E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: PS deklarata hipokrite për ish-të përndjekurit

TIRANE- Reagimin e Partisë Socialiste për të përndjekurit politik ministri i Drejtësisë Eduard Halimi e ka cilësuar si veprim hipokrit. Sipas Halimit kjo parti duhet të kërkojë falje që masakroi qindra gra e burra për 50 vjet. Nga ana tjetër Halimi tha se të përndjekurit politik janë prioritet i qeverisë për një dëmshpërblim të plotë.

“Veprimi më hipokrit që mund të bëjë një forcë politike, që mund të bëjë ish-partia komuniste apo Partia Socialiste që për 50 vjet masakroi me qindra gra burra dhe fëmijë. Veprimi i parë që mund të bëjë PS është të kërkojnë falje publike për krimet e bëra. Për 8 vjet PS dha zero lekë për të përndjekurit, zero skemë pensioni për pensionet. Është e papranueshme që pas gjithë asaj odiseje të dalësh dhe të hedhësh lot krokodili për të përndjekurit”, tha Halimi.

Sipas Halimit është zgjeruar spektri i përfituesve të dëmshpërblimit dhe kjo në sajë të dialogut që PD ka me të përndjekurit.
“Kemi zgjeruar spektrin e përfituesve të skemës së dëmshpërblimit. Zgjerimi i grupit do të sjellë një sërë kërkesash të reja. Për këstin e parë nuk ka më kërkesa për të bërë. Shpërndarja e këstit të dytë fillon më 26 mars për 11 500 të përndjekurit që kanë marrë këstin e parë. Të parët që do marrin do të jenë të gjithë personat të mbetur gjallë mbi 65 vjec sipas radhës kronologjike që kanë marrë këstin e parë. Pasi të mbarojnë këta që janë mbi 65 vjec do të vazhdohet me pjesën tjetër sipas radhës kronologjike që kanë marrë këstin e parë. Procedurat për shpërndarjen e këstit të dytë kanë zero burokraci. Por ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për të përfunduar shqyrtimin për 30 ditë. Mund të ketë shumë persona që janë varur nga komunizmi dhe për të cilët nuk ka pasur vendim dhe do të dëmshpërblehen.

Ministri reagon dhe për aktet e dhunës nga disa të përndjekur kundrejt zyrtarëve të PD-së. “Respektoj cdo ish-të dënuar politik, por secili që kryen veprime në kundërshtim me ligjin duhet të përballet me të dhe me sistemin e drejtësisë”.

Instituti i të përndjekurve politik dhe shoqatat e tyre kanë kërkuar zgjerimin e periudhës së klasifikimit të krimeve të komunizmit, ndërsa Halimi komentoi se, “Jemi të vendosur për të dëmshpërblyer të përndjekurit. Cdo person që është shtruar në spital psikiatrik për arsye politike do të përfitojë një shumë prej 2 mijë lekësh për cdo ditë qëndrimi. numrit i këtyre përllogaritet rreth 200 persona. Të përndjekurit kanë një dialog të jashtëzakonshëm me qeverinë. Ata
kanë përcaktuar dhe kërkuar skemën e shpërblimit të viteve të burgut në saj të dialogut konstruktiv mes PD dhe të përndjekurve. Në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur rreth 21 mijë kërkesa, 4 mijë kërkesa për telet me gjemba dhe internimet, 11 500 kërkesa janë miratuara dhe kanë marrë këstin e parë, 2 mijë kërkesa të pushkatuarve pa gjyq”, vijoi Halimi.
(ma.ar/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera PS, Bazhdari: Berisha po mashtron të përndjekurit me shifra false

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›