Halil Gashi, kërcimtari shqiptar që adhurohet nga yjet e Hollywood-it
klotilda harka
Në jetë ka bërë akrobaci dhe fati ka qenë me të. Halil Gashi tani është kërcimtar i teatrit më të njohur në botë “Circue du Soleil” në Las Vegas. Perfomancat emocionuese, kërcimet në stilin e lirë urban dhe sportet ekstreme tërheqin mijëra shikues çdo javë në shfaqjen “Love The Beatles –show”, pjesë e së cilës ai është. Prej një viti çdo ditë pasi mbaron shfaqjen pasionante, yje të Hollivood-it rendin ta takojnë në backstage së bashku me artistët e tjerë të trupës. Gjithmonë me grim të ekzagjeruar në fytyrë, pasi tiparet duhet t’i dallojë edhe shikuesi i 2000-të në fund të sallës, artisti nga Prishtina tregon se si ia ka arritur:
Cila ka qenë karriera juaj në Evropë, para se të mbërrinit në Las Vegas?
Karriera që nisa në Evropë ishte shumë e rëndësishme që unë të mbërrij në “Cirque du soleil”. Kam marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, kam qenë Dj, kam dhënë mësime vallëzimi, kam realizuar koreografi për video klipe, kam pozuar si fotomodel, si dhe kam qenë imazh kompanish prestigjoze si: Levis, Guci, Adidas, Puma London Fashion week”, Bbc, MTV Awards.
Dhe si mundët të hynit në “Cirque du Soleil” pikërisht në shfaqjen “Love-Beatles” shumë e njohur në gjithë botën?
Kam marrë pjesë në një audicion që u organizua në Paris në vitin 2006, pasi për një periudhë “Cirque de soleil” zhvillonte konkurse në gjithë botën. Nga ky audiocion u zgjodhëm dhjetë vetë, nga 100 konkurrentë, mes të cilëve dhe unë. Gjatë këtyre viteve që isha në pritje kam punuar në vende të ndryshme të Euvropës, kryesisht në Angli deri sa mora ftesën e shumëpritur në prill të vitit të kaluar.
Jeni shqiptari i vetëm që kërceni në këtë shfaqje, si reagojnë kur u flisni për origjinën?
Po, unë jam i vetmi shqiptar në Cirque mes artistëve nga gjithë bota si; Amerika, Kanadaja, Franca, Belgjika, Suedia. Shumë prej tyre nuk kanë dëgjuar fare për shqiptarët. Ata që janë nga Evropa dinë më shumë, disa sillen mirë e të tjerë çuditshëm. Por në Las Vegas nuk ka shumë rëndësi nga cili vend vjen, pasi të gjithë janë të huaj të ardhur nga një vend tjetër.
çfarë shfaqje është “Love Beatles”, ku ju performoni dhe çfarë publiku ju ndjek?
“Love Beatles” është për të gjithë e jo vetëm për ata që u pëlqen muzika e “Beatles”. Kjo është një shfaqje e njohur në të gjithë botën që ka fituar vendin e parë prej tre vitesh me radhë dhe numëron çmime Grammy. çdo javë kemi spektatorë që janë njerëz të famshëm; aktorë, muzikantë, sportistë që vijnë dhe na ndjekin si nostalgjikë të muzikës së “beatles”-ave. Momenti më interesant është se pas shfaqjes ata vijnë na takojnë ne kërcimarët, flasim gjatë me njëri-tjetrin dhe bëjmë foto që kërkojnë t’i kenë si kujtim.
A mund të na përmendi disa emra VIP me të cilët jeni takuar në backstage?
Jam takuar me Madonnën, Kylie Minogue, Jennifer Love Hewitt, “Aerosmith”, David Duchovn, “The X Files”, Pink, “Black Eyed Peas”, Ronaldinjo, etj. Ruaj kujtime me ta.
Ata ju kanë takuar ju si VIP, çfarë mendoni se ju bën të adhurueshëm në sytë e tyre?
Ata mahniten nga kërcimet akrobatike që ne bëjmë, një trupë afër 70 akrobatë, aktorë, dhe 16 kërcimtarë që japim shfaqje 10 herë në javë. Dhe e gjithë kjo e realizuar me shumë ndjenjë e pasion. Shumë prej tyre janë të thjeshtë. Ata vijnë më takojnë si “star”, kanë shumë dëshirë të flasin me ne dhe kjo është shumë impresionuese, kur mendoj se dikur ndoshta s’e kisha imagjinuar.
Keni lindur në Kosovë. Ruani lidhje me vendlindjen tuaj, i njihni artistët shqiptarë?
Nga Kosova jam larguar gjatë luftës së vitit 1992 në Gjermani. E kam nisur kërcimin si hobi në vitet 1995 deri në vitin 2002, më pas si profesion në Angli në ritmet street, breakdance, hip hop, etj.Pas kaq vitesh, në Kosovë shkoj vetëm të takoj prindërit e mi që janë rikthyer sërish atje. Përsa u përket artistëve, nuk më ka rënë rasti të punoj me ta, pasi dhe nuk kam pasur interes të punoj si artist në Prishtinë.
Po vajzat shqiptare sa i njihni, bashkëshortja juaj do të jetë një shqiptare apo e huaj?
Bashkëshortja ime do të jetë një shqiptare, por deri tani ende nuk kam takuar një të tillë që të më pëlqejë pasi kam qenë vërtet shumë i zënë me punë.
Në Shqipëri është duke u organizuar “Dancing with the stars”, si do e këshilloje një personazh të njohur që i hyn një sfide kërcimi?
Të jetë vetvetja dhe mos të mundohen të imitojnë askënd. Nëse më ftojnë kam dëshirë të marr pjesë si shikues apo juri.
Pas Las Vegasit, çfarë planesh keni bërë për karrierën?
Sapo të mbyll kontratën me teatrin në Las Vegas, kam dëshirë t’i hyj botës së kinemasë, duke provuar të depërtoj në Hollyvood.