Halimi: Opozita të miratojë ligjet me 3/5 për statusin, reforma në drejtësi, proces i gjatë dhe i vështirë

EURALIUS dhe Ministria e Drejtësisë, reformë për modernizimin e administratës gjyqësore
Misioni EURALIUS në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë lançuan dje një nga reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor atë të administratës gjyqësore. Nisma ka për qëllim diskutimin mbi propozimet për një ligj të ri për administratën gjyqësore.
Sipas opinionit të disa ekspertëve ndërkombëtarë një nga problemet kryesore në gjykatat shqiptare është mungesa e procedurave të qarta dhe transparente për rregullimin ligjor të administratës së gjykatave sipas standardeve Evropiane.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e konsideroi projektligjin si mënyrën më të mirë për të modernizuar administratën gjyqësore e cila i jep asaj një status të ri, që mbron, përforcon dhe garanton administratën e gjykatave. “Reforma e administratës gjyqësore, është një nga çelësat kryesore të forcimit të besimit të publikut tek drejtësia. Takimin e parë me sistemin e drejtësisë, qytetarët e kanë me administratën gjyqësore. Perfomanca e saj është thelbësore në klimën e besimit të qytetarëve tek sistemi. Reforma që do të prezantohet edhe në këtë Konferencë mban në konsideratë tipologjinë e organizimit të pushtetit gjyqësor, që për nga pikëpamja e organizimit, ku çdo gjykatë drejtohet me kompetenca të plota administrative nga Kryetari i Gjykatës. Rregullat e reja pritet të krijojnë një fushë intensive bashkëpunimi, nën parimin e roleve dhe përgjegjësive të ndara, midis kryetarit dhe kancelarit të gjykatës. Përcaktimi i përgjegjësive merr rëndësi parësore sepse i shërben rritjes së efektivitetit dhe përmirësimit të ndjeshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve. Unë jam i bindur se ky projektligj fillestar do të ketë diskutime, sepse çdo reformë, sidomos kur ecet në një rrugë tërësisht të re si kjo e sotmja, përballet me diskutime dhe skepticizëm. Por jam i bindur se kjo reforme do të gjejë mbështetjen e drejtuesve të gjykatave në radhë të parë, të cilët do të ngrihen në lartësinë e liderit, jo për të diskutuar mos lëvizjen nga status quo-ja por për të diskutuar reformimin, për të diskutuar arritjen e standardeve më të mira evropiane”, u shpreh ministri Halimi.
Sipas tij, reforma në sistemin e drejtësisë kërkon rëndësinë e duhur, pasi është ndër kriteret bazë të komisionit evropian.
Në këtë drejtim, ministri Halimi tha se, “opinioni i BE e cilëson reformën e rishpërndarjes se gjyqtareve, si një reformë të domosdoshme dhe nxit institucionet të përfundojnë sa më parë këtë reformë. Synimi ynë është që brenda muajit të fillojë riorganizimi i ri i gjykatave i cili do t’i japë një frymëmarrje të re sistemit gjyqësor dhe një fizionomi të re secilës gjykatë”, theksoi Halimi.
Ministri i Drejtësisë vlerësoi reformat e kryera në bashkëpunim me EURALIS në sistemin e drejtësisë duke arritur të përmirësojë efiçencën në gjyqësor duke u udhëhequr nga standardet më të mira. “Reformat në drejtësi janë kryer me sukses. Kemi arritur të përmirësojmë efiçencën në gjyqësor nëpërmjet marrjes së vendimeve shumë të rëndësishme, në bashkëpunim me misionin EURALIUS”, theksoi Halimi.
Ai solli në vëmendje se është shënuar progres në reformimin e sistemit të drejtësisë, siç janë dixhitalizimi, reformimi i noterisë, reformimi i përmbarimit gjyqësor apo dhe çelja e portalit on-line për regjistrimin e pronave. “Kur flisnim para një viti për planin tonë të jashtëzakonshëm për dixhitalizmin e drejtësisë, shumë ishin skeptike, madje ndonjë edhe na përqeshi. Por sot një vit më vonë, me të drejte krenohemi se kemi plotësuar, një nga një, dixhitalizmin e çdo sektori të drejtësisë. Kemi reformuar noterinë duke u bërë vend lider në rajon për sistemin elektronik të të dhënave mbi pasuritë, kemi ndërtuar portale on-line për regjistrimin e pronave, kemi reformuar përmbarimin gjyqësor dhe një sistem dixhital për menaxhimin me module të reja është në finalizim, kemi ndërtuar një sistem gjyqësor tërësisht dixhital, me seanca gjyqësore tërësisht elektronike, me sistem audio dhe shume shpejt video, sistem tërësisht dixhital të përpunimit të dosjeve, portal on-line për gjyqtarë e qytetarë, duke e bërë realitet angazhimin tone. Fjalët kyçe që kanë përshkuar masat reformatore kanë qenë përgjegjshmëria, efikasiteti dhe lufta kundër korrupsionit përmes rritjes së transparencës”, tha ai.
Ndërkaq, avancimin e reformave ministri i Drejtësisë e sheh edhe tek vullneti politik në parlament. Halimi i bëri thirrje Partisë Socialiste të japë konsensusin për miratimin e ligjeve me 3/5, kritere këto të kërkuara nga BE-ja për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Shqipëria është duke përjetuar momente të rëndësishme historike në drejtim të aspiratës të saj evropiane. Opinioni i bërë publik disa javë më parë nga Komisioni Evropian, është padyshim një vlerësim për reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve, por shërben edhe si një nxitje për të vijuar thellimin e tyre, në funksion të përafrimit të legjislacionin shqiptar me atë të vendeve më të përparuara të Bashkimit Evropian. BE kërkon miratimin e ligjeve me 3/5 dhe këto ligje ashtu si dhe ky që po prezantohet sot. Ato janë ligje që i ndihmojnë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë. Ato ndihmojnë qytetarët, votuesit tanë në parlament, janë ligje që përmirësojnë jetën e tyre dhe që afrojnë Shqipërinë me standardet evropiane. Është e vërtetë që ky ligj nuk është në ato tre ligje që kërkohen të miratohen deri në 15 nëntor, por edhe ky ligj është i rëndësishëm. Reforma e drejtësisë është një proces i gjatë dhe i vështirë”, deklaroi ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.
Në Konferencën e organizuar për prezantimin e Projektligjit “Për Administratën Gjyqësore” ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, Drejtuesi i Misionit EURALIUS, Joaquin Urias, shefi politik i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Clive Rumbold, Kryetarë dhe Kancelarë të Gjykatave të Gjykatave të Rrethit dhe të Apelit, Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Drejtësisë, Administrata Publike dhe Organizata të të Drejtave të Njeriut si edhe të palë të interesuara në Sistemin Shqiptar të Drejtësisë si dhe eksperti për këtë çështje Joze De Lamata.
Projektligji i propozuar nga EURALIUS dhe Ministria e Drejtësisë
Projektligji i propozuar adreson edhe gjetjet e Komisionit Evropian, sipas të cilit “mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për administratën gjyqësore në përputhje me standardet evropiane, me gjykata dhe staf gjyqësor të organizuar në mënyrë të qartë, pengon transparencën dhe efiçencën në aktivitetet e gjykatave”.
Ai mban në konsideratë tipologjinë e organizimit të pushtetit gjyqësor, që për nga pikëpamja e organizimit, ku çdo gjykatë drejtohet me kompetenca të plota administrative nga Kryetari i Gjykatës.
Reforma e propozuar gjeti mbështetjen e drejtuesve të gjykatave. Gjatë analizës që kryetarët e gjykatave i bënë ndryshimeve ligjore të propozuara u vu re një mirëkuptim rreth modelit të ri mbi të cilën do tentohet të funksionojë administrata gjyqësore.
Kjo reformë vjen pas shumë reformash të suksesshme që ministri Halimi ka kryer. Është ndërtuar një sistem dixhital, bazuar në transparence; është reformuar noteria, përmbarimi, regjistrimi i pronave ndërsa brenda muajit nëntor do të bëhet rishpërndarjen e gjyqtareve.