Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë hap dyert dhe shpërfill Apoloninë (FOTO)
—-Nga Anisa Ymeri—-
Tiranë- Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka zgjedhur të hapë dyert, por vetëm për të bërë publike arritjet nga ekspeditat e vitit të shkuar e sfidat e 2013-ës. Thënë shkurt, këshilli ka bërë një rezyme, por nuk është ndalur aspak me problematikat e mëdha me të cilat përballet arkeologjia sot.
Vetëm tangent është ndalur Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita te rrëshqitjet masive të dheut në Apoloni, të cilat rrezikojnë kodrën ku gjendet teatri antik në brendi të parkut arkeologjik. Vjeshtën e shkuar, gjatë gërmimeve të ekspeditës gjermano-shqiptare, gati rrëshqiti e gjithë kodra dhe drejtuesi i këtij institucioni ka zgjedhur të thotë vetëm kaq: Ajo që ndodhi në Apoloni ishte e papritur. Një grup ekspertësh gjermanë kanë kryes sondazhe javën e shkuar në këtë zonë dhe shpejt do të dalin përfundimt se pse ndodhi-tha Përzhita. Por ama një gjë është e sigurtë, ajo që ndodhi në Apoloni nuk ishte aspak e papritur pasi të gjitha faktet të çojnë në ekzistencën e një studimi gjeologjik paprak i cili nuk është marrë parasysh nga specialistët e kësaj ekspedite. Andaj edhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Përkundër këtij pohimi, drejtori i Parkut Arkeologjik të Apolonisë, arkeologu Marin Haxhimihali ka qenë i prerë ndërsa ka pohuar e vijon të ngulmojë se ekspedita nuk e konsideroi studimin gjeologjik i cili deduktonte se në këtë zonë kishte burime të ujërave nëntokësore. Përgjigjia e drejtuesit të Institutit të Arkeologjisë për këtë çështje ishte kjo: Nuk jam në dijeni të këtij fakti.
Sa i takon sondazheve të kryera këto ditë nga dy ekspertë gjermanë dhe studiuesi shqiptar nga Instituti i Gjeoshkencave, Ylber Muceku, ende pa dalë zyrtarisht përfunimi, mësohet se palët janë të ndara. Ekspertët gjermanë sipas të gjitha gjasave do të thonë se specialistët e ekspeditës nuk mund ta shmangnin këtë rrëshqiptje masive dheu që rrezikon kodrën ku gjendet teatri antik. Ndërsa specialisti Muceku ka deklaruar se përveçse gjeologjike, rrëshqitjet ndodhën për shkak të gërmimeve të gabuara të ekspeditës e cila nuk mori parasysh ato që diktonte studimi andaj edhe rezultati qenë këto rrëshqitje masive të cilat nuk të rrezikojnë edhe gjithë kodrën, çka do të thotë fundosje e teatrit antik të Apolonisë.