E Diel, 1 Nëntor 2026

Vata: Të shpëtojmë futbollin Starova: Ne e fitojmë garën

Deklaratat Ish-kapiteni i Kombëtares: FSHF drejtohet si një diktaturë

Emri Lëvizja e Shpëtimit të Futbollit, për koalicionin që kandidatët për president Vata dhe Halili kanë bërë kundër kreut aktual të FSHF-së, Duka, nuk është thjesht një emër i gjetur rastësisht. Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare beson se ka ardhur koha që diçka të ndryshojë në sportin më popullor në vend, duke filluar prej majës së piramidës. “Qëllimi ynë i përbashkët është të shpëtojmë futbollin, t’i kthejmë normalitetin dhe demokracinë këtij sporti”, deklaroi 41-vjeçari. “Jemi në vitin 2010, megjithatë kreu i federatës e drejton futbollin në Shqipëri sikur të ishte një diktaturë. Kjo nuk mund të vazhdojë më tej. Objektivi ynë është që të drejtojmë në mënyrë demokratike. Sporti më i dashur në vend duhet të jetë i pastër dhe i ndershëm për të gjithë faktorët. është e nevojshme që Federata Shqiptare e Futbollit të drejtohet në mënyrë demokratike dhe dinjitoze, por që kjo të realizohet duhet të ndërgjegjësohen të gjithë delegatët, të cilët do të jenë të pranishëm në Asamblenë Zgjedhore. Fenomenet negative që vazhdojnë të shfaqen në futbollin tonë janë përgjegjësi e federatës. Nuk mund të them se zyrtarët e këtij institucioni nuk punojnë, por se ata nuk janë aspak profesionalë në atë që bëjnë”. Vata më tej denoncoi parregullsitë në listat e delegatëve me të drejtë vote më 9 mars: “Shumë prej atyre janë emëruar nga FSHF-ja, madje gjithçka ka ndodhur vetëm një natë përpara shpalljes së listës përfundimtare. Kjo bën që gara të mos jetë e ndershme dhe e barabartë për pjesëmarrësit. Për më tepër që edhe vendi i asamblesë (në Durrës) është një zgjedhje e qëllimshme. Megjithatë, nëse do të ketë garë të ndershme, nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë rëndësi”. Një pikë e nxehtë dhe e kontestuar në prag të Asamblesë, janë 8 votat e Futbollit Amator. Nëse deri në prag të zgjedhjeve kjo situatë nuk ndryshon, ish-mbrojtësi shkodran ka deklaruar se mund të vendosë të tërhiqet nga gara për postin e presidentit. “Nuk është logjike që të futesh në një garë duke e ditur që je në dizavantazh. Personalisht, nuk do të marr pjesë në zgjedhje, kur rezultati fillestar është 8-0. Por, më parë do të pres sesi do të bëhet trajtimi i kësaj çështjeje në aspektin juridik”.

Sulejman Starova, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së dhe tashmë kandidat për një vend në Komitetin Ekzekutiv, deklaroi: “Ne do të fitojmë edhe nëse gara nis 15-0 dhe jo vetëm 9-0”. Ai shtoi: “Denoncojmë padrejtësitë e drejtuesve të FSHF-së me delegatët e futbollit amator. Kemi informuar ministrin e Sporteve, Xhaferri, dhe sekretarin e përgjithshëm i UEFA-s, Infantino, këtë që po ndodh. MTKRS do t’i kërkojë FSHF-së garantimin e procesit zgjedhor, ku çdo kandidat të kenë numëruesit e tij të votave”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›