Basha: Tirana, dyfish e gjelbëruar pas katër vitesh

Basha gjatë aktiviteteve të djeshme për Ditën e Tokës
Tirana në katër vitet e ardhshme do të ketë të dyfishuara hapësirat e gjelbërta. Këtë deklaratë, kryebashkiaku i Tiranës zgjodhi ta bënte ditën e djeshme në Ditën e Tokës, e cila u shoqërua në Tiranë me një sërë aktivitetesh. Sipas Bashës, Bashkia ka filluar mbjellje intensive të pemëve dhe, nga ana tjetër, po mendohet për hapjen e parqeve të reja, që do të shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e ajrit në kryeqytet. Të dyfishojmë gjelbërimin në katër vitet e ardhshme, dhe më këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka nisur një program intensiv mbjelljesh të pemëve në qytetin tonë, në parkun ekzistues dhe po kështu po planifikon hapjen e një parku tjetër të madh, parkut të Paskuqanit në veri të Tiranës, tha Basha. Po dje, ai detajoi planet e Bashkisë së Tiranës për të përfunduar brenda këtij viti investimet që do të shërbejnë për furnizimin me ujë të pijshëm të Tiranës. Po kështu, është qëllimi ynë që brenda këtij viti të përfundojmë të gjitha investimet për shpërndarjen e ujit të pijshëm anë e mbanë qytetit, brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Por bashkë me këtë. duhet të vijë ndërgjegjësimi për përdorim me kursim të ujit të pijshëm dhe për mosshpërdorimin e tij, tha Basha. Në kuadër të Ditës së Tokës, Basha iu bashkua dje edhe nismës së qytetarëve vullnetarë për mbjelljen e 180 fidanëve të rinj në zonën e Parkut të Liqenit. Ai vlerësoi pozitivisht këtë nismë qytetare, që tregon më së miri se qytetarët janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm se secili, si institucionet dhe individët, duhet të bëjë detyrën e tij. Sot dua të përgëzoj edhe njëherë vullnetarët, qytetarët të cilët kanë marrë pjesë këtu në këtë ngjarje me kohën e tyre, dëshirën e tyre, vetëdijen e tyre, për tu treguar të gjithë atyre që nuk janë këtu sot, se kjo sfidë e madhe mund të fitohet vetëm kur ne të gjithë bëjmë detyrën tonë, kur secili të bëjë detyrën e tij dhe nuk mund të jetë diçka që trajtohet vetëm nga një institucion apo nga disa institucione, vlerësoi Basha.