E Diel, 1 Nëntor 2026

E majta apel faktorit ndërkombëtar për situatën në vend

31/01/2011  Rama: Berisha kërcënon institucionet e pavarura

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një dalje publike gjatë ditës së djeshme lëshoi sinjale të qarta alarmi për faktorin ndërkombëtar. Kërcënimi për shembjen e themeleve të shtetit ishte shqetësimi i radhës për të cilin kryetari i opozitës i bëri apel faktorit ndërkombëtar që të marrë në konsideratë rrezikun që përbën për vendin kryeministri Berisha dhe qeveria e tij. Pas akuzave për korrupsion tashmë opozita është fokusuar në një tjetër veprim të mazhorancës qeverisëse, konkretisht te presioni që kjo e fundit po ushtron ndaj institucioneve të pavarura. “Kërkesa për të disponuar tabulatet e telefonave të Presidentit të Republikës, të Prokurores, të drejtorit të SHISH-it dhe të një numri të konsiderueshëm deputetësh është jo vetëm e paligjshme, por janë pjesë e një plani makabër për të imponuar në Shqipëri sistemin e dhunës e të frikës, në kushtet kur populli kërkon fundin e regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut”, - vuri në dukje kreu i PS-së lidhur me kërkesën e Komisionit Hetimor parlamentar. Për këtë arsye, Rama u drejtoi partnerëve të huaj një thirrje, duke kërkuar në të njëjtën kohë dhe mbështetjen e tyre. “Apeli ynë ndaj botës demokratike, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian sot është: dhuna ndaj institucioneve përmes barbarisë antikushtetuese të një qeverie të dalë tërësisht nga korniza e ligjit dhe të një kryeministri të dalë krejtësisht nga binarët e arsyes po kërcënon shembjen e plotë të një shteti të dobësuar sistematikisht përmes goditjeve të përsëritura ndaj pavarësisë së institucioneve kushtetuese”, - nënvizoi Rama. Në vlerësimin e tij kjo dhunë zbulon në të gjithë përmasën e vet rrezikshmërinë që kjo qeveri dhe ky kryeministër paraqesin për vendin. “Miq të dashur e partnerë të respektuar ndërkombëtarë të Shqipërisë, mos lejoni që në Shqipëri të vijojnë të ndodhin këto që po ndodhin dita-ditës në kurriz të idesë së shtetit ligjor dhe të popullit shqiptar, që kurrë nuk do ta pranojë rikthimin në kohën e errët të partisë-shtet e të shtetit-parti. Çdo ditë që kalon e bën më të vështirë ekuilibrin e domosdoshëm që garanton stabilitetin e vendit”, - u shpreh Rama sa i takon një çështje të tillë. Nga ana tjetër, kreu i PS-së sqaroi dhe pozicionin e mëtejshëm të PS-së. “Ne, opozita shqiptare, jemi gati për dialog e kompromis në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve, por kurrë nuk do ta pranojmë statuskuonë e regjimit të kusarisë si stabilitet dhe as do të falim liri thelbësore të këtij populli për një siguri të përkohshme, që vetëm do të rëndojë faturën e nesërme të kësaj krize të jashtëzakonshme”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij.

Apeli

“Ne jemi në këtë betejë bashkë me qytetarët për Shqipërinë që duam dhe do ta çojmë përpara betejën tonë pa asnjë ngurrim, më të vendosur e më të bindur se kurrë për detyrimin atdhetar që kemi ndaj vendit, të marrë peng në këto kohë të rënda. Pavarësisht tensionit të jashtëzakonshëm që ka provokuar kusaria e dhuna shtetërore, nuk duhet ta humbim për asnjë sekondë besimin te forca e arsyes së mishëruar në një rezistencë paqësore, që kurrë sduhet të provokohet nga dhuna qeveritare e as të reagojë dhunshëm ndaj kësaj dhune, e cila është thjesht dhuna e dëshpëruar e të mbyturit që kërkon të të mbysë. Për këtë është edhe dhuna e pamundur për të mbytur një popull të tërë me duart e një regjimi kusarie e matrapazllëku të një grushti njerëzish, që sot as kanë të bëjnë e as mund ta përfaqësojnë më Shqipërinë reale.”

Akuza

Kërkesa për të disponuar tabulatet e telefonave të Presidentit të Republikës, të Prokurores, të drejtorit të SHISH-it dhe të një numri të konsiderueshëm deputetësh është jo vetëm e paligjshme, por dhe e mjaftueshme për të kuptuar se as vrasjet e demonstruesve, as skenari, më pas i dështuar falë dëshmive të medies, që inkriminonte opozitën si organizatore të vrasjeve, as mosdorëzimi i gjashtë komandantëve të Gardës Republikane, as mosdorëheqja e ministrit të Brendshëm , as nxjerrja e Policisë së Shtetit mbi ligjin, as arrestimet e torturat kafshërore të plot demonstruesve të pafajshëm nëpër komisariate, as sulmet rrugaçërore ndaj “prokurores lavire” e “presidentit horr”, janë pjesë e një plani makabër për të imponuar në Shqipëri sistemin e dhunës e të frikës, në kushtet kur populli kërkon fundin e regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut.

Kampi opozitar parashtron kërkesat e tij për zgjidhjen e krizës

Largimi i Berishës dhe zgjedhje të parakohshme

Rama: Duam zgjidhje e duhet ta gjejmë atë duke larguar qeverinë

Largimi i qeverisë “Berisha” dhe zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja politike për Opozitën e Bashkuar. Kështu, pas ngjarjeve të 21 janarit, ku humbën jetën tre protestues, kampi opozitar shfaqet i vendosur për ti shkuar deri në fund kërkesës largimin e qeverisjes aktuale. “Ne duam zgjidhje e duhet ta gjejmë atë duke larguar qeverinë, jo duke lënduar Shqipërinë”, - u shpreh kreu i PS-së Edi Rama gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Por pak minuta më parë dhe një nga aleatët e kësaj partie, konkretisht kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, parashtroi qartë kërkesat e së majtës për daljen nga një situatë e tillë, jo pak e tensionuar. “E vetmja rrugëdalje është zgjidhja politike, është largimi i kësaj qeverie, kalimi në zgjedhje të reja, sepse Berisha ka shpallur një grusht shteti brenda shtetit. Ky është grushti real i shtetit, ku një mazhorancë ilegjitime pushton Kuvendin, vë nën kontroll Prokurorinë, kërkon të gjunjëzojë Presidentin e Republikës, SHISH-in. Ashtu siç kërkon të gjunjëzojë edhe popullin nëpërmjet breshërive të automatikëve. Pra, kriza tashmë ka marrë dimensionet e saj, është një krizë nga më të thellat dhe kërkon një zgjidhje urgjente politike”, - vuri në dukje kreu socialdemokrat. Njëkohësisht, duke vijuar po në këtë linjë, Gjinushi nuk ngurroi të sqarojë më tej arsyet se pse duhet të shkohet drejt një zgjidhje të tillë politike. “Ka rënë Kuvendi, ku opozita deklarohet puçiste, presidenti i vendit vihet nën hetim, Prokuroria e Përgjithshme vihet nën hetim, pra tërë opinioni sheh qartë se këtu vetëm shtet nuk ka, vetëm hetim të pavarur nuk ka, aq më tepër që shihet qartë se krimi është politik dhe do një zgjidhje urgjente politike”, - nënvizoi Gjinushi lidhur me një çështje të tillë.

Qëndrimi i Ngjelës

“Çfarë mund tu bëjë Berisha 200 mijë njerëzve, 300 mijë njerëzve, 400 mijë njerëzve që duan dorëheqjen e tij? Asgjë ska për të bërë, të gjitha janë broçkulla. Në qoftë se kërkon të shkelë ligjet, të mos implikojë shumë njerëz në shkeljen e ligjeve. Të kenë mendjen njerëzit, se janë situata të rënda këto, që një lapsus i vogël i injorantëve që janë në pushtet, që duan të shkelin ligjin, mund tu kushtojë shumë shtrenjtë. Ne do të vazhdojmë betejën tonë për lirinë e shqiptarëve, demokracinë normale, shtet ligjor dhe institucional deri në momentet që çështja do jetë në krahët e demokracisë.”

Kreu socialist thërret në selinë rozë aleatët e majtë

Opozita në protesta deri në largimin e Berishës

Oli Xhilaga

Opozita e Bashkuar do të vijojë të përqendrojë kundërvënien e saj ndaj qeverisë “Berisha” te protestat popullore. Në këtë mënyrë, kampi i majtë do të rikthehet sërish në shesh, duke mos ndalur tubimet deri në largimin e kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij. Këto protesta do të shtrihen dhe në rrethe të tjera të vendit, duke kulmuar me manifestimin në kryeqytetin e vendit. Kështu, të mbledhur në një tryezë krerët e Opozitës së Bashkuar ranë dakord që strategjia që do të ndjekë në vijim ky kamp të jetë e fokusuar pikërisht te mbështetja popullore. Ndërkohë në këtë takim drejtuesit e majtë analizuan të gjithë situatën e krijuar pas ngjarjeve të 21 janarit, por kryesisht në veprimet e ndërmarra nga mazhoranca qeverisëse. Në takim morën pjesë kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, ai i PLD-së Spartak Ngjela, kryetari i PDS-së Paskal Milo, kreu socialist Edi Rama, si dhe Edlir Petanaj, Preç Zogaj, Ervin Mete e Frok Gjini.

Vendimi

“Ramë dakord që të fillojmë protestat sa më shpejt të jetë e mundur. Do të organizohet një protestë e madhe në Tiranë, ku do ti përgjigjemi me dinjitet, me forcë morale çdo tentative për grusht shteti”, - u shpreh kreu i PLD-së Spartak Ngjela pas përfundimit të takimit që zhvilluan dje drejtuesit e Opozitës së Bashkuar. Një fakt i tillë u përforcua nga kryetari i Demokracisë Sociale Paskal Milo. “Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve që të kenë besim të plotë tek opozita shqiptare, e cila tashmë po merr përsipër gjithnjë e më shumë flamurin e luftës për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri, për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut. Po kështu shprehim gatishmërinë tonë të plotë dhe vendosmërinë tonë më të madhe për të vazhduar në rrugën e rezistencës paqësore kundër përpjekjeve për të realizuar grushtin e shtetit nga mazhoranca dhe për të mbrojtur Shqipërinë demokratike, për të mbrojtur të ardhmen e saj evropiane”, - vlerësoi Milo. Po kështu kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi, duke qëndruar po në këtë linjë, nënvizoi se “opozitës i ka mbetur vetëm protesta, pra ajo ka armën më të fuqishme, që është mbështetja popullore”.

Qëndrimi

Në takimin e tyre të zhvilluar me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Socialiste krerët e Opozitës së Bashkuar diskutuan lidhur me veprimet e mazhorancës qeverisëse, konkretisht me punën që po bën Komisioni Hetimor parlamentar për ngjarjet e demonstratës së 21 janarit. Në deklaratat e tyre për shtyp drejtuesit opozitarë akuzuan kryeministrin Berisha se po tenton të bëjë grusht shteti brenda shtetit me qëllim rivendosjen e diktaturës në Shqipëri. “Akuzojmë mazhorancën dhe zotin Berisha se po shkon drejt realizimit të një grushti shteti brenda shtetit, pasi po tenton përqendrimin e të gjitha pushteteve ende të pavarura nën thundrën e tij. Ndodhemi përballë një kërcënimi shumë serioz dhe dramatik për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe me këtë rast opozita shpreh kundërshtimin me të gjitha mjetet demokratike, këtë tentativë për të realizuar grushtin e shtetit në Shqipëri dhe për të realizuar diktaturën e një njeriu të vetëm”, - vuri në dukje Milo.

21 janar

Në këtë datë Partia Socialiste ndërmori një tjetër nismë për të rrëzuar qeverisjen aktuale. Me sloganin “Sali, dorëzo bllokun” socialistët ftuan të gjithë qytetarët nga i gjithë vendi që të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të demonstruar kundër kryeministrit Berisha dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Përfshirja e kabinetit “Berisha” në afera korruptive ishte arma e fortë e PS-së për të mbështetur kërkesën e saj për largimin e kësaj qeverisjeje. Duke pasur si kryefjalë këtë fenomen, socialistët u bënë apel qytetarëve të demonstronin më 21 janar, tubim në të cilin humbën jetën tre qytetarë.

28 janar

Partia Socialiste organizoi një përkujtimore për tre protestuesit që humbën jetën në demonstratën e një jave më parë. Qytetarët u mblodhën në shesh, ku në mënyrë paqësore vendosën lule dhe ndezën qirinj në vendet ku u vranë protestuesit në demonstratën e organizuar nga opozita e bashkuar. I gjithë kortezhi përshkoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nën marshin e muzikës funebre, duke respektuar të gjitha porositë e dhëna nga përfaqësuesit socialistë. Në heshtje të plotë, përfaqësues e drejtues politikë, familjarë të viktimave, qytetarë nga i gjithë vendi përkujtuan tre demonstruesit.

Deklarata e Ramës

“Janë frika e pamat e një kryeministri që e di më mirë se kushdo se qeveria e tij ka vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, që pushteti i tij ka kalbur shtetin e qytetarëve për të ngritur regjimin e kusarëve, që videohajnia qeveritare nuk mund të mbulohet as duke gënjyer, as duke vrarë demonstrues të pafajshëm. Sepse këto të vërteta të pambulueshme përmes hetimeve paralele të një komisioni parlamentar të paligjshëm nuk i di sot vetëm i ashtuquajturi kryeministër, por i gjithë populli shqiptar. Dhe kur populli di të vërteta të tilla për qeverinë e tij, qeveria ka rënë, pavarësisht se sa mund të vazhdojë të rrijë ende më këmbë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›