Hakmarrja, ekzekutohet 25-vjeçari sapo del nga burgu, plagoset një tjetër
Lezhë- Një person është ekzekutur sot në Laç dhe një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati të ndodhur gjatë mbrëmjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 pranë shkollës së Sanxhakut, ndërsa viktima është 25-vjeçari Besart Ndreu, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit në spital. Në momentin e atentatit ai shoqërohej nga një shok i tij, i quajtur Klentin Bajraktari, 22 vjeç, i cili mbeti i plagosur.
Policia bën me dije se Ndreu sot ishte liruar nga burgu, pasi kishte përfunduar dënimin për plagosje, ndërsa dyshohet se ai ka qenë shënjestra e atentatit.
Ndërkohë pak minuta më pas u bë arrestimi i autorit, i cili është Albert Puci, 22 vjeç. Ai po merret në pyetje nga policia për të zbuluar arsyet e vrasjes, ndërsa dyshohet se krimi ka ndodhur për hakmarrje pasi viktima kohë më parë kishte plagosur me armë autorin.