I gjendet drogë në banesë, pranga policit të Burgut të Rrogozhinës
Një nga punonjësit e policisë në Burgun e Rrogozhinës është prangosur nga blutë e Durrësit për “shpërndarje lëndësh narkotike”. Vetëm pak ditë pas deklarimit se në radhët e policisë ka persona që përdorin substanca të ndaluara, ka ardhur prangosja e 31-vjeçarit Ilir Sofka, i cili dyshohej se u tregtonte të burgosurve të Rrogozhinës lëndë narkotike. Në bazë të këtij informacioni, agjentët e antidrogës së Durrësit kanë ushtruar një kontroll në banesën e tij në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar. Pavarësisht se sasia e lëndëve narkotike të gjetura ka qenë shumë e vogël, kjo ka mjaftuar për t’i vënë prangat Sofkës me origjinë nga Kukësi. Burimet policore të Durrësit njoftuan se ndaj tij u mor masa e arrestimit në flagrancë. Mësohet se ai është punonjës policie në Institucionin e Ekzekutim-Vendimeve Penale në Rrogozhinë dhe tani është akuzuar penalisht për prodhim e shitje të lëndëve narkotike. “Arrestimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, dyshohej se ky shtetas ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në Burgun e Rrogozhinës”, ka deklaruar dje, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së qarkut, Ornela Cako. I njëjti burim saktëson se gjatë kontrollit fizik në banesën e Sokfës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 3.35 gramë lënde narkotike kanabis sativa, 3.40 gramë lëndë e dyshuar si heroinë dhe një shumë prej 9000 lekësh. Do të jetë Prokuroria e Rrethit Durrës që do të vijojë më tej hetimet për këtë shtetas, duke hedhur dritë mbi një rast të implikimit të punonjësve policorë në shpërndarjen e lëndëve narkotike brenda burgjeve shqiptare, për arsye fitimi.
#