E Diel, 1 Nëntor 2026

Ferati: “Zgjidhja për Mitrovicën, qytet me dy komuna”



Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, në një intervistë për BBC-në ka deklaruar se zgjidhja e problemit të veriut të Kosovës nuk mund të bëhet as përmes shkëputjes së asaj pjese dhe, as përmes dhënies së një autonomie të gjerë për Mitrovicën.
Sipas ministrit, pakoja e Ahtisarit që propozon integrimin e Mitrovicës përmes modelit “një qytet me dy komuna” është zgjidhja e vetme për këtë problem. Ai tha se në veri të Mitrovicës me shumicë serbe ka një deficit shumë të madh të sundimit të ligjit, ndërsa gjendjen atje e përshkroi si të tensionuar. Ndërkohë Ferati përmendi edhe deklaratën për pavarësi të Veriut, duke konsideruar se edhe vetë serbët u distancuar nga ky veprim. “Edhe vetë Beogradi u detyrua të reagojë dhe të thotë se nuk është pjesëmarrës i kësaj ideje, mirëpo edhe një numër i konsiderueshëm i serbëve nga pjesët e tjera të Kosovës reaguan dhe kundërshtuan diçka të tillë, pasi ajo do t’i dëmtonte interesat e serbëve, sepse serbët nuk janë vetëm në Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, por ata janë kudo nëpër Kosovë”-tha Ferati, duke konsideruar se edhe vetë Beogradi e di se diçka e tillë është e rrezikshme. Përsa i përket idesë së dhënies së statusit special për Mitrovicën apo dhënies së një autonomie të ngjashme me atë të Tirolit Jugor, ministri u sh preh se idetë për t’ia bërë dikujt qejfin, në radhë të parë flas për Beogradin, janë të dëmshme. “Kur flitet për një kualitet të jetës këtu dhe për të drejtat e njeriut, pra, për të drejtat e qytetarëve të komunitetit serb, vetëm po të analizojmë statusin e një komune të Kosovës, ajo është diçka më shumë se sa vetë Tiroli apo kur flitet për shumë çështje të tjera. Prandaj pakoja e Ahtisarit ka dizajnuar një projekt të tillë që ka maksimalizuar të drejtat për komunitetet dhe vetë shpallja e Kosovës si një shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pra, shtet joetnik, nënkupton Kushtetutë dhe ligje që do të sigurojnë barazinë qytetare dhe kjo është diçka më e mira që e ka parë njerëzimi” tha ministri Ferati. Por, kreu i ministrisë së pushtetit lokal shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve për komunën e re të Mitrovicës Veriore, pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë.
“Duhet të sigurohet një ambient ku sundon ligji, një ambient i sigurt për qytetarin, ku qytetari lirshëm të krijojë idetë e tij, lirshëm të shprehë interesat e tij, lirshëm të votojë për përfaqësuesit që do” u shpreh ministri Ferati.

Gjeliç: “Rezoluta për Kosovën nuk do të modifikohet”

Zëvendëskryeministri serb Bozhidar Gjeliç ka bërë të ditur se nuk do të ketë tërheqje e as modifikim te rezolutës për Kosovën.
Sipas Gjeliç ky është qëndrimi përfundimtar i politikës së Beogradit. “Ne do të refuzojmë edhe ofertën e shefit të diplomacisë gjermane, Vestervele, i cili të enjten në Beograd do të kërkojë në emër të BE-së, që Serbia të fshijë pjesë të tekstit të rezolutës, ku përmendet statusi i Kosovës", tha Gjeliç. Ndërkohë një ditë më parë shtypi serb bëri të ditur se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do ta shqyrtojë rezolutën për Kosovën, të cilën e ka paraqitur Beogradi zyrtar pas shpalljes së Mendimit të GJND-së, më 9 shtator. Po në të njëjtën ditë do të duhej të mbahej edhe votimi, por kjo do të varet nga shqyrtimi dhe nga vendimi, të cilin në konsultime me palët e interesuara në OKB, do ta marrë Libia, vendi kryesues i Asamblesë së Përgjithshme. Sipas gazetës “Danas” e cila i referohet kreut shtetëror serb, Libia ka respektuar kërkesën që shqyrtimi të mbahet më 9 shtator, në ditën kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të shqyrtojë rezolutën e Azerbejxhanit në lidhje me situatën në Nagorni-Karabakh. Këtë ditë, në mbledhje për herë të parë do të marrë pjesë ambasadori i BE-së, i cili ka marrë statusin e vëzhguesit në Organizatën botërore. 9 shtatori ka theksuar burimi i “Danas”, është dita që mund të bëhet votimi i rezolutës i cili do të jetë “i vështirë, por jo qëllim i pamundur”.

Kili, një letër tregon shenja jete të minatorëve të zhdukur

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera ka treguar letrën e dërguar nga minatorët e ngujuar prej 17 ditësh në minierën San Esteban.
Ekspertët thonë se procedura e nxjerrjes së minatorëve nga miniera në Kili mund të zgjasë nga 3-4 muaj. Raportimet nga miniera e bakrit dhe arit e San Estebanit, në veri të Kilit, thonë se gurët e rrëzuar në masë të madhe më 5 gusht janë jo të qëndrueshëm dhe se mund të ketë edhe lëvizje të tjera gurësh.
Kjo i komplikon tentativat e shpëtimit, ndërsa ekspertët e minierës tregojnë se ata do të fillojnë me shpimin e një grope në formë pusi në një zonë që nuk është prekur nga lëvizjet e gurëve.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar ishin pakësuar deri në momentet kur një sondë e futur thellë nën tokë doli në sipërfaqe me një letër ku me ngjyrë të kuqe shkruante se të gjithë minatorët e ngujuar, pikërisht 33 të tillë janë mirë dhe se janë vendosur në një strehë emergjente. Të afërmit e mbledhur pranë minierës këndonin nga gëzimi derisa presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, u tregonte për lajmin.

Athinë
15 pengje në një bankë të Pireut

Një grabitës banke që tentoi të vidhte një bankë në Pire të Athinës, ka marrë peng disa njerëz dhe ka negociuar me policinë për lirimin e tyre. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme në periferi të kryeqytetit helen ku dy grabitësit shtinë me armë zjarri në afërsi të National Bank ku ndodheshin rreth 15 klientë. Njëri prej tyre është arrestuar nga policia, ndërsa tjetri u mbyll në ndërtesë bashkë me pengjet. Sipas të dhënave, një person ka marrë plagë të rënda dhe është shtruar me urgjencë në spital.

Filipine
Vritet pengmarrësi i autobusit në Manila

Policia filipinase në Manila ka vënë nën kontroll autobusin ku një person i armatosur po mbante peng 16 persona, duke e vrarë atë. Policia rrethoi autobusin dhe nisi operacionin, pasi u dëgjuan të shtëna brenda automjetit. Shumë nga pengjet janë parë të largohen nga autobusi pas ndërhyrjes së policisë. Drama e pengjeve filloi nëntë orë më parë, kur pengmarrësi rrëmbeu një autobus me 25 pasagjerë. Shumica e pengjeve besohet se janë turistë nga Hong Kongu. Rrëmbyesi ishte një ish-polic, i larguar nga forcat e rendit.

Pakistan
21 të vrarë e 40 të plagosur nga shpërthimet

Së paku 21 persona janë vrarë dje nga dy shpërthime në Vaziristan dhe në Kuram, dy rajone fisnore pakistaneze. Në mesin e viktimave është dhe një figurë e njohur e politikës vendase. Sulmi në Vaziristan u krye nga një sulmues i armatosur në një xhami. Nga ky shpërthim 16 veta u vranë e mbi 30 të tjerë u plagosën. Në Kuram shpërthimi ndodhi në një shkollë, ku po mbahej takimi i pleqve të zonës. Pesë persona u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën në këtë incident. Zon ku ndodhi incidenti i dytë cilësohet si një nga rajonet ku përballen shpesh myslimanët sunitë dhe ata shiitë.

24 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›