Hakmerret Flamurtari, Skënderbeu në tapet

Ndeshja e djeshme Flamurtari-Skënderbeu 1-0
Superiore/ Tirana “i falet” Balës, Kamza merr pikë mbijetese.
Përfiton Teuta dhe rimerr kryesimin e kampionatit.
Flamurtari ka ndalur Skënderbeun duke i bërë një nder Teutës.
Durrsakët kanë fituar me Shkumbinin dhe kanë marrë kryesimin e kampionatit. Fiton edhe Tirana.Flamurtari “i shkatërron” sezonin Skënderbeut, duke e ndalur në sfidën më të rëndësishme të këtyre javëve të fundit. Korçarët janë -2 pikë nga Teuta e vendit të parë dhe duke iu referuar edhe kalendarit, teorikisht duket se çështja “titull” për Skënderbeun është mbyllur që dje në Vlorë. Mjaftoi një gol i Pero Pejiçit, shënuar që në minutën e 4-t të pjesës së parë, që kuqezinjtë e drejtuar nga ish-trajneri i Skënderbeut, Shkëlqim Muça (edhe ky mori një lloj shpagimi për faktin se u shkarkua vjet në mes të sezonit nga presidenti Zeqo), të siguronin tri pikë që i afron vlonjatët edhe më shumë me kupat e Europës. Ende pa u mësuar me fushën dhe me taktikat, vjen goli i avantazhit, i cili në fund rezultoi edhe si shenjëstra trepikëshe. Kros në zonën e Skënderbeut, Gvozdenoviç nuk arrin ta largojë si duhet, topi shkon te Pejiç, i cili gjuan nga jashtë zonës duke shënuar. Stadiumi në festë, korçarët në fushë shokohen. Pikërisht ky lloj hutimi bën që vendësit të rrezikojnë sërish me Prognin, ndërsa miqtë provojnë me Shkëmbin dhe Plakun, në të dyja rastet gjuajtjet gjetën të vëmendshëm portierin Koliqi. Në fraksionin e dytë të lojës, janë miqtë më kërkues. Allmuça si fillim dhe më pas Muzaka gjuajnë drejt portës, por në të dyja rastet Koliqi bën mrekulli. Sakaq komplikon në një moment gjithçka Rajoviç te Flamurtarit dhe aty Muzaka përfiton, hyn në zonë, por rrëzohet pas ndërhyrjes sërish të mbrojtësit malazez. Korçarët kërkojnë penallti, arbitri jep goditje këndi. Gjithsesi, një rast për t’u parë nga moviola, pasi ishte mjaft i dyshimtë. Në mesin e kësaj pjese nisin edhe zëvendësimet, por Levi çudit duke larguar Plakun dhe jo një Daniel Xhafaj “të fikur”. Sakaq Muça orienton të tijtë që të luajnë fort më mesfushë, duke markuar mirë kapitenin Shkëmbi dhe të përdorin kundërsulmin. Taktika jep rezultat, pasi miqtë nuk arrijnë të rrezikojnë veçse në një hutim në zonë të mbrojtësve, ku u shënua edhe një gol nga Muzaka, por mesfushori e kapi fillimisht topin me dorë para se ta gjuante. Fiton Flamurtari duke blinduar vendin e katërt dhe humbet Skënderbeu, duke lënë kështu titullin në një farë mënyre, pasi katër javë nga fundi çdo gjë varet tashmë nga Teuta. Durrsakët fituan 2-1 me Shkumbinin dhe tani mjafton që të fitojnë në ndeshjet e tjera për t’u shpallur kampionë. Fitoi me shumë vështirësi dje Tirana, ndërsa merr pikë të rëndësishme mbijetese Kamza. Sakaq, Pogradeci i vendit të 12-të nuk shkon më shumë se një barazim në fushën e vet me Bylisin.
Gjika: Fitoi ndershmëria e futbollit
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, tha se skuadra e tij e meritoi fitoren. Gjika ka shprehur keqardhje që Flamurtari nuk mund të pretendojë këtë sezon për titullin kampion, ndërsa nga ana tjetër shprehet i kënaqur se ekipi e preu më në fund biletën për në Europë. “Luajtëm me ndershmëri dhe e merituam fitoren. Gjatë gjithë kampionatit e kemi treguar, por më shumë se kurrë në këtë ndeshje që Flamurtari luante për veten e tij dhe për asnjë tjetër. Nuk na intereson se kush e fiton kampionatin. Mua më vjen keq që nuk është Flamurtari, pasi skuadrat pretendente nuk kanë ndonjë nivel më të lartë se ne, pra jemi në të njëjtat kushte dhe kanë një nivel të njëjtë loje. Besoj se vitin tjetër do të jemi ne pretendentë të denjë për titullin”.Muça: “E merituam, jemi në kupate Europës”
Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, ka sqaruar direkt pas ndeshjes se skuadra e tij luajti për të siguruar vendin e katërt që të çon në Europë dhe jo për t’i prishur punë Skënderbeut. “Arritëm që të shënonim shpejt dhe më pas e patëm më të lehtë që ta kontrollonim lojën. Në pushim të ndeshjes u thashë lojtarëve të mi që të ishin të kujdesshëm, sidomos në aspektin mbrojtës dhe e spostuam më shumë lojën në mesfushë, pasi aty po shikoja se mund edhe ta fitonim ndeshjen. Ne si objektiv tonin kishim kupën, por u mundëm me meritë nga Tirana. Tani jemi thuajse të kualifikuar për në Europë dhe ky është një objektiv që duhet arritur”, përfundon Muça.Levi: “Dominuam!”, por mediton largimin
Ka ndenjur për minuta të tëra pas ndeshjes i ulur në stol me ndihmësin e tij. Fliste pak dhe dukej qartësisht i zymtë në fytyrë, aq sa gati-gati të jepte përshtypjen e një njeriu të dorëzuar. “Ne e dominuam ndeshjen nga fillimi deri në fund. Ata shënuan një gol të shpejtë, por ne nuk u dorëzuam dhe mendoj se ishim superiorë. Ishim superiorë në shumë aspekte, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim si duhet rastet që patëm”, – tha Levi për “Supersport”. I pyetur se edhe sa gjatë do të qëndronte te Skënderbeu, duke iu referuar edhe situatës së krijuar pas humbjes, Levi ka braktisur intervistën, duke bërë një figurë tejet të shëmtuar para gazetarit që po e intervistonte.
Superiore/ Java e 22
Të shtunën
Vllaznia-Apolonia 1-0
Kastrioti-Dinamo 1-0
Dje
Flamurtari-Skënderbeu1-0
Tirana-Tomori 1-0
Teuta-Shkumbini 2-1
Kamza-Laçi 3-1
Pogradeci-Bylisi 1-1
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Teuta 22 15 4 3 26 13 49
2. Skënderbeu 22 14 5 3 38 14 47
3. Tirana 22 14 4 4 28 17 46
4. Flamurtari 22 11 6 5 32 17 39
5. Kastrioti 22 10 4 8 34 26 34
6. Vllaznia 22 9 3 10 31 27 30
7. Bylisi 22 8 6 8 34 32 30
8. Shkumbini 22 8 5 9 32 36 29
9. Laçi 22 9 6 7 24 27 27
10. Tomori 22 7 2 13 26 37 23
11. Kamza 22 6 4 12 19 29 22
12. Pogradeci 22 6 3 13 19 36 18
13. Apolonia 22 3 5 14 18 37 14
14. Dinamo 22 2 7 13 15 28 10
SHËNIM: Dinamo – 3 pikë, dënuar nga FIFA. Laçi – 6 pikë dhe Pogradeci – 3 pikë dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
LEONARD KARAJ