundër institucioneve dhe të hapës një shteg justifikimit të krimeve. Po e konceptuam policinë si përgjegjëse për rritjen e shkallës së kriminaliteti është sikur të thuash sëmuremi më shumë sepse mungon mjeku.
Mirëpo për pak kapital publik, kreu i opozitës është i gatshëm të nxijë edhe të bardhën për motive të dobëta politike. Sidozot Rama po kryen një hakmarrje me telekomandë sepse ishin forcat e rendit që ndaluan “pushtimin” e kryeministrisë me 21 janar 2011. Ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar, kur u sulmuan në mënyrë të dhunshme institucionet e shtetit jo vetëm treguan performancën profesionale të policisë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të institucioneve, në mbrojtje të dinjitetit të shtetit, por edhe të realizimit të detyrës përmes një niveli të lartë profesional. Sipas raportit të ICITAP, policia e shtetit pati një plan operacional të mirëmenduar për tu ballafaquar me demonstratën”. Dhe “policia ishte e pambrojtur gjatë demonstratës dhe disiplina e kurajoja që demonstruan duhet lëvduar. Ata qëndruan të palëvizur gjatë goditjet me mjete të forta si gurë, shkopinj e bomba molotov. Ata qëndruan përballë këtyre sulmeve duke ju bindur urdhrave, nuk thyen radhët dhe nuk u hakmorën kur u provokuan fizikisht”. Po ashtu mbështetja ndërkombëtare ndaj Policisë së shtetit ka qenë e pakursyer. Sigurisht në mesin e këtyre ngjarjeve të rënda për një vend, kreu i opozitës ende sot nuk ka shpenzuar një fjalë për forca e sigurisë së institucioneve kushtetuese. Ai e sulmon policinë pasi ajo bën detyrën kushtetuese, dhe kur ndalon e shoqëron djemtë e deputetë dhe deputeteve socialistë/e të përlyer në kundravajtje penale, e plagosje e tentativë vrasje.
Kuptohet vetiu opozita shqiptare ka probleme të dukshme me shtetin ligjor, pasi janë jo të pakta rastet kur ajo ka organizuar bllokime të akseve kryesore të vendit, të okupimit një mujor të bulevardit që çakordoi sistemin e trafikut në Tiranë, organizimi dhe stimulimi i demonstratave të dhunshme, etj. Sigurisht problemet e opozitës socialiste janë më të dukshëm kur shikojmë rezultatet e prekshme që kanë pasur Ministrat e brendshëm të qeverive Berisha, 1,2. Në dy vitet e para të ardhjes në pushtet të së djathtës (2005-2007), Policia e Shtetit 172 operacione të koduara të organizuara dhe rreth 2500 persona të dyshuar, që janë arrestuar si pjesë e organizatave kriminale të trafiqeve të ndryshme, vrasjeve, grabitjeve e gjobëvënieve. Përveç operacioneve në fushën kundër trafikut të narkotikëve brenda dhe jashtë vendit, një vend të veçantë zënë aksionet kundër trafiqeve të tjera, krimit ekonomik e pastrimit të parave, krimeve terroriste e antikushtetuese dhe pjesa e fundit e dosjes është lufta kundër krimit të organizuar e zhvilluar në operacione të përbashkëta me ndërkombëtarët. Përmenden arrestimet e anëtarëve të “Bandës së Lushnjes” të drejtuar nga Aldo Bare e Enver Dondollaku, kapja e Lulzim Berishës, i cilësuar si koka e “Bandës së Durrësit”, si dhe persona të tjerë, të cilët drejtonin organizata në qytete të ndryshme.
Gjithashtu rritja e zbulueshmërisë së krimit të rëndë, siç është krimi i vrasjes statistikat tregojnë për një zbulueshmëri 85% të kësaj figure të rëndë të krimit, është motiv besimi në strukturat e policisë së shtetit. Sigurisht pa siguri për qytetarët shqiptarë, pa rend publik për shoqërinë dhe shtetin bëhet e pamundur ekzistenca e të drejtave themelore të njeriut, mbrojtja dhe realizimi i këtyre të drejtave, funksionimi në tërësi i shoqërisë, jeta normale e individit dhe një shoqërie të caktuar.
...