Halimi: “Kryebashkiaku Rama të japë llogari për gjobat ndaj ndërtuesve”
Partia Demokratike e ka akuzuar kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se u vë gjoba 20 për qind firmave ndërtuesve. Në këto kushte, deputeti demokrat Eduard Halimi i ka bërë thirrje Ramës që t’u përgjigjet akuzave publike për vënie gjobash të ndërtuesve Dodë Doçi dhe Hajredin Fratëri. Pas akuzave të vazhdueshme për korrupsion të selisë rozë ndaj deputetes Albana Vokshi, selia blu ka më shumë se një javë që po i përgjigjet kampit kundërshtar me të njëjtën monedhë. Korrupsioni ka qenë retorika e kampit rozë për më shumë se një muaj dhe do të vazhdojë të bëjë publike të tjera raste që dëshmojnë lidhjen e qeverisë me korrupsionin.
Deklarata
“Ndërtuesit Dodë Doçi, Hajredin Fratëri dhe deputetja Albana Vokshi e kanë akuzuar Edvin Ramën për 20 përqindëshat e kërkuar prej tij dhe kanë paraqitur me fakte dhe dokumente, me firmë dhe vulë, gjobën prej 20 përqindësh që Mister Rama u pret firmave ndërtuese përmes sekserit të tij personal Dritan Lepuri apo Avllaj. Në dritën e dokumenteve të firmosura nga vetë Lepuri i tij, të gjithë kemi parë se vetëm nga një kontratë, Mister 20 përqindëshi me sekserin e tij përfitojnë vlerën 100 milionë euro. Unë dhe qytetarët po presim çdo ditë që zoti Rama t’u përgjigjet akuzave publike të ndërtuesve. Deri tani ai vetëm ka heshtur.
Qytetarët kanë pyetje të thjeshta: Pse fshihet Mister 20 përqindëshi? Pse ka kaq frikë kryetari i Bashkisë t’u përgjigjet akuzave? Ku fle lepuri i Bashkisë së Tiranës?”, - u shpreh Halimi.
Projekti
Deputeti demokrat, në deklaratën e tij për shtyp ka përmendur edhe planin e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e godinave në Liqenin Artificial të Tiranës. Halimi i bëri thirrje Ramës se PD-ja nuk do ta tolerojë një situatë të tillë. “Edvin Rama ka parashikuar 1 milion m2 ndërtim, duke autorizuar ndërtimin e godinave 30-katëshe, 4 herë më të larta se në të gjitha zonat e tjera të Tiranës dhe të Shqipërisë. I kërkojmë Mr. 20 përqindëshit të mos fshihet pas Lepurit dhe i garantojmë se kjo situatë nuk do të tolerohet”, - u shpreh deputeti Halimi.
Bashkia: Akuzat e Vokshit ndaj Ramës janë dëshpëruese
Akuzat për korrupsion ndaj Bashkisë së Tiranës nga Partia Demokratike janë si kundërpërgjigje ndaj akuzave të hershme të Partisë Socialiste. Kështu i ka cilësuar dje akuzat e deputetes demokrate Albana Vokshi ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, zëdhënësi i saj, Florion Serjani. Zëdhënësi Serjani ka deklaruar para mediave se institucioni i Bashkisë së Tiranës ka vendosur t’u japë përgjigje akuzave për korrupsion, të ngritura nga deputetja Vokshi në drejtim të kreut të Bashkisë, Edi Rama.
Serjani ka ftuar Drejtësinë që të bëjë drejtësi në lidhje me denoncimin ndaj deputetes Vokshi. “Për këtë akuzë të radhës të PD-së për leje ndërtimi, Bashkia e Tiranës ka gati akuzën e radhës dhe e fton Drejtësinë të bëjë drejtësi, ndërkohë që zonjës Vokshi i shprehim keqardhjen për humbjen e plotë të toruas”, - theksoi zëdhënësi Serjani.
“Bashkia i përgjigjet me një kallëzim penal deputetes Vokshi. Akuzat e saj vijnë si kundërpërgjigje për akuzat që më herët PS-ja ka ngritur ndaj Vokshit, se ajo dhe bashkëshorti i saj kanë abuzuar me detyrën që ushtronin, me qëllim përfitimin”, - u shpreh Serjani. Sipas tij, ndaj çdo akuze konkrete për korrupsion, qeveritarët tanë përgjigjen me nga një përrallë me leje ndërtimi. “Për çdo fakt që prodhon përfitimin e paligjshëm, pushtetarët përpëliten duke tundur letra pa vlerë, që i tregojnë si letra ndërtimi. Një letër të tillë tundi me dëshpërim edhe deputetja Vokshi, e zënë mat nga provat tronditëse të abuzimit me pushtetin”, - u shpreh Serjani.
Reagimi
METE: Projekti hidroenergjetik mbi lumin Kardhiq, konform ligjit
Pas akuzave të Partisë Socialiste për korrupsion, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Durim Kraja, deklaroi dje se procedura e ndjekur për dhënien me koncesion të projektit hidroenergjetik mbi lumin Kardhiq është e njëjtë me të gjithë procedurat, që METE ka zhvilluar në konformitet të plotë me kuadrin ligjor në emër të transparencës të procesit dhe garantimit të konkurrueshmërisë. Kraja hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita se “Kompania “Alba energjia Plus” me përfaqësues Arian Tartarin, ka marrë dy kontrata koncesioni jo nëpërmjet një procedure të hapur konkurrimi, por nëpërmjet bonuseve të dhëna drejtpërdrejt si dhe ka marrë 6 hidrocentrale brenda një dite”. Sipas tij, ky informacion nuk është i saktë, pasi ai nuk përfaqëson aspak të vërtetën. “Kompania “Alba energjia Plus shpk. është ndër disa dhjetëra kompani shqiptare që kanë marrë iniciativën e vështirë për të investuar në sektorin hidroenergjetik shqiptar”, - tha Kraja. Ai shtoi se koncensionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë tërësisht private, ku investitori merr riskun e projektimit, ndërtimit, operimit, rinovimit të teknologjisë si dhe transferimit tek shteti brenda 35 viteve. Kraja tha se, bëhet fjalë vetëm për një kontratë koncesioni për shfrytëzimin hidroenergjetik të lumit Kardhiq, ndërkohë që procedura e evidentimit dhe e prezantimit të këtij propozimi ka qenë në 21 mars të vitit 2007 dhe vetëm pas një procesi të gjatë e kompleks vlerësimi në përputhje me procedurat dhe afatet ligjore në fuqi, është firmosur kontrata me ofertuesin fitues në datën 9 shtator të vitit. 2009.
Kërkesa
Gaçi: “Ministri Prifti të bëjë publike kontratën për lumin Kardhiq”
Partia Socialiste i kërkoi dje Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës të bëjë publike kontratën e koncesionit për lumin Kardhiq. Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, reagoi dje pas deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të METE-s, Durim Kraja, i cili deklaroi se procedura e ndjekur për dhënien me koncesion të projektit hidroenergjetik mbi lumin Kardhiq është e njëjtë me të gjithë procedurat e tjera. “Prifti, le ta publikojë atë kontratë, të plotë, e pastaj të na thotë sa hidrocentrale do ndërtohen dhe cila është firma përfituese. Këshilla sekretarin e Përgjithshëm të METE-s është që të mos përdoret politikisht”, - apeloi Gaçi, duke shtuar: “Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është përdorimi i nëpunësve civile nga politika. Sekretari i Përgjithshëm i METE-s, Durim Kraja, hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita se "Kompania “Alba energjia Plus”, me përfaqësues Arian Tartarin, ka marrë dy kontrata koncesioni jo nëpërmjet një procedure të hapur konkurrimi, por nëpërmjet bonuseve të dhëna drejtpërdrejt, si dhe ka marrë 6 hidrocentrale brenda një dite”.
24 Gusht 2010