Himara, ZMK: Kompania mashtroi studentet, u takon 1.5 mln dollarë
—-Nga Julian Hoxhaj—-
Tiranë- Siç edhe ishte paralajmëruar, studentet e mbijetuara nga aksidenti i Himarës kanë vijuar me përpjekjet e rradhës për të marrë shumën e parave që u takon nga kompania e sigurimeve SIGMA. Ata kanë zhvilluar një takim me drejtuesin e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, avokatin Altin Goxhaj.
Takimi pati si qëllim sqarimin e dispozitave ligjore që parashikohen për dëmshpërblimin e pasagjerve nga aksidentet automobilistike. Gjithashtu u ra dakord se brenda 48 orëve do të bëhet përgatitja e një ankese zyrtare drejtuar Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare dhe vetë kompanisë SIGMA për dëmshpërblimin e studenteve të mbijetuara nga aksidenti.
Avokati Goxhaj akuzoi kompaninë SIGMA, se sipas tij: I ka mashtruar studentet pasi vitin e kaluar deklaroi për një dëmshpërblim të shpejtë të tyre, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Gjithashtu i pyetur nga gazetarët Avokati Altin Goxhaj për shumën që parashikohet për dëmshpërblim, ai u shpreh se ligji e parashikon se shuma është 1.5 milion dollarë sipas ligjit të sigurimieve për transportin. Ndërsa sa i përket pretendimeve nga kompania e sigurimeve SIGMA, për mungesa të dokumentacionit të dosjeve, Goxhaj tha: Eshtë faji i kompanisë së sigurimeve, që nuk i ka informuar studentet për procedurat ligjore si dhe për dokuentacionin që duhet.
Studentet e aksidentit të Himarës, ende nuk janë dëmshpërblyer nga kompania e sigurimeve. Ato prej disa ditësh kanë nisur protestat dhe kanë paralajmëruar për se do të shkojnë deri në grevë urie nëse nuk do të marrin dëmshpërblimin që u takon.