Presidenti Topi ngushëllon familjen Mula

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ngushëlluar sot familjen Mula, për ndarjen nga jeta të sopranos, artistes së mirënjohur shqiptare, Nina Mula.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të dashur dhe në këto momente të vështira dhimbjeje, ju lutem të pranoni ngushëllimet e mia të thella dhe shprehjen më të sinqertë e të ndjerë të mbështetjes dhe mirëkuptimit njerëzor!” thekson në mesazhin e ngushëllimit Topi.
Sipas kreut të shtetit me humbjen e Nina Mulës, skena shqiptare dhe arti operistik shqiptar humbën sopranon e talentuar dhe të shquar ndër vite për origjinalitetin dhe temperamentin artistik, por edhe një njeri tepër të dashur, të drejtpërdrejtë e të sinqertë.
“Në panteonin e personaliteteve me një kontribut të jashtëzakonshëm për artin shqiptar, Nina Mula do të mbetet e skalitur si një grua fisnike, e cila me veçoritë e jashtëzakonshme vokale, me sharmin dhe individualitetin artistik dhe me përkushtimin ndaj profesionit, bëri për vete zemrat e publikut shqiptar, si soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit, por dhe si një pedagoge e shumë brezave artistësh të skenës operistike. Kujtimi i ndritur i Nina Mulës do të ruhet i tillë përgjithnjë në zemrat e të afërmve, të miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, si dhe të mbarë publikut artdashës, të cilit ajo, gjatë gjithë jetës së saj, i dhuroi shpirtin”, -shkruhet në mesazhin e Presidentit Topi