Hakmarrje tjetër e KESH: Pritet energjia te A1 TV
Metodat primitive për ndëshkimin e medias janë përsëritur brenda një muaji në kompaninë mediatike "Spektër" sh.a. Ndërsa në muajin nëntor 2007-të për 20 ditë pallati, ku ndodhet edhe gazeta më e madhe në vend, "Shekulli", u la 20 ditë pa energji elektrike, prej dje KESHi ka prerë energjinë në ish-Kinostudio, ku ndodhet televizioni A1. Motivi është absurd, por edhe qesharak: televizioni nuk ka shlyer një faturë abuzive të muajit maj 2007- ë, ku ishte vënë një shifër astronomike konsumi aforfe, poshtë shifrës së leximit të muajit. Ashtu siç e tregon edhe dokumentacioni i plotë që zotëron kompania mediatike "Spektër" sh.a., konsumatori televizioni A1 ka qenë shumë korrekt me shlyerjen e detyrimeve ndaj Korporatës Elektroenergjitike, dhe sot figuron e papaguar vetëm fatura aforfe e vënë në mënyrë abuzive nga KESH-i dhe disa kamatëvonesa në shifër të papërfillshme. Këtë e tregojnë të gjitha veprimet bankare të bëra nga financa e tv a1 në adresë të financave të KESHit Tiranë. *** Televizioni A1 nuk ka pranuar të paguajë vetëm shumat e vëna në mënyrë të qëllimshme në kurriz të tij nga nëpunësit e KESH-it, që patjetër janë urdhëruar për këto veprime kriminale në dëm të një biznesi dhe një organi të medias vizive. Në tetor 2007-të televizioni A1 hedh në gjyq Filialin Elektrik të Tiranës, për të shpallur të pavlefshme faturimin afrofe të muajit maj. Sipas leximit të muajit maj 2007-të të kryer nga punonjësit e KESH-it më 31 maj, matësi tregoi vlerën 51.520 lekë pa TVSH. Por poshtë leximit të muajit ishte vënë edhe faturimi aforfe në vlerën 3.153.920 lekë. Ky faturim ishte jashtë kushteve ligjore dhe i kundërligjshëm. Ligji nr. 9072, datë 22.05.2003 "për sektorin e energjisë elektrike", neni 52 përcakton rastet e kryerjes së faturimit aforfe vetëm atëherë "kur klientët nuk janë të pajisur me aparat matës". Ndërsa siç rezulton nga faturimet e muajve paraardhës, KESH-i e ka shkelur këtë nen. Faturimi aforfe është jashtë kushteve dhe kritereve të përcaktuara në vendimin nr.49 dt.21.10.2004 "për miratimin e mënyrës së faturimit të energjisë elektrike, për abonentët familjarë dhe jofamiljarë me matësa jashtë kushteve teknike" të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ku përcaktohet se nëse matësi është i dëmtuar, faturimi bëhet sipas fuqisë së instaluar dhe koeficientit të shfrytëzimit ditor të kësaj fuqie, dhe se periudha e faturimit aforfe është jo më shumë se një muaj. Në realitet aparati matës i energjisë elektrike të televizionit është i rregullt dhe pa defekte, ndaj është i paaplikueshëm faturimi aforfe dhe se shuma e faturuar rreth 32 milionë lekë të vjetra është shumë herë më tepër se faturimi i një muaji. *** Po ndërsa KESH-i ishte i paditur në gjykatë nga televizioni, tagrambledhësit e Drejtorisë Zonale Tiranë, nr.1 të KESH-it erdhën dje dhe kryen ndërprerjen e energjisë për mjediset e televizionit A1, ku vlerës së faturës aforfe iu janë shtuar edhe kamatëvonesat e disa muajve të tjerë, duke e ngritur shumën e detyrimit në mbi 47 milionë lekë të vjetra. Punonjësit e urdhëruar për të ekzekutuar aktin primitiv nuk kanë marrë parasysh asnjë argument të dhënë nga drejtuesit të kompanisë, siç janë procesi gjyqësor në vijim për faturën aforfe për muajin maj 2007-të dhe pagesat e kryera për muajt e kaluar, për të cilat ende nuk është paguar vetëm kamatëvonesa. Një muaj më parë ERE ndërhyri për rikthimin e energjisë te pallati "Abissnet" ERE urdhëroi KESH-in të lidhte energjinë Një muaj më parë, prej 2 nëntorit deri pas datës 22, pallati "Abissnet", ku gjendet redaksia e gazetës "Shekulli" mbeti pa energji elektrike, pas djegies së kabinës elektrike. Për mbi 20 ditë, gazeta më e madhe në Shqipëri, 50 familje dhe shumë biznese të tjera mbetën pa energji, dhe KESH-i nuk pranonte të rregullonte defektin, edhe pse me banorët kishte kontrata individuale. U desh ndërhyrja e Entit Rregullator të Energjisë dhe kryetarit të saj, Bujar Nepravishta, të KESH-i të tërhiqej dhe të riparonte defektin në kabinën që kishte refuzuar ta merrte nën administrim prej vitit 2001.