E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta përkrah hetimin e zyrtarëve të lartë përmes tabulateve

31/01/2011  Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dy ditë pas demonstratës së Partisë Socialiste ka reaguar duke e cilësuar atë si një mbulim të sulmit që kreu i PS-së realizoi më 21 janar. “Për LSI-në 21 janari nuk ishte një ngjarje në bulevard. 21 janari ishte një sulm i mirorganizuar, i armatosur, i drejtuar nga Edi Rama kundër Këshillit të Ministrave për marrjen e pushtetit me dhunë. Për LSI-në 21 janari nuk ishte një surprizë, ne e kemi paralajmëruar prej kohësh se kreu i PS-së synonte të nxiste destabilitet në vend. Dhe jo vetëm kaq, por kemi paralajmëruar dy ditë para 21 janarit me përgjegjësi maksimale se për 21 janarin ishin mobilizuar banda, kriminelë, që do sulmonin forcat e policisë dhe institucionet. Ndërsa protesta-homazh e 28 janarit ishte mbulim i këtij sulmi”, - deklaroi Meta. Përmes një deklarate të dhënë dje pas mbledhjes së kryesisë së partisë Meta komentoi edhe veprimtarinë e Komisionit Hetimor parlamentar për zbardhjen e tabulateve telefonike të personave me imunitet. Ai deklaroi për këtë rast se gjithkush duhet të jetë i hapur dhe bashkëpunues për të bërë transparencën e ngjarjeve të 21 janarit. “Lëvizja Socialiste për Integrim përkrah përgjimin e skedarëve e komunikimeve telefonike të kërkuar prej Komisionit Hetimor parlamentar, që është ngritur për ngjarjet e 21 janarit. Ne jemi të hapur për çdo hetim që do të zbardhë ngjarjet e rënda të 21 janarit. Refuzimi i Partisë Socialiste dhe e deputetëve të saj vjen si pasojë e frikës së zbulimit të bisedave komprometuese gjatë demonstratës”, - tha kreu i LSI-së për këtë çështje. Meta u ndal edhe te zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit, duke deklaruar se LSI-ja pret dyfishimin e rezultateve. Para dy ditëve komisioni hetimor Parlamentar vendosi të përfshijë në procesin e hetimit tabulatet telefonike të zyrtarëve të lartë të shtetit, për të hetuar komunikimet që zyrtarët e lartë, kanë zhvilluar atë ditë me njëri-tjetrin apo me persona të tjerë jozyrtarë. Ndonëse ky komision herë pa here ka sqaruar se nuk ka kërkuar, as nuk kërkon të vejë në përgjim asnjë zyrtarë apo individ qytetar privat qoftë ai, çështja ka ngjallur debate në sektorin politik.

18-vjetori, Kryeministri i dhuron Bekimes një kompjuter

“Kush qëllon mbi fëmijët, do të ndëshkohet nga ligji”

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se ata që qëllojnë dhe godasin mbi fëmijët tanë të bekuar do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, kreu i qeverisë ishte në familjen e gjimnazistes Bekime Rexha për t’i uruar 18-vjetorin e lindjes. Maturantja gjatë demonstratës së 21 janarit u dhunua nga disa demonstrues në një nga bulevardet kryesore të Tiranës. “Erdha jo vetëm në emër të familjes sime, por para së gjithash në emër të të gjithë shkollarëve shqiptarë, të të gjithë bashkëmoshatarëve të Bekimes, të cilët aktin barbar, dhunën ndaj bashkëshollares dhe bashkëmoshatares së tyre e kanë përjetuar si një dhunë ndaj tyre”, - tha kryeministri. Shefi i ekzekutivit deklaroi se për atë që i ndodhi Bekimes ka marrë me qindra mesazhe nga gjimnazistë nga mbarë Shqipëria, të cilët kanë shprehur një ndjenjë revolte të thellë shpirtërore për atë akt të shëmtuar që ndodhi në një nga bulevardet kryesore të kryeqytetit. “Ne të urojmë të bëhesh 120-vjeçe, e lumtur, me atë jetë që meriton, ndërsa ata që qëllojnë dhe godasin mbi fëmijët tanë të bekuar do të marrin ndëshkimin e merituar ligjor”, - tha numri një i qeverisë. Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij i dhuruan Bekimes një buqetë me lule dhe një kompjuter.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›