E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: Kemi kerkuar tabulatet e krereve dhe politikaneve dhe jo bisedat

31/01/2011  Hetimi parlamentar për 21 janarin s’ka lidhje me hetimin e Prokurorisë

“Komisioni ka kërkuar thjesht tabulatet, jo përmbajtjen e bisedave”

Herion Mesi

Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit, Eduard Halimi, akuzoi dje Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin e saj të ngjarjeve të 21 janarit, duke e cilësuar atë hetim të njëanshëm në lidhje me përmbysjen e rendit kushtetues. Më tej Halimi hodhi poshtë akuzat e opozitës sa i përket tabulateve telefonike të kërkuara një ditë më parë nga anëtari i këtij hetimi Enkelejd Alibeaj, ku sqaroi se “Komisioni Hetimor parlamentar ka kërkuar nga kompanitë e telefonisë celulare thjesht tabulatet, jo përmbajtjen e bisedave të kryera apo përmbajtjen e mesazheve”, - tha Halimi. Dhe për këtë Halimi sqaroi se komisioni ka kërkuar vetëm skedarët apo listat e identifikimit të thirrjeve dhe komunikimeve hyrëse dhe dalëse, si dhe kohën e tyre për të bërë transparencën e zhvillimeve të atyre ditëve. “Ata që kanë frikë nga transparenca për bashkëbiseduesit që kanë pasur duhet të dinë se ngjarja e 21 janarit do të përshkohet nga rrezja e së vërtetës në çdo qelizë të saj. Por frika nga transparenca flet vetë”, - tha Halimi.

Hetimi i Prokurorisë

Në deklaratën e tij të djeshme kreu u Komisionit Hetimor për 21 janarin, Eduard Halimi, theksoi se “Prokuroria nuk ka pranuar të hapë çështjen penale për veprime masive të dhunshme të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, nuk ka pranuar të hapë çështjen penale për veprime të dhunshme, duke pushtuar me forcë ndërtesat e institucioneve, me qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por ka hapur çështje penale vetëm për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dëmtim të pasurisë publike”. Më poshtë Halimi shtoi se Komisioni Hetimor në ushtrim të instrumenteve kushtetuese të hetimit parlamentar po heton veprimet e institucioneve gjatë veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e rendit kushtetues, marrjen e pushtetit me dhunë dhe ekzistencën e puçit të shtetit. “Nuk ka dhe nuk mund të ekzistojë asnjë lloj supozimi për mbivendosje për këto hetime, krejtësisht të ndryshme”, – u shpreh dje Eduard Halimi. Ndër të tjera në emër të Komisionit Hetimor parlamentar ai bëri dje me dije se objekti i hetimit penal të Prokurorisë së Republikës është krejt tjetër nga objekti i Komisionit Hetimor parlamentar. “Në punën e tij Komisioni Hetimor ka tagër të plotë sipas ligjit për komisionet hetimore parlamentare të disponojë çdo lloj dokumenti të nevojshëm dhe që ka lidhje të qartë me këtë hetim. Anëtarët e komisionit dhe gjithë stafi i këtij komisioni janë fuqiplotë në gjithë procesin e marrjes, ruajtjes dhe administrimit të çdo lloj dokumenti hetimor”, - sqaroi Halimi.

Komisioni hetimor vizitë faktmbledhëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë

Në përfundim të takimit të djeshëm me krerët më të lartë të Policisë së Shtetit anëtari i Komisionit Hetimor parlamentar Gent Strazimiri deklaroi se policia nuk ka marrë akoma asnjë urdhër nga Prokuroria për nisjen e një hetimi të përbashkët sa i përket “agresorëve” të institucioneve shtetërore. “Ajo që doli nga ky takim është fakti se ende në këto çaste që po flasim Policia e Shtetit nuk ka marrë urdhër për të ndërmarrë veprime hetimore për asnjë prej veprave penale të mëposhtme: thirrje publike për dhunë kundër rendit kushtetues, pushtim të ndërtesave me qëllim rrëzimin e rendit kushtetues, thirrje dhe organizim për të detyruar organet shtetërore të kryejnë ose të mos kryejnë një akt të caktuar, krijimin e turmave të armatosura”, - deklaroi Strazimiri. Ai theksoi gjithashtu se Policia nuk ka marrë ende asnjë urdhër për veprimet hetimore në lidhje me veprën penale të poshtërimit të simboleve të Republikës, “respektivisht të flamurit kombëtar”.

Lista e personave për të cilët Alibeaj kërkoi kontrollin e tablateve telefonike

1. Sali Berisha - Kryeministër i Shqipërisë

2. Jozefina Topalli - Kryetare e Kuvendit

3. Bamir Topi - President i Republikës

4. Lulëzim Basha - ministër i Brendshëm

5. Ina Rama - prokurore e përgjithshme

6. Bahri Shaqiri - drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror

7. Ylli Alushi - zëvendësdrejtor i SHISH-it

8. Ndrea Prendi - komandant i Gardës së Republikës

9. Edi Rama - kryetar i Partisë Socialiste

10. Fidel Ylli - deputet i PS-së

11. Bashkim Fino - deputet i PS-së

12. Paulin Sterkaj - deputet i PS-së

13. Tomë Doshi - deputet i PS-së

14. Gramoz Ruçi - deputet i PS-së

15. Namik Dokle - deputet i PS-së

16. Fatmir Xhafa - deputet i PS-së

17. Sajmir Tahiri - deputet i PS-së

18. Taulant Balla - deputet i PS-së

19. Ilir Gjoni - deputet i PS-së

20. Erion Braçe - deputet i PS-së

21. Besnik Bare - deputet i PS-së

22. Ilir Beqja - deputet i PS-së

23. Dashamir Peza - deputet i PS-së

24. Arben Çuko - deputet i PS-së

25. Asllan Dogjani - deputet i PS-së

26. Ndue Kola - deputet i PS-së

27. Armando Prenga - deputet i PS-së

28. Gjok Jaku - deputet i PS-së

29. Spartak Ngjela – kryetar i partisë “Ligj dhe Drejtësi”

30. Skënder Gjinushi - kryetar i Partisë Socialdemokrate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›