E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Shqipëria, jo më strehë e krimit të organizuar

13-07-2012 / Gazeta 55

Shqipëria nuk është më strehë për bandat dhe krimin e organizuar. Kështu ka deklaruar ministri i drejtësisë Eduard Halimi në konferencën me temë “Praktikat më të mira në drejtësinë kriminale”. Ai tha se Gjykata e Krimeve të Rënda u dha fund bandave në sajë të luftës me zero tolerancë ndaj krimit, ndërsa për gjyqtarët që devijojnë tha se do të përballen me forcën e ligjit.
“Sot është një ditë ku gjyqtarët kanë të drejtë të krenohen për një kontribut historik që kanë dhënë në luftën kundër krimit të organizuar. Sot falë policisë shqiptare, vendi ynë nuk është më strehim për krimin e organizuar dhe bandave. Është detyrë e çdo qeverie që të hartojë paketa ligjore për të luftuar krimin e organizuar dhe të fitojë betejat me të”- theksoi Halimi, i cili vlerësoi si të suksesshëm zbatimin e ligjit Antimafia, në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar.
Sipas Halimit në sajë të këtij ligji gjykata e Krimeve të rënda ka sekuestruar 20 milionë euro, dhjetëra apartamente, pasuri të krimit, dhjetëra njësi tregtare, troje dhe automjete luksoze, duke rritur me 200 % konfiskimin e aseteve monetare të krimit.
“Që të luftosh krimin duhet ta godasësh atje ku i dhemb më shumë, tek pasuria. Vetëm vlera e pasurive të sekuestruarave nga Krimet e Rënda është mbi 20 milionë euro, dhjetëra apartamente banimi të sekuestrua çdo vit, njësi tregtare, biznese, troje, automjete luksoze që përbëjnë rezultatet e luftës ndaj krimit të organizuar”- tha ai.
Gjithashtu ministri i drejtësisë ka falënderuar trupën Gjyqësore të Krimeve të Rënda për punën e madhe dhe përkushtimin e madh në të mirë të drejtësisë, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sigurinë e qytetareve dhe luftën ndaj krimit.
Duke qëndruar tek plotësimit i njërit prej kushteve për integrimin e vendin ambasadori I BE-së Sequi tha se Shqipëria duhet të tregojë progres në ashpërsimin e luftës kundër krimit të organizuar.
“Një ndër prioritetet e Shqipërisë është forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe Shqipëria ka nevojë të tregojë përmirësim në këtë fushë më qëllim që të përmbushë kriterin për në bashkimin evropian. Bashkimi Evropian ka alokuar 150 milionë euro për të forcuar shtetin ligjor në Shqipëri dhe BE i qëndron e përkushtuar për të ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim. Qëllimi ynë i përbashkët është që krimi nuk duhet të kthehet në biznes fitim prurës ndaj ka ardhur koha që përmbaruesit, prokurorët e gjyqtarët të bëhen profesionistë dhe efikas po aq sa edhe krimi i organizuar”- deklaroi Sequi.
Kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda u shpreh së pushteti gjyqësor ka një rol kyç në integrimin e Shqipërisë në BE.
Konferenca e sotme kishte për qëllim diskutimin me ekspertët e EURALIUS lidhur më ndryshimin e kodit penal për trafiqet si dhe kodin e procedurës penale për me zgjerimin e kompetencave të Gjykatës së krimeve të rënda dhe përfshirjen e sa më shumë veprave penale të reja për të rritur efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›