Plumb në ballë vëllait: Na dhunonte familjen
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kukësin. Një 32 vjeçar është ekzekutuar nga vëllai i tij më i madh. Shkaku duket se ka qenë fakti se vëllai i vogël dhunonte familjarët. Megjithatë kjo mbetet thjesht deklarata e autorit të krimit.
Kreshnik Mataj, 32 vjeç, kishte vetëm pak ditë që ishte fejuar kur u qëllua për vdekje nga vëllai i tij i madh, 35 vjeçari Sokol Mataj. Mësohet se Kreshniku ishte duke pirë me miqtë e tij deri në mesnatë dhe ndërsa ngjiste shkallët e pallatit, është qëlluar nga vëllai me plumb në ballë. Por ngjarja nuk është zbardhur menjëherë për shkak se viktima është dëmtuar rëndë nga rrëzimi në shkallë. Fillimisht familja tentoi ta paraqesë këtë si aksident, por ekspertiza faktoi vrasjen e tij. Vëllai i tij, Sokoli, tha se Kreshniku, që kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigracioni, pinte alkool dhe dhunonte familjarët, mes tyre dhe babain e paralizuar. Madje Sokoli ka deklaruar se vëllai i tij ishte trafikant droge dhe ka vrarë edhe një njeri.
