Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2013, opozita kundër rritjes së pagave e pensioneve

Me votat unanime të koalicionit të mazhorancës, është miratuar buxheti për 2013-n, i cili fokusohet tek rritja ekonomike. Opozita shtron si alternativë vetëm financimin e borxhit nga Banka Qendrore, çka do ta kthente ekonominë tek sistemi komunist
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 72 vota “pro” dhe 60 kundër buxhetin e vitit 2013 pas më shume se 1 muaji debatesh dhe diskutimesh në komisionet parlamentare, mes mazhorancës dhe opozitës.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë prezantimit në Kuvend, tha se buxheti është i fokusuar te rritja ekonomike dhe reflekton specifikat e vitit 2013. “Rritja ekonomike është çelësi i rivitalizimit të ekonomisë dhe do të reflektohet edhe në financat publike për vitin që vjen”, deklaroi Bode, ndërsa ritheksoi për të disatën herë që ekonomia jonë i bëri ballë sfidës së krizës ekonomike globale.
Sipas tij, edhe ky buxhet përballet me sfida që reflektohen nga kriza, zgjedhjet elektorale, por edhe situata energjetike. Niveli i të ardhurave në buxhetin e vitit 2013 parashikohet rreth 360.7 miliardë lekëve, me një rritje prej 5.8 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 për qind të PBB. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6 për qind e PBB-së. Burimet do të përdoren kryesisht për mbajtjen e deficitit buxhetor në nivelin 3.4 për qind të PBB, rritjen e diferencuar të pagave në masën 2-5 për qind (arsim e shëndetësi 3-4 për qind), rritjen e diferencuar të pensioneve në masën 4 për qind për qytetin dhe 5 për qind për fshatin, dhe mbajtjen e një ritmi të qëndrueshëm të investimeve publike në 5për qind të PBB. Për sa i përket nenit 18 për heqjen e kufirit të borxhit, ministri i Financave Ridvan Bode ka sqaruar edhe njëherë socialistët se borxhi nuk mund të lidhet asnjëherë me Bankën Qendrore të vendit. Sipas tij, propozimi i PS ishte i denjë për sistemin totalitar komunist. “Ka qenë një kohë kur borxhi e deficiti buxhetor mbahej nga Banka Qendrore, në regjimin totalitar. Detyra e Bankës është të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe të mbikëqyrë sistemin bankar. Banka e Shqipërisë i ka kryer më së miri pasi kemi nivelin më të ulët të inflacionit dhe asnjë para publike nuk u përdor për sistemin bankar”, tha ministri Bode.
Opozita, në debatet e saj, e konsideroi projektbuxhetin si jo realist. Deputetët e opozitës propozuan amendamente për disa prej neneve, kryesisht për menaxhimin e të ardhurave nga privatizimi i Albpetrolit, për shpërndarjen jo të qartë të shpenzimeve të çdo ministrie, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve ndaj pushtetit vendor ku penalizohen të majtët, për fondet jo të qarta për ndërtimin e rrugëve si dhe me administrimin e dështuar të borxhit publik.
Të gjitha këto propozime u hodhën në votim dhe u rrëzuan nga shumica. Seancën e kaluar ky buxhet u votua në parim duke marrë 74 vota “pro” nga mazhoranca dhe 56 vota kundër nga opozita.