Halimi: Deri në vitin 2020 përfundon kompensimi fizik dhe financiar i pronarëve

Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi takohet me Komisionerin e KiE për të Drejtat e Njeriut, z. Nils Muižnieks
Ministri i Drejtësisë z. Eduard Halimi zhvilloi sot një takim me delegacionin e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut kryesuar nga z. Nils Muižnieks, Komisioner i Këshillit të Evropës për Drejtat e Njeriut e përbërë nga Ms Erliha Bičakčić, këshilltare e zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut si dhe Drejtori i Zyrës së Komisionerit për të Drejtat e Njeriut, z. Nikolas Sitaropouls, Në takim mori pjesë edhe znj. Margarita Gega, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës. Takimi u përqendrua në disa çështje kryesore si masat e marra për zgjidhjen e problemit të kthimit dhe kompensimit të pronës në vend dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane; zgjidhja përfundimtare e çështjes së heqjes se imunitetit të zyrtarëve të lartë si dhe ecuria e hetimeve të ngjarjes së 21 janarit. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi theksoi masat që janë marrë për të plotësuar rekomandimet bazë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në lidhje me çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronës. Ministri informoi Komisionerin për miratimin e Strategjisë së Pronës, e cila parashikon zgjidhjen e përfundimtare të problemit të kthimit dhe kompensimit financiar dhe fizik të pronës deri në vitin 2020 nëpërmjet shqyrtimit të të gjitha dosjeve dhe çështjeve të mbetura ende pa zgjidhur; realizimin e një regjistri elektronik për të gjitha vendimet e marra; vijimin e punës në drejtim të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe publikimi i tyre në ëebsitin zyrtar; përfundimin e hartës së vlerës së tokës si dhe lirimin e banesave të ish- pronarëve si rrugë përfundimtare për plotësimin e premtimit të qeverisë për kompensimin e plotë të ish- pronarëve. Një tjetër çështje themelore që u mor në shqyrtim ishte edhe heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë si një çështje që ende po debatohet mes dy forcave politike. Me këtë rast Ministri i Drejtësisë theksoi edhe njëherë vullnetin e maxhorancës qeverisëse për heqjen e imunitetit pa asnjë kusht të vënë nga opozita. “Mazhoranca ka bërë dhe po bën të gjitha përpjekjet që çështja e imunitetit të zgjidhet përfundimisht pas nje beteje gati 10 vjeçare ne parlament. Por zgjidhja e referendumit popullor mbetet një rruge in-extremis, ne rast se opozita do te vazhdoje te bllokoje kete proces. Një forcë qeverisëse duhet të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e saj përballë qytetarëve dhe në se kjo çështje nuk zgjidhet brenda parlamentit mazhoranca do t’i drejtohet popullit për t’u shprehur”- deklaroi Ministri. Në përfundim të takimit Komisioneri i KiE për të drejtat e Njeriut, z. Nils Muižnieks e falënderoi Ministrin Halimi për pritjen si dhe e përgëzoi atë për punën e kryer për plotësimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës drejtim të respektimit të të Drejtave të Njeriut.
...