Halili-Vata, zyrtarizohet bashkëpunimi mes dy kandidatëve për president të FSHF-së
Kur vetëm katër ditë na ndajnë nga asambleja zgjedhore për organet drejtuese të FSHF-së, ka marrë jetë koalicioni anti-Duka, i cili përbëhet nga dy kandidatët e tjerë në garën për postin e presidentit Refik Halili dhe Rudi Vata. Këtij grupimi i është bashkuar edhe Sulejman Starova, i njohur në instancat e larta të futbollit si ish-sekretar i FSHF-së, por edhe trajner i disa skuadrave të njohura në vend, i cili në zgjedhjet e ardhshme do të garojë për një vend si anëtar i Komitetit Ekzekutiv. Kështu dje ka lindur edhe një lëvizje e re, e cila mban emrin “Lëvizja e shpëtimit të futbollit”. Për një koalicion të mundshëm mes dy rivalëve të Presidentit aktual është folur shumë, por gjithçka është zyrtarizuar vetëm dje nëpërmjet një konference të përbashkët për shtyp, ku presidenti aktual i Tiranës, Halili, dhe ish-futbollisti i njohur, aktualisht menaxher i FIFA-s për lojtarët, Vata, kanë denoncuar edhe disa shkelje të tjera statusore që, sipas tyre, po i paraprijnë asamblesë zgjedhore të 9 marsit. Mendimi i tyre është se këto shkelje krijojnë klimën e një pabarazie të kandidatëve në këtë garë. Pra, tashmë e kanë nisur me sulm koalicionin e sapozyrtarizuar. Shënjestra e parë ka qenë statuti. Sipas tyre, “statuti dhe rregullat e procedurave të asamblesë nuk parashikojnë pjesëmarrjen e vëzhguesve si përfaqësues të secilit kandidat, nënvizohet në një nga pikat kryesore të denoncimit të tyre. Këta vëzhgues duhet të pranohen dhe të jenë prezentë në numërimin e votave, të firmosin fletën e votimit”. Të dy rivalët e Dukës nuk e kanë pritur mirë zhvendosjen e vendit të zhvillimit të asamblesë në drejtim të qytetit të Durrësit. Halili e Vata e konsiderojnë të pajustifikueshme, ndërsa theksojnë se një praktikë e tillë nuk është parë si brenda ashtu edhe jashtë vendit: “Asambletë zgjedhore nuk mund të zhvillohen larg selisë së FSHF-së. Asamble të zakonshme mund të bëhen në një qytet tjetër, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një asamble zgjedhore”. Një nga pikat më skandaloze për këtë koalicion është numri prej 8 delegatësh nga Shoqata e Futbollit Amator. Sipas nenit 21 të statutit, numri i delegatëve për klubet e futbollit është përcaktuar në përputhje me pjesëmarrjen në sistemin e garave të FSHF-së: Klubet e futbollit të Kategorisë Superiore kanë secili nga një delegat, (aktualisht 12 klube/12 vota). Klubet e futbollit të Kategorisë I kanë secili nga një delegat, (aktualisht 18 klube/18 vota). Klubet e futbollit të Kategorisë II kanë secili nga një delegat, (aktualisht dy grupe me 25 klube/25 vota). Shoqata e Mjekësisë Sportive ka 1 delegat/1 votë, Shoqata e Arbitrave ka 1 delegat/1 votë, Shoqata e Trajnerëve ka 1 delegat/1 votë, Shoqata e Minifutbollit ka 1 delegat/1 votë dhe pika e fundit që përbën polemikën, secili nga 8 rajonet futbollistike të Shoqatës së Futbollit Amator kanë nga një delegat. Sipas koalicionit anti-Duka, në këtë pikë të fundit “thyhet parimi “një anëtar, një votë”. Shoqata e Futbollit Amator, e cila përbën 1 (një) anëtar të FSHF-së ka të drejtën e 8 votave”. Ata pretendojnë se kjo shoqatë, që nuk është e regjistruar fare në gjykatë, paraqet 8 delegatë me nga një votë secili, delegatë këta që nuk janë zgjedhur nga ndonjë forum, por janë përcaktuar nga përgjegjësi i tyre, i cili është punonjës i FSHF-së (për dijeni, përgjegjësi është Millan Baçi). Në daljen e tyre publike ata kanë radhitur shumë pika të tjera, për të cilat nuk janë dakord me rregullat e lojës. Dy kandidatët për presidentë të FSHF-së, Halili dhe Vata, kanë informuar në një takim ministrin e MTKRS-së, Ferdinand Xhaferri”. Po ashtu kanë informuar me UEFA-n dhe personalisht sekretarin e përgjithshëm Xhiani Infantino. Ata e konsiderojnë si skandal ligjor, me qëllime të caktuara të presidentit aktual, Armand Duka, por që cenon barazinë e garës.
#