Totozani kalon me konsensus te Ligjet, sot votimi në Kuvend
Megjithëse miratimi ishte i paravendosur, nuk kanë munguar debatet për kandidaturën e Igli Totozanit për shkak të përkatësisë politike. Alibeaj: Po eksperimentojmë me kandidatura politike në institucione kushtetuese
Igli Totozani i paraqitet sot seancës plenare për miratim, pasi dje mori pëlqimin e mazhorancës dhe opozitës në komisionin e Ligjeve, pavarësisht hijeve të dyshimit të ngritura në këtë mbledhje si një kandidaturë politike. Pas një prezantimi të shkurtër të formimit të tij profesional dhe objektivave në krye të institucionit të Avokatit të Popullit, kandidatura e Totozanit nuk ka qenë e nevojshme të hidhet në votim, pasi palët kanë vendosur të respektojnë marrëveshjen e arritur disa javë më parë mes shumicës dhe opozitës, ku të djathtët merrnin përsipër të votonin çdo kandidaturë që do të sillnin socialistët për kreun e këtij institucioni. Pavarësisht mirëkuptimit në këtë pikë, të djathtët dhe të majtët në komisionin e Ligjeve janë përfshirë në debate lidhur me kandidaturën e Totozanit, për shkak të së shkuarës së tij profesionale dhe angazhimit të tij publik, shpesh në kritikë të qeverisë.
Prezantimi
Në një mbledhje të fundit për këtë vit, komisioni i Ligjeve ka marrë në shqyrtim dje kandidaturën e Igli Totozanit, të propozuar nga 28 deputetë socialistë për postin e Avokatit të Popullit. Fillimisht kryetari i komisionit, Ilir Rusmali ka ftuar Totozanin që t’i bëjë një prezantim kandidaturës së vet, ku ky i fundit në mënyrë të shkurtër ka paraqitur edhe idetë për mënyrën sesi duhet të funksionojë dhe ku duhet të përqendrohet puna e Avokatit të Popullit. Më pas Totozani iu është përgjigjur atyre pak pyetjeve të bëra nga deputetët e mazhorancës, si Mesila Doda dhe Ilir Rusmali. Ky i fundit, duke e konsideruar si të njohur tashmë publikisht se kandidatura e Totozani ishte zgjedhur përmes një procedure partiake, e ka pyetur atë nëse duhet të paragjykohej zgjedhja e tij si një person politik apo jo. “Është fakt publik që kandidatura juaj është përzgjedhur me një procedurë partiake. Unë do të doja një analizë jo personale, por botëkuptimore nga ju. Kjo mënyrë përzgjedhjeje, a e paragjykon kandidaturën, po ose jo, dhe pse?” - pyeti Rusmali. Ndërkohë që në përgjigje Totozani ka pranuar se për shkak të mënyrës së përzgjedhjes lind natyrshëm paragjykimi, por ai ka garantuar se me punën që do të kryejë në krye të këtij institucioni nuk do lërë vend për një vlerësim të tillë apriori apo skepticizëm tek njerëzit. “Nëse do të paragjykohet kandidatura, ne jemi në një vend ku paragjykimi ka terren dhe sigurisht edhe kandidatura ime mund të paragjykohet. Por besoj se me kohën kjo s’do të ndodhë më, se këtë do e vërtetojë puna si një institucion i pavarur nga politika”, - tha Totozani.
Debati
Me kaq ka mbaruar seanca për Totozanin, pasi më pas komisioni ka vijuar diskutimet pa praninë e tij, ku që në fillim deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj ka theksuar se konsensusi politik po bën që të harrohen institucionet dhe kriteret ligjore. “Sot ne nuk votojmë Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Sot jemi duke i dhënë fund besoj një tradite shumë të mirë të procedurave që ky parlament me shumë mund ka mundur të instalojë që prej 3 apo 4 vjetësh. Sigurisht që duhet të jemi të sinqertë me veten mbase ky eksperiment për mendimin tim është i rrezikshëm, por tashmë është ezauruar ndërmjet nesh që të emërojmë pozicion kushtetues dhe pa ngjyrosje politike edhe kandidatura që vijnë qartësisht nga burime partiake. Ne sot po zgjedhim një avokat të popullit të PS”, - Alibeaj. Kjo deklaratë e Alibeajt ka provokuar debate në sallë, si dhe një qëndrim kundërshtues të nënkryetarit socialist Fatmir Xhafaj, i cili ka theksuar se ky ka qenë vullneti i vet mazhorancës për t’i lënë opozitës të propozojë një kandidaturë për këtë post. “Ajo që më befasoi është që kolegu Alibeaj është dakord me kandidaturën, me CV e kandidatit, dakord me procesin që ka realizuar, por nuk është dakord me konsensusin”, - tha Xhafaj. Pavarësisht debateve, në fund palët kanë kaluar me konsensus pa votuar kandidaturën e Totozanit, duke përcaktuar deputeten Vasilika Hysi që të përgatisë dhe relacionin që do t’i paraqitet sot seancës.
Debatet në komisionin e Ligjeve
Ilir Rusmali: Tani është fakt publik që kandidatura juaj është përzgjedhur me një procedurë partiake. Unë do të doja një analizë jopersonale, por botëkuptimore nga ju. Kjo mënyrë përzgjedhjeje, a e paragjykon kandidaturën, po ose jo, dhe pse?
Çështja e dytë, cilat do të ishin argumentet që ju do të përdornit në këtë kontekst kundër skeptikëve ndaj kandidaturës suaj?
Igli Totozani: Besoj që ka dhënë produktet e veta. Ka pasur njohje dhe miratim ndërkombëtar dhe ka pasur suksesin e duhur, mendoj se një procedurë e tillë do të ishte e mirë të ndiqej. Nëse do të paragjykohet kandidatura, ne jemi në një vend ku paragjykimi ka terren dhe sigurisht edhe kandidatura ime mund të paragjykohet. Por besoj se me kohën kjo s’do të ndihë më, se këtë do e vërtetojë puna si një institucion i pavarur nga politika.
Enkelejd Alibeaj: Sot ne nuk votojmë Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Ajo çfarë jemi duke diskutuar sot është se jemi duke i dhënë fund besoj një tradite jo shumë të mirë, divergjencave dhe procedurave që ky parlament me shumë mund ka mundur të instalojë që prej 3 apo 4 vjetësh. Kjo seancë duhet të ishte një seance dëgjimore, që në mënyrë të sinqertë dhe aspak hipokrite do të duhet t’i drejtonte pyetje për të kuptuar jo vetëm ne, por edhe publiku kandidatit të propozuar nga PS. Sigurisht që duhet të jemi të sinqertë me veten, mbase ky eksperiment për mendimin tim i rrezikshëm por tashmë është ezauruar ndërmjet nesh, që të emërojmë pozicione kushtetues dhe pa ngjyrosje politike edhe kandidatura që vijnë qartësisht nga burime partiake. Por ajo që rezulton e qartë për të gjithë ne, do të duhet t’ia bëjmë të qartë edhe shqiptarëve është që ne sot po zgjedhim një avokat të popullit të PS-së, të ardhur nga një proces tërësisht konsensual. Sot jemi në pikën ku po zgjedhim një avokat, partiakisht të qartë.
Arben Isaraj: Jo, kjo s’është e vërtetë. Si e bëni qartësisht politikë Totozanin?”
Alibeaj: Shpresojmë që avokati, me kalimin e kohës të krijojë një fillesë politike neutrale.
Fatmir Xhafaj: Të them të drejtën, nuk do të kisha qenë i detyruar për të folur nëse s’do të kisha dëgjuar fjalimin e kolegut paska të gjatë, por në të drejtën e tij për të thënë mendimin sipas bindjes së vet. Ajo që më befasoi është që kolegu Alibeaj është dakord me kandidaturën, me CV e kandidatit, dakord me procesin që ka realizuar, por nuk është dakord me konsensusin.
Gent Strazimiri: Nuk mund t’i thuash një kandidaturë apolitike kur ai ka qenë dy herë këshilltarë i kryeministrit, kur ka qenë kaq kohë hapur në krah të opozitës në debatet publike dhe kundër mazhorancës.