E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Prioritet, pavarësia e gjyqësorit

18-12-2012 / Gazeta 55

Zhvillohet takimi i V i Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit të projektit të BE, “Euralius”
 
Pavarësia e Pushtetit Gjyqësor ishte kryefjala e takimit të pestë të Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian në ndihmë të sistemit shqiptar të drejtësisë, Euralius. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi në hapje të konferencës nënvizoi se ”Reforma në drejtësi dhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë vijojnë të mbeten prioritet absolut i ministrisë që unë drejtoj”.
Halimi, duke u shprehur krenar për punën e kryer nga administrata e tij, theksoi se, “gjatë kësaj kohe (një vit pas takimit të fundit), kemi dixhitalizuar të gjithë sistemin gjyqësor. Kemi instaluar një sistem elektronik të ankesave. Në 12 gjykata është instaluar sistemi audio dhe së shpejti do të instalohet edhe sistemi video. Kemi shmangur kontaktin e qytetarit me burokratin, që është dhe burimi parësor i korrupsionit, e shumë të tjera si këto arritje, të cilat janë fryt i punës sonë”.
Ministri i Drejtësisë po ashtu akuzoi edhe opozitën për bllokimin e ligjeve të kërkuara nga BE-ja, duke theksuar se miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë shkon në favor të vendit dhe qytetarëve, duke kujtuar këtu ligjin për gjykatën e lartë.
Ettore Sequi, ambasadori i Bashkimit Europian, në fjalën e tij vlerësoi pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, si një nga standardet thelbësore të BE-së, duke kërkuar vazhdimin e reformave në fushën e drejtësisë.
“Reforma në drejtësi është një prioritet për BE-në dhe çelësi i aspiratave për integrim në Europë. Të gjitha të drejtat që Kushtetuta iu jep qytetarëve nuk janë asgjë, nëse ato nuk garantohen nga një gjyqësor i pavarur dhe i përgjegjshëm”, deklaroi Sequi.
Duke vënë në dukje ndihmën që misioni Euralius ka dhënë për Shqipërinë ambasadori tha se asistenca e BE-së për zhvillimin e reformave në sistemin gjyqësor është impresionuese. “Deri tani në Shqipëri janë investuar rreth 100 milionë euro, nga taksapaguesit europianë, në forcimin e shtetit ligjor, reformave në gjyqësor etj. E gjithë kjo shumë dëshmon qartë se kjo çështje është prioritet kryesor në axhendën e BE-së”, theksoi Sequi.
Kryeprokurori Adriatik Llalla ka vlerësuar asistencën e Euralisu për disa projekte në Prokurorinë e Përgjithshme. “Falënderoj Euralisu për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Prokurorisë”, tha ai.
Sipas Llallës, Euralisu ka ndihmuar në krijimin e një sistemi të unifikuar të hedhjes së të dhënave, i cili siguron saktësi më të madhe të të dhënave statistikore. 
Kreu i organit të akuzës deklaroi ndër të tjera se mbi ligjin nuk do të dalë askush, duke shtuar se me anë të kontrollit asnjë prokuror nuk do lejohet të abuzojë. “Nuk do ta cenojmë prokurorin, por nuk do të lejojmë që ai të abuzojë me detyrën pasi askush nuk është mbi ligjin”, përfundoi Llalla.
Gjatë takimit ndër të tjera u diskutua mbi asistencën në lidhje me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, asistencën në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, etj.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›