Topi-mediave: Pavarësi dhe profesionalizëm
Kreu i shtetit Bamir Topi ka kërkuar sot nga mediat pavarësi nga politika, më shumë profesionalizëm dhe të jenë më të besueshëm për publikun.
Në një pritje të organizuar me përfaqësues të medias botues e gazetarë, me rastin e festave të fundvitit, presidenti Topi ka kërkuar nga gazetarët të mos kthehen në militant të verbët të politikës por të jenë një instrument i besueshëm komunikimi për publikun.
“Media duhet të jetë vetvetja, duhet të ketë më shumë pavarësi, profesionalizëm dhe atë që ndoshta ne për hir të elegancës nuk e themi, publiku e thotë. Ata janë të aftë të bëjnë diagnozën, edhe simptomave që shikohen edhe në media, ku militantizmi i verbër i ngjitet politikës, e bën atë jo të ngrihet në pozicionin e saj, interprete e problemeve, por janë bashkë udhëtarë duke e kthyer median në instrument të denatyruar nga misioni i informimit të drejtë publik” theksoi Topi.
Sipas tij, krahas zhvillimit të medias, ka edhe relativitet, edhe konkurrencë, por bashkë shkojnë në sintoni edhe me problemet e vendit.
“Media ka treguar se në momente të caktuara mund të bëjë revulucion. Media është një instrument i dashur, një mjet komunikimi për të ruajtur dashurinë për atdheun, historinë e vendit si dhe është një motiv i fortë që ata të cilët ndodhen jashtë vendit të ndihen si qytetarë shqiptarë” ka shtuar Topi.
Ai shtoi me tej, se njerëzit duan media të lirë e të pavarur duke nisur nga institucioni që e ka detyrim kushtetues siç është edhe TVSH-ja. “Njerëzit kërkojnë një media të lirë dhe të pavarur duke filluar nga ai që ka detyrim kushtetues që është TVSH-ja. Gazetarët duhet të bëhen më të besueshëm që të tregojnë se është televizioni i të gjithë shqiptarëve” është shprehur Presidenti.