Halit Nora, besimtari që agjëron prej 20 vitesh

Ramazani është muaji më i rëndësishëm për të gjithë myslimanët. Në këtë muaj të shenjtë nuk ndryshon vetëm rutina e personave që agjerojnë por ata bëhen më të kujdesshëm ndaj çdo veprimi të tyre.
Në Gjirokastër ka persona që agjerojnë që nga moshat e treta e deri tek fëmijët. Nuk është vetëm ndalimi i konsumit të ushqimit por ndaj familjes dhe shoqërisë shprehet myftiu i Gjirokastrës, Aureol Senja.
“Po shohim një atmosferë shumë të begatë gjatë muajit të Ramazanit sepse shohim që numri i agjeruesve shtohet nga viti në vit. Në momentin që agjeruesi shikon të tjerë që besojnë si ai, kjo në aspektin shpirtëror dhe psikologjik ja bën më të lehtë njeriut që të agjerojë”, tha Senja.
Halit Nora ka 20 vite që e pret me gëzim muajin e shenjtë të ramazanit. Ai shprehet se që prej kohës që nisi të agjeronte ndihet më mirë si nga ana fizike ashtu edhe shpirtërisht.
“Nuk kam ndjerë asgjë të keqe në trup përveç mirësive. Është periudha që njeriu lidhet më shumë me Krijuesin dhe shkëputet nga bota material dhe lidhet me atë shpirtërore. Shoqërohet dhe me vepra të mira si sadakaja apo vizitat me të afërmit”, u shpreh Nora.
Në Kuran, agjerimi konsiderohet si një nga 5 shtyllat e Islamit dhe nga besimtarët shikohet si moment kur lidhja me krijuesin bëhet me e madhe.
/rtsh/