Halimi: Nisim ndërtimin e burgjeve private, fillimisht për 300 të dënuar
Tiranë- Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka deklaruar sot se projekti i burgjeve private, do të nisë me ndërtimin e një burgu ku do të vuajnë dënimin 300 persona të dënuar me më pak se 5 vjet burg.
Në fjalën e tij gjatë një tryeze të zhvilluar mbi reformën në burgje, ai shprehet se krijimi i burgjeve private është me shumë interes për shtetin, pasi krijon kushte për integrimin e të burgosurve.
Paketa penale dhe reforma e burgjeve bashkëlidhen për të luftuar me vendosmëri kriminalitetin. Nëse qëndrojmë tek ashpërsimi i dënimit, burgjet do të tejmbusheshin dhe do të ishte një kosto për buxhetin e shtetit. Ndaj u propozua privatizimi i burgjeve. Ne duam që sistemin e burgjeve ta fokusojmë vetëm në ato raste për ata të dënuar që kanë vetëm 5 vjet dënim. Tendenca e sistemeve të sotme perëndimore është të privatizohen shërbimet bazë,- deklaroi Halimi.
Meqë ky projekt bazohet në modelin britanik, i pranishëm ishte dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon, i cili ka thënë se duhet të bëhet akoma dhë më shumë punë që të dënohen vetëm personat fajtorë, kjo sepse burgjet kanë një kosto të lartë për shtetin.
Mbyllja e individëve në burgje kushton, prandaj është e rëndësishme që të bëjë të mundur që në burgje të shkojnë vetëm ata që e meritojnë. Eshtë e rëndësishme që të menaxhohen kostot e burgimit paralelisht me ruajtjen e standardeve. Në këtë rast mund të shërbejnë burgjet private,- tha ambasadori.