Bllokohet kthimi i pronave, AKKP del jashtë ligjit
Seanca e sotme ishte afati i fundit kohor që qeveria të shtynte afatin e kthimit dhe kompensimit të pronave, që sipas ligjit në fuqi skadon më 31 dhjetor. Përtej kësaj date AKKP dhe gjithë procesi është joligjor
Që nga 1 janari Shqipëria nuk do ketë më ligj për kthimin dhe kompensimin e pronave. Kjo pasi seanca e sotme ishte afati i fundit, brenda të cilit qeveria duhet të paraqiste për miratim ndryshimin e ligjit në nenin që përcakton se “Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2011”. Çka do të thotë që të paktën për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, pra duke llogaritur kohën e paraqitjes së një propozimi të mundshëm nga Ministria e Drejtësisë, atë të miratimit në Kuvend, dekretimit dhe hyrjes në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave nuk do mund të funksionojë për trajtimin e kërkesave të subjekteve të interesuara, pasi nuk ka bazë ligjore.
Neni
Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave futet në një ngërç të ri. Kësaj here jo për shkak të pamundësisë së zbatimit të ligjit në të gjithë tërësinë e tij, por për shkak se që nga data 31 dhjetor e këtij viti skadon vlefshmëria e neni 24 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave, i ndryshuar”, i cili trajton afatin e përfundimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme. “Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2011, me përjashtim të kryerjes se pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji”, - thuhet fjalë për fjalë në nenin 24 të këtij ligji. Çka do të thotë se pas kësaj date, AKKP-ja nuk mund të kryejë më detyrat e saj në trajtimin e gjithë problematikës së çështjes së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Skadimi i afatit ligjor sjell ngërç për dhjetëra ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë në proces shqyrtimi ose nuk janë hapur fare për t’u shqyrtuar deri më tani. Pra bëhet fjalë për më shumë se 5 mijë dosje të ardhura nga agjencitë rajonale, që prej kohës kur ato u mbyllën dy vjet më parë dhe i gjithë dokumentacioni i tyre së bashku me çështjet që kishin në dorë iu kaluan zyrës qendrore të AKKP-së. Aktualisht, AKKP-ja ishte në procesin e verifikimit në tërësi të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, apo edhe kontrollin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara. E vetmja veprimtari e Agjencisë dhe e veprimeve që mund të kryejnë qytetarët e interesuar në të janë ato që kanë të bëjnë me çështjet apo dosjet e përfunduara, për të cilat është njohur prona e kërkuar. Pra bëhet fjalë vetëm për procesin vijues, atë të pagesës së vlerës së njohur të kompensimit që përcakton neni 23 i ligjit. Për procesin e kompensimit, vetë ligji ka përcaktuar një procedurë që zgjat dhjetë vjet, duke filluar nga viti 2005 dhe që mbaron në vitin 2015.
Bllokimi
Qeveria ka hezituar që të ndërhyjë në kohë për të shmangur skadimin e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, pasi nuk ka paraqitur ende në Kuvend një amendament për të ndryshuar nenin 24 të këtij ligji për të shtyrë afatin, brenda të cilit duhet të përfundojë procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme. E gjendur në një situatë të tillë, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave pritet të futet në një ngërç ligjor. Të paktën kjo për muajt e parë të vitit të ardhshëm, pasi çdo nismë ligjore që mund të bënte në këto momente qeveria për të sjellë amendim të ligjit me qëllim shtyrjen e jetëgjatësisë së AKKP-së nuk do hynte në fuqi të paktën brenda shkurtit. Duke marrë si rastin më të mirë që ndryshimi të vijë në fillim të janarit, ai s’do mund të nisë diskutimin deri në fund të janarit, kjo pasi sesioni i ri parlamentar nis vetëm në javën e tretë të këtij muaji. Duke llogaritur këtu afatin prej tri javësh që ka presidenti për dekretimin dhe dy javë të tjera për të hyrë në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare, atëherë ndryshimi i nevojshëm do mund të ishte i vlefshëm vetëm në fund të muajit shkurt. Ndaj, për fillimin e vitit të ardhshëm të gjithë individët e interesuar që kanë ende të pazgjidhur çështjen e pronave të tyre, nuk do mund të kryejnë asnjë veprim në AKKP për të rivendosur të drejtën, të paktën deri në miratimin e një drafti të ri.
Skadimi i ligjit, 5 mijë dosje të bllokuara
Skadimi i ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” do të sjellë si pasojë bllokimin e shqyrtimit të rreth 5 mijë kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuara me ligje të mëparshme. Këtu hyjnë vetëm ajo pjesë e dosjeve, që kjo Agjenci për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’i marrë dot në shqyrtim dhe të japë një përgjigje për njohjen pronës së pretenduar apo rrëzimin e kërkesës së subjektit përkatës. Megjithëse kjo përbën një numër të konsiderueshëm, mund të thuhet se Agjencia e ka pasur të pamundur të kryejë detyrën e saj dhe përfundimin e saj brenda afateve. Kjo pasi numri i dosjeve të patrajtuara nga agjencitë rajonale dhe të akumuluara në zyrat e Agjencisë Qendrore, vetëm dy vite më parë ishte më shumë se 8 mijë të tilla. Burime pranë Agjencisë kanë bërë me dije se në më shumë se një vit është bërë i mundur trajtimi i më shumë se 30 për qind të këtij numri, pra duke e zbritur totalin e dosjeve të pashqyrtuar në afro 5 mijë. Përveç kësaj pjese të patrajtuar asnjëherë, një çështje që kërkon zgjidhje dhe që prej muajsh është bllokuar është edhe ajo e rivlerësimit të vendimeve të mëparshme të komisioneve apo agjencive rajonale, për të cilat ka pasur pretendime dhe dokumente shtesë për pronësinë e vërtetë të pronës së kërkuar. Kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese, në dy vite rresht ka rrëzuar nismat e mazhorancës, e cila i jepte të drejtë AKKP-së që të rishihte vendimet e mëparshme të strukturave të saj të varësisë dhe të fshinte vendimet e tyre, në rast se vërtetohej e kundërta. Për këtë kategori, përfaqësuesit e mazhorancës gjatë diskutimeve në Kuvend kanë konfirmuar se bëhet fjalë për më shumë se 30 mijë dosje me probleme.
5 mijë dosje janë ende të patrajtuara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
31 dhjetori është afati i fundit për përfundimin e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave
30 mijë dosje të shqyrtuara konsiderohen si me probleme nga AKKP dhe që kërkohen të rishihen