Hakmarrja e pyllit të djegur është e papërballueshme
Nga Prof. Lush SUSAJ
Përmirësimi i standardeve të mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sistemeve ekologjike është dhe do të mbetet një nga objektivat kryesore të veprimtarisë njerëzore. Shoqëria jonë, ka shumë vite e dekada që po përballet me degradimin e vazhdueshëm të treguesve të cilësisë së ajrit, ujit të pijshëm, tokës bujqësore, biodiversitetit dhe mjedisit urban. Shkaku i degradimit dhe përkeqësimit të vazhdueshëm duhet kërkuar jo vetëm tek aktiviteti industrial dhe urban, por, mbi të gjitha, tek ulja e vazhdueshme e sipërfaqes së gjelbër.
Dihet se shkatërrimi i bimësisë, pyjeve, biodiversitetit, etj, janë probleme globale. Nga ana tjetër, duhet theksuar fakti se Shqipëria ka firmosur të gjitha konventat ndërkombëtare mbi energjinë, resurset gjenetike dhe mjedisin, është shtet anëtar i NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ku dhe e ka vendin, megjithatë, për fatin tonë të keq, zbatimi i ligjeve të miratuara për mbrojtjen e pyjeve, ujrave, ajrit, tokës, biodiversitetit, etj, pothuajse është lënë krejt pas dore.
Në këta 20 vjet, kemi përjetuar dhe parë se si zbatimi i ligjeve është zëvendësuar me dosje të kopsitura me kujdes që kanë shërbyer për të justifikuar dhe fshehur shpërdorimin e fondeve të dhëna nga donacionet dhe projektet kombëtare dhe ndërkombëtare për problemin në fjalë.
Zbatimi i ligjeve tona ka vite që është kamufluar nga propaganda shterpë, është zëvendësuar nga konferencat dhe simpoziumet e mbushura me mediokritet, skema dhe fotografi në Power Point që paraqiten dhe shijohen nga disa “Doktor Gjilpëra” dhe “zulu”, siç do ti quante Faik Konica, që janë bërë frekuentuesit më tipikë të korridoreve dhe kafeneve të ministrive, zyrave të projekteve, granteve, etj. Këta janë ato kokat që mësojnë dhe dinë përmendësh ditëlindjet dhe shijet e ministrave, si askund tjetër në botë, mësojnë dhe dinë për secilin drejtor e ministër deri edhe numrin e këpucës dhe të kostumit. Këta “Doktor Gjilpëra” dhe “zulu”, janë ata që kemi rastin ti shohim përditë kur bëjnë rreshtoren dhe shëtitjet e zakonshme nga Hotel Sheratoni tek Rogneri, u bie ndonjëherë rruga deri tek Ministria e Mjedisit dhe më pas e ndalin projektorin dhe shpenzimet e fondeve diku, në muret e sallave të konferencave, madje këtë ritual nuk e harrojnë edhe këto ditë, kur pothuajse i gjithë territori i pyjeve të Shqipërisë ndodhet nën pushtetin mizor të flakëve.
Unë i njoh shumë mirë rregullat zakonore që kanë administruar, mbajtur, trashëguar dhe ruajtur pyjet e Shqipërisë që nga Antikiteti e deri në ditët e sotme të “Doktor Gjilpërave” që edhe për zjarret dhe prerjet barbare të këtyre 100 viteve tentojnë të fajësojnë natyrën dhe popullsinë e pafajshme. Unë i njoh edhe ligjet e mrekullueshme që janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë e që, për fatin tonë të keq, kurrë nuk u zbatuan. Si studiues dhe njohës i mirë i biodiversitetit dhe klimës, kam patur rastin që në këta 30 vjetët e fundit, të punoj dhe të jetoj pothuajse në të gjitha krahinat, Shqipërisë. Unë jam formësuar dhe dashuruar me natyrën dhe jetën e vendit tim duke studiuar, punuar, fjetur e jetuar në çadër, që nga fusha e kreshtat e Çajupit, Zagoria, Mali i Thatë mbi Delvinë, Dhëmbeli, Tomorri, Shpiragu, Vokopola, Voskopja, Sotiri, Dardha, Gramozi, Gjinari, Dajti, Klenja, Lura, Mbasdeja, Korabi, Deshati, Jabllanica, Dragashi, Gjallica, Kunora, Shkëlzeni e deri në Malin e Hekurave dhe në Jezercë. Nëse kurora e pyjeve të krahinave të Mbidrinit është ruajtur falë forcës së zakonit, pjesa tjetër e sipërfaqes pyjore, përfshirë edhe parkun jetik të Dajtit, është djegur, dëmtuar dhe degraduar si askund tjetër në rajon dhe botë. Ndoshta, lexuesit e këtij shkrimi do të thonë se zjarre ka patur edhe në vende të tjera në Evropë dhe në botë. Po, kjo është e vërtetë! Ndryshon mënyra e trajtimit dhe e menaxhimit të situatave të tilla, ndryshojnë kushtet klimatike e tokësore, ndryshojnë mundësitë e ripërtëritjes, etj.
Realisht, që nga viti 1994, e sidomos pas vitit 2000, Shqipëria, nuk ka patur pyje dhe parqe që të mund të krahasohen me pyjet e Bosnjës, Greqisë, Spanjës, Kalifornisë, Australisë, apo edhe ato të Pelisterit në Maqedoninë fqinjë.
Malet tona janë të pjerrëta e të thepisura dhe vendi ynë karakterizohet nga një deficit lagështire prej 300-400 mm shi në vit, madje në pjesën më të madhe të territorit, për periudhën maj-tetor, bien 80-250 mm reshje, që e bën akoma më të vështirë, pothuajse të pamundur ripyllëzimin dhe rikthimin e pyjeve të djegura në gjendjen e mëparshme.
Nisur nga ky këndvështrim, është mirë që të kuptojmë faktin e hidhur se nga flakët e zjarrit të stimuluara nga heshtja, abuzimi dhe marria administrative, së bashku me pyjet, po humbasim përjetësisht edhe ushqimin, qetësinë dhe mundësinë e jetës në këtë hapësirë të limituar që është banesa dhe Atdheu i vetëm i shqiptarëve.
Dua të nënvizoj faktin se në pyjet dhe zonat e mbuluara me bimësi, temperatura është gjithmonë 5-6oC më e ulët se në zonat e tjera, në pyjet dhe malet e Shqipërisë, temperatura e verës kurrë nuk është ngritur mbi 35oC, prandaj, me keqardhje e them që pyjet e Shqipërisë nuk janë shkatërruar e djegur nga shkaqe natyrore. Parë në këtë kontekst, mendoj se është koha që të analizojmë dhe të pranojmë shkaqet që na kanë sjellë në këtë situatë absurde. Pa një analizë serioze, nuk është e mundur që të ndalet kjo marri e vetëshkatërrimit dhe vetëdiskreditimit që po e kthen Shqipërinë në një shkretëtirë, në një Sahara.
Shqiptarëve u janë dashur mijëra vjet luftë dhe përpjekje për të patur shtetin, kushtetutën dhe administratën e tyre të pavarur. Kjo është dhe arsyeja që unë kurrë nuk kam patur dhe as që kam dëshirë të akuzoj apo të përgojoj me pa të drejtë shtetin dhe administratën e vendit tim. Megjithatë, nga analiza e ngjarjeve të njëpasnjëshme, rezulton se shkatërrimi i pyjeve, resurseve gjenetike dhe mjedisit urban këta 100 vjet ka ardhur nga mosfunksionimi i ligjit për shkak të nepotizmit, grykësisë, krahinizmit, injorancës dhe korrupsionit të administratës shtetërore.
Gjatë këtyre ditëve, shpesh herë më është kujtuar një bisedë që pata para pak javësh me një ish-mësuesin tim që aktualisht jeton në Portsmuth të Anglisë. Në atë bisedë, mësues Marku më tha: “Më vjen keq që akoma në shkollat e Shqipërisë nuk flitet sa duhet mbi edukatën mjedisore dhe edukatën seksuale, dy probleme në të vërtetë jetike”. Realisht, shteti e ka mundësinë që nën shembullin e vendeve të tjera të Evropës, ta kthejë shkollën në funksion të edukimit mjedisor e qytetar. Vetëm në këtë mënyrë, do të mund të kishim individë dhe një shoqëri më të edukuar dhe më të ndjeshme ndaj pyjeve, natyrës dhe mjedisit. Pavarësisht se të gjithë e duan pyllin dhe bimësinë, realisht as edhe një përqind e popullsisë nuk e dinë koston e lartë dhe kohën e gjatë që duhet për pyllëzimet e reja, madje shumë pak njerëz e dinë faktin se pas djegies dhe shkatërrimit të një pylli natyral, çfarëdo që të bëjmë, asnjëherë nuk do të mund të arrijmë atë formën, biodiversitetin, ekuilibrin natyror dhe perfeksionin e mëparshëm të krijuar nga Zoti (do të thonin besimtarët) apo nga natyra (do thoshin ateistët). Ndaj, mendoj se është koha që njerëzit të mësojnë sa më shumë mbi natyrën, bimësinë, procesin tokëformues, erozionin, përmbytjet, cilësinë e ajrit, ujit, etj.
Shteti dhe shoqëria jonë i ka të gjitha kapacitetet dhe arsyet e duhura për të ndërmarrë një betejë të tillë edukuese për qytetarët e këtij vendi. Përmes ekologjizimit të shkollës, mund të krijohet një shoqëri më e vetëdijshme për rolin dhe rëndësinë e pyjeve dhe bimëve në ekuilibrin e ekosistemeve, në shtimin e sasisë së oksigjenit, në pakësimit e pluhurit, në rritjen e freskisë gjatë muajve të nxehtë të vitit, mbrojtjen