E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halili: Duka smë tremb, ju garantoj që është i humbur

Sulmi

Refik Halili është zhytur mirë tashmë në garën për president i FSHF-së. Në daljen e djeshme, drejtuesi aktual i Tiranës ka deklaruar se nuk i trembet konkurrencës me Dukën, madje nuk ngurron të garantojë se presidenti aktual i FSHF-së do të jetë i humburi i kësaj gare. Ndërkohë që bën të ditur se e shqetësojnë shkeljet e rregullave të garës nga rivali. Numri “Një” i Tiranës akuzon rivalin për presion ndaj klubeve: “është bërë publike që 26 klube kanë propozuar Dukën për president të FSHF-së. Unë kam kontaktuar me shumë klube dhe nga burime të sigurta kam marrë vesh se punonjës të federatës u kanë bërë presion që të propozojnë Dukën, që t’u falen gjobat që kanë në federatë”. Halili pohon se është dakord me Shoqatën e Futbollit Amator. “Kështu do të jetë edhe në të ardhmen, por të paktën të regjistrohet në gjykatë, siç ndodh me çdo person juridik në Shqipëri”. Halili ka bërë të ditur se në takimin me ministrin Xhaferri “i kemi kërkuar transparencë, sepse që në hapat e parë të shpërndarjes së njoftimeve për klubet ka shkelje”. Ai shton se nuk po u jepet mundësia të kontrollojnë se si janë bërë këto shkresa në mënyrë zyrtare apo private. Halili ka sqaruar edhe arsyet e bashkëpunimit më rivalin tjetër, Rudi Vata, gjë e cila ka nisur prej shumë kohës. “Përderisa të dy ndajmë të njëjtin mendim mbi drejtimin e sotëm të futbollit, do të thotë se kemi bashkëpunuar me njëri-tjetrin, thotë presidenti i Tiranës. Vata ka vite që i ka ngritur shqetësimet. Të dy duam të heqim këtë njeri që e ka barë federatën monopol, duke e kthyer në bunker”. Edhe pse deklaron se shkeljet, sipas tij, nuk janë të pakta, sërish insiston se nuk i druhet garës: “Nuk na trembin fare gjithë këto veprime të ulëta, përkundrazi, unë jam i bindur dhe garantoj që Duka është i humbur”. Sipas tij, anëtarët e FSHF-së, ditën e zgjedhjeve do t’i japin një herë e mirë fund baltosjes së futbollit tonë. Përkrah zotit Halili është shfaqur edhe Riza Hicka, një njeri i njohur i futbollit, por njëkohësisht edhe jurist. Ky i fundit ka bërë shpjegimin juridik, pse pretendohet për padrejtësi në rastin e Shoqatës së Futbollit Amator” që, sipas tij, nuk mund të jetë anëtar i FSHF-së nëse nuk është e regjistruar në Gjykatë. “Në rastin konkret, Shoqata e Futbollit Amator, që ka 8 delegatë, nuk është e regjistruar. Ligjërisht tetë delegatët e futbollit amator nuk përfaqësojnë anëtarët e FSHF-së në asamble”. Hicka njofton se në asamblenë e 2008-s të gjithë kenë firmosur për “një anëtar, një votë”, ndërsa ky anëtar, pra Shoqata e Futbollit Amator, ka 8 vota. “Neve na shqetëson shumë ky fakt, sepse të tetë këta delegatë nuk vijnë në asamble si rrjedhojë e zgjedhjeje të bëra në këto zona, por janë të emëruar direkt nga Millan Baçi, një punonjës që paguhet nga FSHF-ja”, përfundoi Hicka.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›