Libra falas për shqiptarët e Luginës së Preshevës, shtëpitë botuese i përgjigjen apelit të Ministrisë së Jashtme

Nisma e Ministrisë së Punëve të Jashtme merr miratimin e shtëpive botuese si 55-a, Dituria, Onufri, Ombra GVG, Albas, Media Print, Pegi, Papirus, dhe Algeta
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto priti sot në një takim përfaqësuesit e disa shtëpive botuese shqiptare, të cilët dhuruan një sasi librash shkollorë dhe letrarë për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës. Ky kontribut erdhi pak ditë pasi liderët lokalë shqiptarë të Luginës së Preshevës bënë një kërkesë të tillë gjatë vizitës së tyre në Tiranë. Z. Haxhinasto, pasi falenderoi botuesit për këtë dhuratë, vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë bashkëpunim në kuadër të dimensionit të diplomacisë publike dhe përcimit të kulturës dhe traditës shqiptare, sidomos në trevat ku jetojnë shqiptarët, i cili merr një rëndësi të veçantë këtë vit jubilar të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Ministri Haxhinasto u ndal në disa objektiva konkrete, duke vlerësuar se ekzistojnë tërësisht mundësitë që të unifikohen disa nga librat dhe tekstet të cilat kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare. Këto objektiva do të realizohen nëpërmjet marrëveshjeve përkatëse me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve homologe të kulturës dhe arsimit në gjithë vendet e rajonit. Ky takim, zhvillohet në kuadrin e aktiviteteve të diplomacisë publike, që synojnë të krijojnë një sinergji bashkëpunimi mes Ministrisë së Jashtme dhe partnerëve privatë si: OJF, biznes, media etj. Kjo ishte hera e parë që botuesit shqiptarë u ftuan në MPJ për të dhënë mendimet e tyre, por edhe për të pasqyruar problematikat që ata kanë në shpërndarjen e librave përtej trojeve tona, në gjithë zonat ku jetojnë shqiptarët. Përfaqësuesit e shtëpive botuese Dituria, Onufri, Ombra GVG, Albas, Media Print, Pegi, Papirus, 55, Algeta etj ofruan një kontigjent prej dhjetra titujsh, si: libra shkollorë, abetare, gjuha shqipe etj; libra artistike të shkrimarëve të njohur si Kadare etj; libra historikë si dhe numër të konsiderueshëm librash për fëmijë, të cilat do të dërgohen në Luginën e Preshevës.
...