E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: “Ministrat e qeverisë të bëjnë publike pasuritë e tyre”



Eneida Jaçaj

Maxhoranca dhe opozita kanë vazhduar debatin e tyre në distancë për akuzat për korrupsion. Ka qenë deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, e cila dje u ka bërë thirrje ministrave të qeverisë të deklarojnë pasuritë dhe lejet koncesionare që mund të kenë përfituar në emër të familjarëve të tjerë. Edhe pse Partia Socialiste do të vazhdojë të publikojë në vazhdimësi raste abuzive me detyrën, këtë herë e ka ftuar maxhorancën ta bëjë vetë transparencën mbi pasuritë e saj përpara opinionit publik.
Apeli
“Siç u kemi premtuar shqiptarëve, Partia Socialiste do të vazhdojë të publikojë dokumente në lidhje me aferat korruptive në dhënien e licencave e koncesioneve për përfitimin e oborrit familjar e politik të Sali Berishës. Por, përpara se të publikojmë provat e faktet për këto afera, po u japim edhe një mundësi për të bërë qetësisht transparencën përpara opinionit publik të ndonjërit prej ministrave që mund të ketë harruar të deklarojë përfitimet e kunatit apo kunatës nga koncesionet e Priftit e të Saliut”, - u shpreh Xhaçka, duke shtruar pyetjet: “A ka ndonjëri prej jush ministra të qeverisë ‘Berisha’ një kunat apo kunatë që ka përfituar pasuri publike për llogarinë tuaj? Mos vallë ndonjëri prej jush ka, fjala vjen, ndonjë hidrocentral që gabimisht mund ta keni vënë në emrin e kunatit apo të kunatës dhe ndërkohë, si pasojë e ngarkesës së madhe me punët e shtetit keni harruar t’ia bëni letrat siç duhet? Apo mos vallë ka ndonjëri prej jush ndonjë kunat apo kunatë që me kokën e vet ka marrë koncesionin pa dijeninë tuaj?”.
Transparenca
Partia Socialiste u ka bërë thirrje ministrave të qeverisë që të bëjnë transparente pasuritë e tyre duke i ballafaquar edhe me faktet që ka nxjerrë opozita. “Ne realisht shpresojmë që faktet që ne disponojmë të mos jenë të sakta, por për të na siguruar se nuk jemi duke ia futur kodra pas bregut, u lutemi ministrave të qeverisë ‘Berisha’ të dalin e të bëjnë transparencë. Kjo është ajo që kërkon jo vetëm Partia Socialiste, jo vetëm publiku shqiptar, por edhe një pjesë e mirë e deputetëve e përfaqësuesve të maxhorancës, të cilët, ashtu si ne, janë të shqetësuar nga dyshimet për korrupsionin qeveritar”, - u shpreh deputetja Xhaçka.

Box
Akuzat
Fakte të reja kanë dalë çdo ditë nga Partia Socialiste, të cilat dëshmojnë lidhjen e deputetes demokrate Albana Vokshi dhe familjes Berisha me korrupsionin. PS-ja ka zbuluar se kryeministri Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike Vokshit, duke i krijuar lehtësira në marrjen e dy tenderëve kompanisë së bashkëshortit të saj, Arian Tartari. Partia Socialiste, që në krye të herës ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.

Vokshi: “Rama të firmosë ngritjen e një komisioni hetimor për pasuritë”

Kampi blu ka vijuar sulmet e vetëmbrojtjes ndaj akuzave të Partisë Socialiste për korrupsion.
Deputetja demokrate, Albana Vokshi, e ka ftuar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, që të firmosë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e pasurive të deputetëve të majtë dhe të majtë. “Zoti Rama, nëse nuk ke guxim, kurajë dhe burrëri, të ballafaqohemi në një debat televiziv me fakte dhe dokumente, atëherë urdhëroji deputetët e tu të firmosim bashkërisht iniciativën për një komision hetimor parlamentar. Komision, i cili të bëjë një hetim të hollësishëm të të gjitha pasurive të mia dhe të personit me të cilin bashkëjetoj, gjithashtu të pasurive të tua dhe personave me të cilët ke bashkëjetuar dhe po bashkëjeton”, - u shpreh Vokshi. Nëse Rama nuk do ta pranojë këtë komision, Vokshi deklaroi se do ta ndërmarrë vetë krijimin e tij. “Zoti Rama, mos u fshih pas sekserëve dhe bashkëmëkatarëve të tu bashkiakë. Nxirre lepurin nga barku dhe dil të faktosh akuzat”, - iu drejtua Vokshi kreut të opozitës. Edhe deputetja demokrate, Adriana Gjonaj, ka qenë në të njëjtën linjë. Edhe ajo i ka kërkuar liderit të opozitës, Rama, të pranojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. “Në deklaratën e tij të pasurisë, kryetari i pastrehë i Partisë Socialiste, ky fakir fukara, ka deklaruar se zotëron vetëm 3 mijë euro. Jam këtu para jush për t’i bërë thirrje Edvin Ramës të deklarojë pasuritë e të gjithë partnerëve të 12 viteve, por edhe ta pyes se pse nuk e ka bërë transparencën e serialëve të partnerëve, ndërkohë që e pretendon këtë nga një grua?” - u shpreh Gjonaj, duke shtuar: “Sinqerisht, si deputete e ftoj zotin Rama të ndryshojmë bashkë ligjin, të ngremë komision hetimor parlamentar për të gjithë partnerët e deputetëve të majtë dhe të djathtë e të çdo zyrtari të lartë, e të mos fshihesh pas kutisë së Lepurit”.

Hetimi i Vokshit, Berisha: “Duhet të ndryshojë ligji për deklarimin e pasurive”

Kryeministri Sali Berisha, dje, nga kalaja e Petrelës ka reaguar për akuzat që Partia Socialiste ka bërë prej disa javësh në lidhje me deklarimin e pasurisë së bashkëshortit të deputetes demokrate Albana Vokshi. Sipas kryeministrit, e vetmja mundësi për t’i dhënë rrugë hetimit është ndryshimi i ligjit për deklarimin e pasurive. “Duhet të hartohet një ligj i ri ku të bëhet i mundur edhe deklarimi i pasurisë prej personave që bashkëjetojnë me personat publikë”, - është shprehur kryeministri. Berisha ka theksuar se hartimi i ligjit për bashkëjetuesit është i domosdoshëm, ndërsa nënvizoi se shpreson që një ligj i tillë të përkrahet edhe nga Partia Socialiste. Ai nuk ka ngurruar të flasë ndër të tjera edhe për çështjen e hapjes së kutive. Berisha tha se rinumërimi i kutive do të bëhet vetëm në rast se vendosin institucionet e Drejtësisë, në këtë rast Gjykata Kushtetuese, së cilës duhet t’i drejtohet PS-ja. Kreu i qeverisë është shprehur se PD-ja i ka marrë seriozisht propozimet e PS-së, por, sipas tij, respektimi i institucioneve është i domosdoshëm. “Kemi vendim gjykate për rinumërimin e kutive të votimit dhe Partia Socialiste mund t’i drejtohet Gjyqësorit për kutitë”, - u shpreh kryeministri. Ndër të tjera, Berisha vlerësoi politikat e qeverisë si baza për arritjet e vendit dhe njëherësh apeloi opozitën për të parë nga afër Shqipërinë që ndryshon. Kryeministri theksoi se investimet në infrastrukturë janë rritur, ashtu si janë shumëfishuar potencialet ekonomike. Berisha tha se qeveria shqiptare ka ndërtuar 6 mijë kilometra rrugë në gjithë vendin. Ai theksoi se revista prestigjioze "Newsweek" e cilësoi Shqipërinë një prej 100 vendeve ku jetohet më mirë. "Në këtë vend u shumëfishuan potencialet ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Reformat e thella bënë të mundur shumëfishimin e investimeve. Këto 5 vite, në epiqendër të investimeve vendosëm sistemin arsimor", - theksoi Berisha. Sipas tij, sistemi shëndetësor njohu reforma të thella. Duke iu drejtuar opozitës, Berisha tha se duhet të shohë nga afër Shqipërinë që po ndryshon. "Ftoni Ramën dhe jepini një kafe këtu në kafenetë tuaja që të prekë nga afër realitetin. Të dalin opozitarët nga kullat e Fidelit e të shohin Shqipërinë që ndryshon çdo ditë", - u shpreh kryeministri Berisha.

24 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›