I jep fund jetës me fotoksinë 16-vjeçarja, letër lamtumire nënës
Shkodër-Ka përdorur helmimin me fotoksinë për ti dhënë fund jetës , ndërsa mbetet mister shkaku që e ka çuar 16 vjeçaren S.B të marrë një vendim të tillë. Kanë qenë pjesëtarët e familjes së saj, me banim në fshatin Hot i Ri të komunës Rrethina në Shkodër, ato që e kanë gjetur 16- vjeçaren të shtrirë dhe në gjendje të rëndë në një prej ambienteve të shtëpisë.
Ajo është dërguar me shpejtësi në spitalin rajonal të Shkodrës, ku edhe ka humbur jetën pas një tratative njëorëshe të mjekëve për ta mbajtur në jetë, por që rezultoi pas sukses.
Nga hetimet e kryera nga policia, ka rezultuar se 16-vjeçarja e ka realizuar vetëhelmimin në momentin kur në banesë nuk ndodheshin asnjë prej pjesëtarëve të familjes së saj. Ajo nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje dhe as ka shfaqur shenja depresioni, ndaj ka mbetur mister shkaku që e ka çuar atë në marrjen e një vendimi të tillë.
Në një ambient të dukshëm në banesë, 16- vjeçarja ka lënë të shkruar një letër drejtuar nënës së saj ku i lutet të mos mbante zi , të mos mërzitej e qante për të dhe ti lutej Zotit.
Në letër nuk shpjegohen shkaqet e veprimit të adoleshentes, por vetëm fakti që ajo e pohonte se po jepte fund jetës, pa dhënë arsyet se përse e bënte këtë.