Halimi akuzon presidentin Topi: Emërimet e tij klienteliste kanë rritur korrupsionin në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, fajëson presidentin në detyrë Bamir Topi për nivelin e larët të korrupsionit në drejtësi. Ministri i konsideron promovimet dhe transferimet e kryera nga presidenti, si klienteliste. Sipas tij, promovimi jo mbi bazën e karrierës për gjyqtarët dhe prokurorët, bllokimi i reformave në KLD, i ka dhënë një goditje të rëndë sistemit të drejtësisë vitet e fundit, raporton “AS”.
“Çështja e korrupsionit në drejtësi ka lidhje të drejtëpërdrejtë jo vetëm me imunitetin por edhe me promovimin e gjyqtarëve të bazuar me meritokraci dhe jo mbi baza klienteliste. Projekti ka kërkuar që prej një viti që KLD të miratojë akte nënligjore të qarta për promovimin dhe karrierën e gjyqtarëve. Vetëm promovimi i tyre në bazë të një sistemi të qartë karriere dhe vlerësimi, bazuar mbi kritere të qarta e transparente si dhe largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga sistemi pa asnjë kompromis, do të sjellë një impakt real në përmirësimin e sistemit”, deklaroi Halimi.
Në takimin e 4-ët konsulativ të Euralius, me aktorët e drejtësisë, pati përplasje mes krerëve të institucioneve. Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, kërkoi ndërhyrje ndërkombëtare që në draftin e hartuar nga ministri Halimi për Gjykatën e Lartë të përfshihen propozimet e saj.
“Nuk janë marrë plotësisht në konsideratë të gjitha propozimet e Gjykatës së Lartë, të cilat i konsiderojmë të një rëndësie të veçantë, që kanë të bëjnë me funksionimin e trupës gjyqësore, personeli i ndihmsave ligjorë në lidhje me kriteret e emërimit të tyre, trajtimi i punonjësve të administratës dhe ajo që është më e rëndësishme: shtimi i një kolegji në përbërje 5 anëtarë“, u shpreh Becaj.