Halimi: Po punojmë për të hartuar ndryshimin
Pavarësisht se me vonesë, Ministria e Drejtësisë nga e cila varet edhe “Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave”, ka nisur të punojë për të hartuar projektligjin me anë të të cilit do të propozohet edhe shtyrja e afatit e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje vetë ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili i kontaktuar nga gazeta MAPO ka bërë të ditur se lidhur me këtë çështje po punohet. “Jemi në dijeni të kësaj çështjeje dhe po punojmë duke bashkërenduar veprimet edhe me ministritë e tjera, të cilave u kemi kërkuar opinion”, - tha Halimi. Ndërkohë që lidhur me boshllëkun që krijon skadimi i ligjit në fund të këtij viti, ministri ka bërë të ditur se kjo s’ka për të ndikuar në proces, pasi çdo gjë do të rregullohet shumë shpejt. Por siç bëhet e ditur, ajo që ka vonuar ministrinë në paraqitjen e këtij projektligji, është se ajo po kërkon të përfshijë në të dhe një sërë amendimesh të tjera që kërkojnë të rregullojnë boshllëqet e krijuara nga dy vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar disa nene. Më të fundit ishin ato që u njohën si amendamentet “Alibeaj” dhe që kishin të bënin me dhënien e kompetencave të AKKP-së për të shqyrtuar të gjitha vendimet e dhëna nga komisionet rajonale. Përveç tyre janë duke u ripunuar edhe dy nisma të tjera të paraqitura në verën e këtij viti nga mazhoranca, por që për shkak të problematikave që mbartnin nuk u pranuan nga komisioni i Ligjeve duke iu kërkuar propozuesve që t’i rishikojnë.